SOCIALE

Banorët kundër projektit të rivitalizimit të Kalasë së Elbasanit: Merret vetëm me estetikën!

Piranjat Përditësimi i fundit 24 August 2026, 17:45
Banorët kundër projektit të rivitalizimit të Kalasë

Kalaja e Elbasanit nuk është vetëm një monument kulture, por një zonë e banuar me banesa, prona private, biznese dhe aktivitete kulturore. Projekti “Rivitalizimi i Kalasë së Elbasanit” është në fazën e koncept-idesë dhe konsultimit publik dhe po hartohet nga Bashkia Elbasan në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe studio arkitekturore ndërkombëtare.

Projekti synon rikualifikimin e zonës historike përmes ndërhyrjeve në trashëgimi, hapësira publike dhe funksione kulturore, por në këtë fazë ka sjellë pyetje nga banorët për mënyrën se si do të ndikojë te pronat dhe jeta e përditshme e lagjes.

Një nga banorët që ka ngritur shqetësime për ndërhyrjet e parashikuara është Vladimir Caridha, skulptor dhe banor i lagjes “Kala“. Për Caridhën, debati nuk lidhet vetëm me një pronë private, por me mënyrën se si konceptohet ndërhyrja në një zonë historike ku bashkëjetojnë trashëgimia dhe jeta e banorëve.

“Ideja e projektit, rivitalizimi, për mua, merret vetëm me estetikën sipërfaqësore të objekteve, jo me thelbin e tyre, me shpronësime në interes të të tjerëve”, u shpreh Caridha.

Sipas tij, ndërhyrja nuk duhet të kufizohet te ndryshimi i pamjes së zonës, por duhet të ruajë marrëdhënien mes historisë, strukturave ekzistuese dhe karakterit të lagjes.

“Të evidentosh Burgun dhe pastaj ta mbulosh? Të prishësh e të ndërtosh beton, që nuk ka lidhje estetike me asgjë në lagje”, tha artisti 66-vjeçar.

Që në dëgjesën e parë publike të zhvilluar më 24 qershor, debati u përqendrua te mënyra se si ndërhyrjet e propozuara do të ndikojnë në karakterin e një zone historike të banuar.

Anëtarja e Këshillit Bashkiak të Elbasanit, Valbona Balliu, ngriti shqetësime për mënyrën e trajtimit arkitektonik të projektit dhe përputhjen e tij me identitetin ekzistues të kalasë.

“Projektet 3D janë projekte që i pamë tek parku. Mos harroni dhe një fakt, kalaja është një zonë e banuar”, deklaroi Balliu gjatë dëgjesës publike.

Ajo u ndal edhe te materialet e propozuara për ndërhyrjet e parashikuara, duke vënë në pikëpyetje përputhjen e tyre me karakterin tradicional të zonës.

“Ajo që shohim nga materiali ndërtimor, beton, gur, mermer, ndërkohë që në zonë është prezent guri gëlqeror i trevave të Shqipërisë”, deklaroi Balliu.

Kundërshtimet e shprehura gjatë procesit të konsultimit publik nuk u kufizuan te disa komente individuale, por u shoqëruan me reagime të shumta nga pjesëmarrësit, ku u ngritën shqetësime për mënyrën e ndërhyrjes në një zonë të banuar.

Përballë kritikave të banorëve dhe përfaqësuesve lokalë, institucionet përgjegjëse e paraqesin projektin si një ndërhyrje që synon ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe zhvillimin e zonës.

Bashkia Elbasan e përcakton si objektiv kryesor rikualifikimin e lagjes “Kala“, ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe zhvillimin ekonomik të saj.

“Projekti i Rivitalizimit të Kalasë së Elbasanit ka si objektiv kryesor: rikualifikimin e lagjes “Kala“, ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe zhvillimin ekonomik të saj”, thuhet në përgjigjen e institucionit. 

Sipas Bashkisë, projekti nuk shihet vetëm si restaurim i objekteve historike, por edhe si një mënyrë për të lidhur trashëgiminë me zhvillimin ekonomik dhe funksionimin e zonës.

Një nga elementët e projektit lidhet edhe me aktivitetin ekonomik të lagjes. Bashkia e ka përfshirë administrimin më të mirë të zonës, përfshirjen e bizneseve lokale dhe mundësitë për sipërmarrësit  si pjesë të objektivave të rivitalizimit.

