Editorial Emisione Investigime Aktualitet Sociale Politikë Kosova Bota Showbiz Lifestyle Sport
TË FUNDIT
Fëmijët e një kopshti në Vlorë përfundojnë në pediatri, dyshohet se janë helmuar, deri më tani 7 raste në s... Landfilli i Bushatit/ 13 punonjës në listëpagesa, por jo në vendin e punës Horoskopi, 7 nëntor/ Zbuloni çfarë parashikojnë yjet për secilën shenjë Kthjellime dhe vranësira kalimtare/ Moti për ditën e sotme Lule, premtime dhe dhunë/ Historia e Anxhelës, nga dashuria te medikamentet në pije Kush na e uli kokën Fabrika në Shkodër hedh 50 punonjës në rrugë! Pronari italian nuk hap telefonin 7 mijë dollarë borxh me noter, mikesha zhduket dhe i bën bllok pogradecarit Skaneri final i dyshes Rama-Veliaj Landfilli i Bushatit: Administratë fantazmë që ha taksat e qytetarëve E rëndë/ Djali qëllon prindërit në Manzë të Durrësit! “U shtang” pas ndalimit nga policia, 22-vjeçari shqiptar kapet me 6 kg kokainë. Ja si e kishte fshehur bren...
AKTUALITET

Banka Botërore: Plakja dhe emigracioni po shtojnë presionin mbi financimin e shëndetësisë

P
Piranjat13 July 2026, 07:40 · 4 min lexim
Banka Botërore: Plakja dhe emigracioni po shtojnë presionin mbi

Plakja e popullsisë, emigracioni dhe barra në rritje e sëmundjeve kronike po krijojnë kërkesa të reja për sistemin shëndetësor shqiptar, ndërsa financimi publik mbetet ndër më të ulëtit në Ballkanin Perëndimor, sipas një raporti të Bankës Botërore. Në vitin 2025, popullsia e Shqipërisë ishte rreth 2.36 milionë banorë, nga 2.9 milionë në vitin 2010.

Raporti ia atribuon këtë rënie emigracionit dhe normave të ulëta të lindshmërisë. Në vitin 2022, norma e fertilitetit ishte vetëm 1.2 fëmijë për grua. Nëse këto prirje vazhdojnë, popullsia mund të bjerë në rreth 2 milionë banorë deri në fund të shekullit.

Rreth 16% e popullsisë ishte 65 vjeç ose më shumë në vitin 2023. Sipas raportit, plakja po rrit peshën e sëmundjeve jo të transmetueshme, përfshirë sëmundjet ishemike të zemrës, goditjet cerebrale, kancerin, sëmundjet e mushkërive dhe Alzheimerin.  Këto zhvillime po rrisin kërkesën për shërbime afatgjata, menaxhim të sëmundjeve kronike dhe kujdes të vazhdueshëm.

Banka Botërore vëren se modeli aktual i ofrimit të shërbimeve mbetet i orientuar kryesisht drejt spitaleve dhe lidhet vetëm në mënyrë të kufizuar me performancën.

Pa ndryshime, këto presione mund të zgjerojnë pabarazitë dhe të kufizojnë aftësinë e sistemit për të siguruar vlerë më të mirë për fondet publike.  Në vitin 2023, shpenzimet totale për shëndetësinë arritën në rreth 4.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Nga kjo shumë, shpenzimet publike, përfshirë fondet buxhetore dhe kontributet për sigurimin shëndetësor, përbënin rreth 3.5% të PBB-së.

Shëndetësia përfiton rreth 9.7%-9.9% të shpenzimeve të përgjithshme të qeverisë. Sipas raportit, Shqipëria shpenzon rreth 301 dollarë për frymë nga fondet publike për shëndetësinë, afërsisht gjysma e nivelit të disa vendeve të tjera të rajonit.  Banka Botërore thekson se kufizimet financiare nuk janë i vetmi problem.

Raporti argumenton se fondet ekzistuese shpërndahen në mënyrë jo optimale, me pjesën më të madhe të shpenzimeve të drejtuara te spitalet dhe një pjesë më të vogël te kujdesi parësor dhe parandalimi.

Një tjetër dobësi është baza e kufizuar e kontributeve. Kontributet për sigurimin shëndetësor përbëjnë vetëm rreth 0.8% të PBB-së, ndërsa transfertat e qeverisë për grupet e subvencionuara arrijnë në rreth 1.6% të PBB-së.  Raporti rekomandon përmirësimin e mbledhjes së kontributeve, rishikimin e transfertave publike për grupet e subvencionuara dhe përdorimin e taksave të lidhura me produkte që dëmtojnë shëndetin.

Megjithatë, Banka Botërore i përshkruan këto masa si mbështetëse dhe jo si zëvendësim për reformat në efikasitet dhe barazi.  Dokumenti propozon që Shqipëria të përqendrohet te kujdesi parësor, parandalimi, blerja strategjike e shërbimeve dhe optimizimi i rrjetit spitalor. Sipas raportit, qëndrueshmëria e sistemit do të varet nga aftësia për të përdorur më mirë fondet ekzistuese, për të mobilizuar të ardhura të reja dhe për të përshtatur shërbimet me një popullsi më të vogël dhe më të moshuar./Monitor.al

SHPËRNDAJE

Lexo edhe

AKTUALITET

Me rëndësi

Ndiqni Piranjat kudo.

Investigime, denoncime dhe satirë — zëri që nuk hesht.