AKTUALITET

Bastet informale, si funksionojnë rrjetet e fshehta të cash-it

Piranjat Përditësimi i fundit 9 May 2026, 17:28
Bastet informale, si funksionojnë rrjetet e fshehta të cash-it

Për një 20-vjeçar nga Tirana, bastet nuk nisën si një platformë e rregullt online, por si një rrjet njerëzish, llogarish dhe kreditesh që kalonin nga njëri te tjetri. Në fillim luajti vetë. Më pas nisi ta menaxhonte edhe për të tjerët.

Sot, dy vite pas rikthimit të basteve sportive online me ligj, tregu i licencuar ende nuk është hapur plotësisht, ndërsa aktiviteti informal vazhdon të qarkullojë në terren.

Për të riun, ajo që në fillim dukej si emocion sportiv, më pas ndryshoi natyrë. “Në fillim është ideja e lekut të shpejt. Pastaj bëhet varësi. Arrin në një pikë kur nuk e sheh më një ndeshje futbolli pa menduar se si mund të fitosh prej saj”, thotë ai.

Rrëfen se nuk ka kartë banke, nuk ka marrëdhënie të drejtpërdrejtë me një operator të njohur, nuk ka pagesë të zakonshme online.

“Nuk kam përdorur kartë banke, as kur luaja dhe as kur e menaxhoja vetë. Krediti hidhej nga dikush tjetër”

Basti vendosej përmes një personi tjetër që kontrollonte llogarinë. “I thoje sa lekë doje të hidhje ose cilat ndeshje doje të luaje, dhe ai ta bënte bastin. Pastaj të dërgonte një foto”

Dy dëshmi të tjera të mbledhura për këtë shkrim përshkruajnë të njëjtën logjikë. Një 30-vjeçar nga Tirana kujton kohën kur bastet ishin ende të ligjshme dhe funksiononin në pika fizike: “Ishin poshtë pallatit, mes shokësh, lehtësisht të aksesueshme”

Ai thotë se edhe pas mbylljes, aktiviteti nuk u zhduk. “Janë ende mes nesh si një realitet digjital”

Një tjetër i ri tregon se ka hyrë në kontakt me bastet që në moshën 11 ose 12 vjeç. “Në atë kohë i gjeje kudo pikat e llotos. Pas mbylljes, po ata vazhduan me faqe”

Për të, hyrja në sistem bëhej me username dhe password, por paratë mbeteshin cash. “I thoje personit që të kishte hapur faqen të të shtonte, për shembull, 500 lekë kredit dhe ai ta përditësonte llogarinë”

Kjo tablo në terren qëndron përballë një historie politike që ka ndryshuar disa herë drejtim.

Në tetor 2018, kur qeveria shpalli mbylljen totale të lojërave të fatit, kryeministri Edi Rama deklaronte se “nga 1 janari (2019) nuk do ngrihet më asnjë qepen për baste”

Pesë vjet më vonë, në mars 2023, po ai pranonte publikisht se ndalimi nuk kishte arritur ta zhdukte fenomenin.

“Ne, siç tregon eksperienca, nuk kemi mundur ta ndalim”, tha Rama, duke njoftuar se bastet sportive online do të riktheheshin në ligj me argumentin se formalizimi ishte më efektiv se lënia e aktivitetit në të zezë.

Ai tha se do të hynin “kompanitë e mëdha ndërkombëtare”, do të kishte “garanci për lojtarët” dhe të ardhurat do të shkonin për sportin, teknologjinë dhe kulturën.

Kjo deklaratë e vitit 2023 shënoi kthesën nga logjika e ndalimit total te ajo e formalizimit të kontrolluar.

Kjo qasje u konkretizua me ligjin nr. 18/2024, i cili rilejoi bastet sportive vetëm online.

Ligji parashikoi maksimumi 10 licenca 10-vjeçare, kapital minimal 40 milionë lekë, tarifë licence jo më pak se 400 milionë lekë dhe derdhjen e 15% të të ardhurave bruto nga loja në Fondin e Posaçëm.

Në janar 2024, ministri i atëhershëm i Financave, Ervin Mete, e mbrojti këtë model duke deklaruar se “qasja më efektive ndaj informalitetit është formalizimi”, se pagesat do të bëheshin vetëm përmes sistemit të pagesave dhe se operatorët do të duhej të kishin eksperiencë ndërkombëtare.

Megjithëse ligji u miratua, tregu i licencuar nuk u bë funksional, sepse zbatimi praktik mbeti i kushtëzuar nga mungesa e akteve nënligjore.

Më 30 prill 2026, ministri aktual i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se për hapjen e basteve sportive online “kanë mbetur edhe dy akte nënligjore” për t’u bashkërenduar me Ministrinë e Drejtësisë para se të vijojë licencimi i operatorëve.