Por për Caridhën, një ndërhyrje në një zonë të banuar nuk mund të trajtohet vetëm përmes restaurimit dhe turizmit, nëse nuk ruan aktivitetet që kanë mbajtur gjallë jetën e lagjes.

“Në koncept idenë nuk flitet fare për krijimin, gjallërimin apo stimulimin e aktiviteteve ekonomike prodhuese, e kryesisht atyre tradicionale, pasi në lagje jetohet, ndërsa projekti i parashikuar e ka parë si diçka të vdekur, vetëm muzeale”, tha ai.

Përtej kundërshtimit ndaj mënyrës së konceptimit të projektit, Vladimir Caridha ngre edhe një shqetësim konkret për një objekt që, sipas tij, preket nga ndërhyrjet e propozuara, studion e tij artistike në lagjen “Kala“. 

“Ankimimi im qëndroi së pari në mosnjoftimin, as me rekomandë as me njoftim të thjeshtë, kur njëra nga pronat, studioja, planifikohet të prishet”, u shpreh Caridha.

Shqetësimi i tij lidhet jo vetëm me një hapësirë private, por edhe me funksionin që ajo ka pasur ndër vite si vend ku zhvillohen aktivitete artistike dhe artizanale.

Në këtë pikë, debati për objektet lidhet me mënyrën se si do të përcaktohen ndërhyrjet konkrete në një zonë ku ndërtesat historike bashkëjetojnë me banesa, biznese dhe hapësira të përdorura nga komuniteti.

Kalaja e Elbasanit është një dëshmi e rëndësishme e historisë së qytetit, e lidhur me zhvillimin e tij ndër shekuj dhe me rolin që ka pasur në jetën urbane të Elbasanit. Brenda mureve të saj nuk ndodhen vetëm objekte me vlera trashëgimie, por edhe një lagje e banuar, ku ndër vite kanë bashkëjetuar banesa, biznese, rrugica dhe aktivitete të komunitetit. 

Pikërisht kjo bashkëjetesë mes një zone me vlera historike dhe një lagjeje ku jetohet përbën edhe thelbin e debatit për projektin e rivitalizimit. Ndërhyrja synon rikualifikimin e zonës, por ka sjellë pyetje dhe kundërshtime për mënyrën se si do të trajtohen objektet, hapësirat dhe funksionet ekzistuese.

Përballë këtyre shqetësimeve, Bashkia Elbasan e paraqet koncept-idenë si një proces të mbështetur në studimin e strukturës ekzistuese të lagjes.

“Koncept ideja për të gjithë kalanë përfshin studimin dhe kartelizimin e lagjes ku janë analizuar 434 ndërtesa”, thuhet në përgjigjen e Bashkisë Elbasan për Amforën.

Studimi i bashkisë shtrihet në të gjithë zonën e cila sipas dokumentacionit të projekt idesë kufizohet nga Bulevardi “Qemal Stafa” në jug, Rruga “Janaq Kilica” në perëndim, Rruga “Ptoleme Xhuvani” në veri dhe Rruga “Rinia” në lindje.

Sipas bashkisë analiza nuk është kufizuar vetëm te objektet me vlera historike, por ka përfshirë të dhëna mbi objektet publike, infrastrukturën ekzistuese, investimet publike dhe private, lejet e miratuara ndër vite, pronësitë, statusin kadastral, bizneset dhe kartelizat e objekteve të përditësuara me statusin e monumentit të kulturës.

Pas kësaj faze, koncept-ideja parashikon edhe drejtimin e ndërhyrjeve të ardhshme në zonë.

“Restaurimi i ndërtesave të trashëgimisë, përmirësime selektive të fasadave të bazuara në kritere konservuese dhe urbanistike si dhe shtime në shkallë të vogël – të projektuara për të forcuar vazhdimësinë hapësinore dhe përdorimin e përditshëm të zonës”, thuhet në përgjigjen e bashkisë.

Pas miratimit të koncept-idesë nga institucionet përkatëse, do të vijojë hartimi i projektit të detajuar për zbatim për ndërhyrjet në ndërtesa, sheshe dhe rrugë/rrugica brenda zonave të përcaktuara të kalasë. Ndërhyrjet më të detajuara të projekt-zbatimit lidhen me Zonën A të Kalasë, ku parashikohen analiza të ndërtesave, restaurime arkitektonike, ndërhyrje në infrastrukturë, ndriçim, specifikime teknike dhe dokumentacion për zbatim. 

