Mbetjet e Krujës në flakë/ Bashkia e Artur Bushit nuk paguan gjobën 42.5 milionë lekë, sfidon vendimin e gjykatës

Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu më 21 korrik vendgrumbullimin e mbetjeve urbane në fshatin Halilaj të Krujës, duke shkrumbuar mijëra tonë mbeturina dhe duke rikthyer në vëmendje problematikën e menaxhimit të mbetjeve në këtë zonë.
Në muajin prill 2025 “Piranjat” kryen një investigim në Kodër-Dollakë, ku u konstatua se kjo zonë ishte kthyer nga Bashkia Krujë në një landfill artificial të palicensuar. Pas kontrolleve të kryera, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) vendosi një masë administrative me gjobë në vlerën 4.250.000 lekë ndaj Bashkisë Krujë, për shkak të problematikave me depozitimin dhe trajtimin e mbetjeve urbane.
Sipas të dhënave të siguruara nga Piranjat, Bashkia Krujë nuk disponon një pikë të licencuar trajtimi të mbetjeve dhe, sipas detyrimeve ligjore, mbetjet duhet të dërgohen në impiantin e trajtimit në Sharrë, Tiranë, pasi qytetet e qarkut Durrës e kanë atje pikën fundore. Ndërkohë, Bashkia Krujë ka refuzuar të paguajë gjobën e vendosur nga IKMT, duke e çuar çështjen në Gjykatën Administrative.
Nga përgjigjja zyrtare e IKMT për “Piranjat” rezulton se institucioni është drejtuar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit të gjobës. Gjykata, me vendimin nr. 4205, datë 24.10.2025, ka pranuar kërkesën për ekzekutimin e masës së gjobës prej 4.250.000 lekësh, duke mos pranuar vetëm pjesën që lidhej me kamatëvonesat.
Pas këtij vendimi, Piranjat News mëson se procedurat kanë vijuar përmes përmbarimit. Më 17 mars 2026, IKMT ka kërkuar vënien në ekzekutim të urdhrit pranë përmbaruesit gjyqësor. Më 19 mars 2026, Bashkisë Krujë i është dërguar njoftimi për ekzekutim vullnetar të detyrimit. Por, sipas IKMT-së, Bashkia Krujë nuk e ka kryer pagesën. Për këtë arsye, më 14 prill 2026, përmbaruesi ka kaluar çështjen në ekzekutim të detyrueshëm dhe ka kërkuar vendosjen e sekuestros konservative pranë Degës së Thesarit.
Ndërkohë, Bashkia Krujë kishte kërkuar në Gjykatën Administrative shfuqizimin e vendimit të IKMT-së, të procesverbalit të konstatimit të kundërvajtjes dhe të masës administrative prej 4.250.000 lekësh. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, me vendimin nr. 3750, datë 30.10.2025, ka vendosur rrëzimin e padisë së Bashkisë Krujë, duke lënë në fuqi masën e vendosur nga IKMT. Bashkia ka ushtruar ankim ndaj këtij vendimi, i cili është përcjellë për shqyrtim në Gjykatën Administrative të Apelit.
Pavarësisht procedurave ligjore dhe vendimit të gjykatës për ekzekutimin e gjobës, sipas dokumenteve të IKMT-së, Piranjat news mëson se detyrimi financiar ende nuk është shlyer nga Bashkia Krujë./Piranjat News
Lexo edhe
AKTUALITET
Mbyllen fjalimet përpara Kryeministrisë, protestuesit nisin marshimin rrugëve të Tiranës

Detaje të reja nga Roskoveci, nesër ceremonia mortore për Kosta dhe Belere Plaka

Efekti bumerang/ Rama talli dhe linçoi protestuesit, por ndezi edhe më shumë revoltën! Rritet pjesëmarrja dhe presioni për dorëheqjen e t...

“Kisha besuar se natyra është vepër e përfunduar, në Langaricë kuptova se kërkonte korrigjim”/ Pedagogu ironizon ndërtimet në zonat e mbr...

Ish-luftëtari i UÇK-së: Me Ramën të merret drejtësia, krimet e tij dalin edhe jashtë territorit shqiptar