Në përgjigjen zyrtare për këtë shkrim, Ministria e Financave e lidh vonesën me “kompleksitetin e lartë teknik dhe institucional” të akteve, nevojën për harmonizim ndërinstitucional, përafrim me praktikat e mira dhe ngritjen e sistemeve teknologjike, përfshirë konsultimet me Bankën Botërore.

Ministria konfirmon se deri tani janë miratuar disa hallka kyçe: regjistri elektronik i personave që nuk lejohen të futen në ambientet apo platformat e lojërave të fatit, programet për mbrojtjen e lojtarit, standardet teknike të sistemit dhe kriteret e vlerësimit për licencimin.

Ndërsa Ministria e Financave thotë se nuk ka të dhëna që të përcaktojnë me vlerë të saktë monetare humbjet e buxhetit nga informaliteti, ekonomisti Eduart Gjokutaj vlerëson se zvarritja e procesit për më shumë se 2 vjet ka sjellë kosto të konsiderueshme.

Sipas tij, vonesa e akteve nënligjore, që duhej të ishte mbyllur brenda rreth 6 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, ka mbajtur të bllokuar tregun formal dhe i ka lënë hapësirë zgjerimit të tregut informal dhe krimit të organizuar.

Gjokutaj vlerëson se humbjet për buxhetin mund të arrijnë deri në 80-100 milionë euro në vit nga taksa të munguara, ndërsa qarkullimi që del jashtë kanaleve formale mund të shkojë deri në 500 milionë euro, sipas raportimeve dhe vlerësimeve të cituara prej tij.

Ekonomisti shton se një sistem bastesh me cash dhe ndërmjetës është “shumë i lartë” në ekspozimin ndaj informalitetit dhe pastrimit të parave, sepse transaksionet në dorë nuk lënë gjurmë bankare, nuk kryhet njohja e klientit dhe hallkat e shumta të ndërmjetësve ndihmojnë në fshehjen e origjinës së parave.

Gjokutaj e përshkruan këtë edhe si model klasik të tregjeve informale të basteve, ku një operator kryesor bashkëpunon me agjentë lokalë dhe ndërmjetës të tjerë, duke e bërë më të vështirë identifikimin e pronarit real dhe ndjekjen e rrjedhës së parave.

Nga këndvështrimi juridik, avokati Neritan Kariqi e përkufizon situatën si një gjendje ku “e drejta ekziston në teori, por nuk mund të ushtrohet realisht”. Sipas tij, kur kërkesa ekziston por oferta e ligjshme mbetet e bllokuar, tregu informal e mbush boshllëkun.

Në vlerësimin e avokatit, masat represive kanë efekt të kufizuar nëse nuk shoqërohen me një alternativë ligjore funksionale. Për bastet online, shton Kariqi, vonesat në krijimin e tregut të licencuar nuk e kanë ndaluar aktivitetin; tregu “de facto” ka vazhduar të funksionojë, por jashtë kontrollit shtetëror.

Kjo tablo konfirmohet edhe nga institucionet. Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF) pranon se aktualisht nuk ka operatorë të licencuar për bastet sportive online, pasi aktet nënligjore për licencimin janë ende në proces miratimi.

Sipas AMLF, rastet e konstatuara të aktivitetit pa licencë janë referuar te Policia e Shtetit si kundërvajtje penale sipas nenit 197 të Kodit Penal, ndërsa adresat online i janë dërguar AKEP për mbyllje.

Për kategori të tjera të lojërave të fatit ka operatorë të licencuar: 1 në kategorinë “Kazino” dhe 9 në kategorinë “Kazino në hotele me 5 yje”. Kjo do të thotë se problemi aktual lidhet posaçërisht me bastet sportive online, jo me mungesën e çdo mekanizmi licencimi në të gjithë sektorin.

Në planin teknik, përpjekja më e dukshme ka qenë bllokimi i domeneve. AKEP sqaron se nuk ka kompetencë të shqyrtojë përmbajtjen e faqeve apo llojin e aktivitetit të tyre; roli i tij është të përcjellë te ofruesit e internetit kërkesat për bllokim që vijnë nga autoritetet kompetente, në këtë rast AMLF.

AKEP shton se nuk ka informacion nëse faqet e bllokuara rishfaqen me domain-e të reja.

Rreth 6 mijë domaine të bllokuara

Përmes një analize të listës publike të domain-eve të bllokuara nga AKEP, ku u përdorën mjete të inteligjencës artificiale për filtrimin dhe klasifikimin paraprak të të dhënave, Faktoje identifikoi se 5,508 nga 13,529 domain-e të bllokuara lidhen me faqe bastesh apo lojërash fati, bazuar në fjalë kyçe dhe karakteristika tipike të kësaj industrie.