Në këtë fazë, mungesa e përcaktimeve përfundimtare për ndërhyrjet konkrete mbetet një nga çështjet e ngritura nga banorët dhe përfaqësuesit lokalë. Në dëgjesën publike morën pjesë edhe institucionet e trashëgimisë kulturore, të cilat shqyrtuan draftin paraprak dhe përcollën rekomandimet e tyre për vijimin e procesit.

Anëtarja e Këshillit Bashkiak të Elbasanit, Valbona Balliu, ngriti shqetësimin se banorët ende nuk kanë informacion se cilat hapësira mund të ndikohen nga ndërhyrjet.

“Ju ende nuk keni një listë të pronarëve që do të preken, këta ende nuk e dinë se ku do t’u preket shtëpia, kopshti, ku do t’u preket muri”, deklaroi Balliu gjatë dëgjesës publike.

Edhe vetë bashkia pranon se dëgjesa publike nuk u shoqërua vetëm me interes për projektin, por edhe me reagime kritike nga pjesëmarrës të prekur drejtpërdrejt nga ndërhyrjet. 

“Por duhet përmendur dhe reagimi me nota kritike i pjesëmarrëse që ishin të prekur drejtpërdrejtë nga ndërhyrjet”, thuhet në përgjigjen e Bashkisë Elbasan. 

 

Për sa i përket ndërhyrjeve mbi pronat dhe hapësirat private, bashkia sqaron se projekti është ende në proces zhvillimi dhe se do të vijojë të saktësohet në bazë të shqyrtimit të sugjerimeve, ankesave dhe kërkesave të përcjella nga komuniteti pas dëgjesës publike.

Edhe Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit bën me dije se projekti ndodhet ende në fazën e hartimit të projekt-idesë dhe të vlerësimit institucional. Në këtë proces, ministria dhe strukturat e trashëgimisë kulturore kanë rol në shqyrtimin e dokumentacionit dhe në dhënien e rekomandimeve për ndërhyrjet në një zonë me vlera historike.

“Projekti “Rivitalizimi i Kalasë së Elbasanit”, i dokumentuar si “Renovation Project of Elbasan Castle / Preliminary Concept Design”, është në fazën e hartimit të projekt-idesë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit.

Sipas ministrisë, drafti paraprak i projektit është vlerësuar nga institucionet e trashëgimisë kulturore, të cilat kanë përcjellë sugjerimet dhe rekomandimet përkatëse.

“Lidhur me këtë projekt, institucionet e trashëgimisë kulturore kanë vlerësuar draftin paraprak në dispozicion të përcjellë elektronikisht dhe kanë përcjellë pranë MTKS sugjerimet dhe rekomandimet përkatëse”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

AADF e lidh përfshirjen e saj me fazën e përgatitjes së projektit teknik për rivitalizimin e Kalasë.

“AADF është angazhuar, në rolin e donatorit, të financojë në këtë fazë përgatitjen e projektit të detajuar teknik për rivitalizimin e Kalasë së Elbasanit, duke kontraktuar ekspertizën e nevojshme për përgatitjen e tij”, thuhet në përgjigjen e AADF për Amforën.

Debati për ndërhyrjet në zona historike nuk është i kufizuar vetëm te Elbasani. Edhe në raste të tjera të projekteve të transformimit urban, si ai i Durrësit, pyetja kryesore ka qenë mënyra se si ndërhyrjet e reja harmonizohen me historinë e zonës dhe me interesat e komuniteteve që jetojnë aty. Në rastin e Kalasë së Elbasanit, kjo çështje është ngritur që në fazën e koncept-idesë. 

 Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit bën me dije se nuk janë nxjerrë akte administrative miratimi, vendimmarrje apo opinione teknike përfundimtare për projektin, pasi procedurat e shqyrtimit dhe miratimit nga institucionet kompetente nuk kanë përfunduar ende.

Bashkia bën me dije se kërkesat, ankesat dhe sugjerimet e ardhura pas dëgjesës publike janë ende në shqyrtim nga grupi i projektimit dhe institucionet përgjegjëse.