Klasifikimi është mbështetur në terma si ‘Bet’, ‘Casino’, ‘Poker’, ‘Slot’ dhe ‘Bast’, si edhe në zhargonin tipik të basteve si ‘1×2’, ‘Fixed’ dhe ‘Odds’, përfshirë variante të markave të njohura ndërkombëtare.

Për ekspertin e teknologjisë Tomi Kallanxhi, “bllokimi i domeneve nuk është një mënyrë fare efektive për të ndalur bastet online”. Sipas tij, faqet hapen me emra të tjerë, përdoruesit mund të përdorin VPN dhe vetë aktiviteti online shpesh funksionon njëkohësisht edhe offline, përmes personave fizikë që mbledhin para dhe menaxhojnë grupe përdoruesish.

Ai e përshkruan tregun si një aktivitet që funksionon “underground, nëpër URL dhe sajte të ndryshme”, ndërsa reagimi institucional, sipas tij, mbetet i kufizuar në raport me mënyrën si funksionon realisht tregu.

Legalizimi për Kallanxhin mund ta bëjë tregun më të kontrollueshëm, sepse aktiviteti do të deklarohej dhe transaksionet do të monitoroheshin më lehtë, por tregu informal mund të vazhdojë të ekzistojë edhe më pas. Pika kyçe e kontrollit, sipas Kallanxhit, mbetet mënyra si kryhen transaksionet dhe si monitorohen llogaritë bankare të lojtarëve. Ai thotë se mbetet për t’u parë nëse bankat shqiptare do ta lejojnë përdorimin e kartave të tyre për transaksione të lidhura me baste online.

Ana tjetër e historisë janë pasojat mbi të rinjtë. Për psikologen Arjana Muçaj, ekspozimi i hershëm ndaj basteve përbën faktor të rëndësishëm rreziku, sepse gjatë adoleshencës strukturat që lidhen me vetëkontrollin dhe parashikimin e pasojave janë ende në maturim.

Psikologia shpjegon se tërheqja e basteve mbështetet në disa mekanizma njëkohësisht: lidhja me sportin krijon iluzionin e kontrollit, grupi shoqëror e bën aktivitetin pjesë të përkatësisë, ndërsa ideja e fitimit të shpejtë vepron si motivim i fortë.

Në mungesë të mekanizmave mbrojtës si kufizimet e moshës, vetëpërjashtimi apo mbështetja psikologjike, një treg informal dhe pamjaftueshëm i rregulluar, sipas psikologes Muçaj, e përkeqëson ndjeshëm situatën, sepse normalizon sjelljet e rrezikshme dhe e bën më të vështirë ndërhyrjen në kohë.

Muçaj përmend si shenja klinike preokupimin e vazhdueshëm me bastet, rritjen progresive të shumave, dështimet e përsëritura për ta ndalur sjelljen, nervozizmin apo ankthin kur aktiviteti mungon, si edhe ndikimin negativ në jetën akademike, familjare dhe shoqërore.

Në aspektin penal, aktiviteti mbetet i dënueshëm. Policia e Shtetit ka raportuar se për periudhën 2024-2025 janë referuar 525 raste për veprën penale ‘Organizimi i lotarive të palejuara’ dhe 194 raste për veprën ‘Vënia në dispozicion e lokaleve’. Për këto raste janë arrestuar 343 shtetas për nenin 197 dhe 155 për nenin 198; 577 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë për nenin 197 dhe 184 për nenin 198.

Prokuroria e Përgjithshme raporton 238 çështje të regjistruara në vitin 2023, 289 në vitin 2024 dhe 185 në vitin 2025 për veprën penale të “Organizimit të lotarive të palejuara”.

Edhe SPAK ka regjistruar procedime që lidhen me këtë fushë. Sipas përgjigjes zyrtare, në vitin 2023 është regjistruar 1 procedim në kuadër të krimit të organizuar; në vitin 2024 janë regjistruar 3 procedime për veprat penale të parashikuara nga nenet 197 dhe 198 të Kodit Penal, po në kuadër të krimit të organizuar; ndërsa në vitin 2025 janë regjistruar 2 procedime, 1 në kuadër të krimit të organizuar dhe 1 për korrupsion.

Për periudhën janar 2024 – dhjetor 2025, Agjencia e Inteligjencës Financiare konfirmon për Faktoje se ka identifikuar 12 raste me tipologji të lidhura me baste sportive, lojëra fati ose operatorë të kësaj fushe. Katër prej tyre janë referuar te organet ligjzbatuese. Sipas AIF, shumica e këtyre rasteve janë sinjalizuar nga bankat, ndërsa sektori i lojërave të fatit konsiderohet me risk mesatar për pastrim parash.