Megjithatë, projekti ka sjellë kundërshtime që në prezantimin e tij të parë publik. Banorët dhe përfaqësuesit lokalë kanë vënë në pikëpyetje mënyrën e trajtimit të objekteve, ndikimin mbi pronat private, funksionet tradicionale të zonës dhe ruajtjen e karakterit të një lagjeje ku jetohet prej brezash./amfora.al

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 6

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 6

Me buzëqeshje e revoltë: Gen Z po e dridh pushtetin e Ramës!

Pa numër identifikimi e me shpërblim në xhep: Policët fshihen nga kamera e Piranjave!

Krah për krah për humanizëm: Aktivistët shpëtojnë jetë e mjekojnë uniformat blu!

Studentët kanë të drejtë!

Arroganca e pushtetit përballë krizës: Studentët i thonë "JO" Edi Ramës!

Pedagogët braktisin auditoret e bashkohen me studentët: Ultimatumi për grevë urie!

Trupi i fëmijës është i shenjtë.

Shoqërime masive e presion në shesh: Ish-policët denoncojnë skandalin e uniformave blu!

"Po t'i thyhej këmba fëmijës tuaj?": Piranjat "gozhdojnë" deputetët!

20-vjeçari rrëfen tmerrin që ndodh pas atyre dyerve.

Hiqe atë gur nga dora!

Si parashikoi Rama 13 vite më parë atë që po bën sot?

Gen Z/ Zëri i revoltës që po dridh pushtetin.

Ju lutem kujdes me veprimet, mos e provokoni policinë! ????

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

3 vite pa licencë: Si u punësua psikologia në Vorë dhe kush mban përgjegjësi?

Flet i dyshuari i Masakrës së Beratit: Çfarë zbulon Kudret Zhuka?

Ne jemi me ju, gjatë gjithë vitit!

Zëri ynë për çdo grua që lufton sot!

Konflikti familjar në Klos që përfundoi në dhunë: Çfarë ndodhi mes Fluturës dhe të afërmve?

Kalvari i Anxhelës: Si u kthye një histori dashurie në një makth të vërtetë?

"Doktor Shkencash": Çfarë fshihet pas titullit akademik të Ulsi Manjës?

Unë e njoh atë djalin e shtrirë përtokë.

4 ditë revolte, gjenerata e re flet ndryshe.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 4

Vendimi që ngre dyshime: Çfarë e detyroi gjyqtaren e Shkodrës të vendosë për 42-vjeçarin?

Nga t*rturat te ekzekutimi barbar: Masakra e ’97-ës që nuk u zbardh kurrë.

I pastrehu kërkon ndihmë, Bashkia e Korçës i “ofron” një rrenoje.

Paguaj që të punosh: Zbërthehet skema e mashtrimit me "punën nga shtëpia"

Skandali me tunelin e Skërficës: Pas dështimit 23-milionësh, ARRSH thërret policinë për "Piranjat"

Ermal Pashaj: "Jam këtu kundër mediokërve, kriminelëve dhe dështimit 13-vjeçar të kësaj politike"

Manastirliu, kandidatja për Bashkinë e Tiranës, plagjiatura e radhës.

Patronazhistët e Ogerta Manastirliut gjatë Pranisë Besnike

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 3

Shantazh në emër të dashurisë, 40-vjeçari terrorizon gruan e martuar.

Faturat e avokatit. Si u zhdukën mijëra euro pa bërë asnjë punë?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Saranda e fëmijërisë sime, sot mes plumbave

Nga mësuese filloreje në drejtoreshë gjimnazi. Historia që na vjen nga Ishmi i Durrësit.

Rilindësit me plagjiaturë / Piranjat kapin ish-ministren e Arsimit. Si do të justifikohet ajo?

Prania besnike, një strategji djallëzore për të eliminuar praktikat institucionale.

Fshije videon! Mos shkatërro një jetë.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 2

Nga burgu në arrest shtëpie: Eduard Limaj rikthehet te përndjekja e grave!

Haris Vongli: Dua të kthehem në Shqipëri për Davidin, tim bir.

Fyerje ndaj nxënësve, ngacmime e shkelje rregulloreje: Kush është nëndrejtori problematik?

Institucionet në shërbim të krimit: Pse hesht kryeministri për skandalet?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Porti i Durrësit po mbyllet, investimet në infrastrukturë vazhdojnë. Cili është justifikimi i APD?