Tre vite pas pranimit publik se fenomenin ‘nuk kemi mundur ta ndalim’ dhe dy vite pas miratimit të ligjit që do ta formalizonte, tregu i licencuar ende nuk është funksionalizuar, ndërsa aktiviteti që vijon të zhvillohet jashtë këtij kuadri mbetet i paligjshëm.

Shqipëria nuk ka sot as tregun e ndaluar plotësisht të vitit 2019, as tregun e licencuar dhe të monitoruar që u premtua me ligjin e vitit 2024.

Mes këtyre dy modeleve, është krijuar një hapësirë ku aktiviteti vijon të qarkullojë në formë informale, ndërsa licencimi ligjor mbetet ende në mes të rrugës, në pritje të akteve nënligjore. /Faktoje.al

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 6

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 6

Me buzëqeshje e revoltë: Gen Z po e dridh pushtetin e Ramës!

Pa numër identifikimi e me shpërblim në xhep: Policët fshihen nga kamera e Piranjave!

Krah për krah për humanizëm: Aktivistët shpëtojnë jetë e mjekojnë uniformat blu!

Studentët kanë të drejtë!

Arroganca e pushtetit përballë krizës: Studentët i thonë "JO" Edi Ramës!

Pedagogët braktisin auditoret e bashkohen me studentët: Ultimatumi për grevë urie!

Trupi i fëmijës është i shenjtë.

Shoqërime masive e presion në shesh: Ish-policët denoncojnë skandalin e uniformave blu!

"Po t'i thyhej këmba fëmijës tuaj?": Piranjat "gozhdojnë" deputetët!

20-vjeçari rrëfen tmerrin që ndodh pas atyre dyerve.

Hiqe atë gur nga dora!

Si parashikoi Rama 13 vite më parë atë që po bën sot?

Gen Z/ Zëri i revoltës që po dridh pushtetin.

Ju lutem kujdes me veprimet, mos e provokoni policinë! ????

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

3 vite pa licencë: Si u punësua psikologia në Vorë dhe kush mban përgjegjësi?

Flet i dyshuari i Masakrës së Beratit: Çfarë zbulon Kudret Zhuka?

Ne jemi me ju, gjatë gjithë vitit!

Zëri ynë për çdo grua që lufton sot!

Konflikti familjar në Klos që përfundoi në dhunë: Çfarë ndodhi mes Fluturës dhe të afërmve?

Kalvari i Anxhelës: Si u kthye një histori dashurie në një makth të vërtetë?

"Doktor Shkencash": Çfarë fshihet pas titullit akademik të Ulsi Manjës?

Unë e njoh atë djalin e shtrirë përtokë.

4 ditë revolte, gjenerata e re flet ndryshe.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 4

Vendimi që ngre dyshime: Çfarë e detyroi gjyqtaren e Shkodrës të vendosë për 42-vjeçarin?

Nga t*rturat te ekzekutimi barbar: Masakra e ’97-ës që nuk u zbardh kurrë.

I pastrehu kërkon ndihmë, Bashkia e Korçës i “ofron” një rrenoje.

Paguaj që të punosh: Zbërthehet skema e mashtrimit me "punën nga shtëpia"

Skandali me tunelin e Skërficës: Pas dështimit 23-milionësh, ARRSH thërret policinë për "Piranjat"

Ermal Pashaj: "Jam këtu kundër mediokërve, kriminelëve dhe dështimit 13-vjeçar të kësaj politike"

Manastirliu, kandidatja për Bashkinë e Tiranës, plagjiatura e radhës.

Patronazhistët e Ogerta Manastirliut gjatë Pranisë Besnike

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 3

Shantazh në emër të dashurisë, 40-vjeçari terrorizon gruan e martuar.

Faturat e avokatit. Si u zhdukën mijëra euro pa bërë asnjë punë?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Saranda e fëmijërisë sime, sot mes plumbave

Nga mësuese filloreje në drejtoreshë gjimnazi. Historia që na vjen nga Ishmi i Durrësit.

Rilindësit me plagjiaturë / Piranjat kapin ish-ministren e Arsimit. Si do të justifikohet ajo?

Prania besnike, një strategji djallëzore për të eliminuar praktikat institucionale.

Fshije videon! Mos shkatërro një jetë.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 2

Nga burgu në arrest shtëpie: Eduard Limaj rikthehet te përndjekja e grave!

Haris Vongli: Dua të kthehem në Shqipëri për Davidin, tim bir.

Fyerje ndaj nxënësve, ngacmime e shkelje rregulloreje: Kush është nëndrejtori problematik?

Institucionet në shërbim të krimit: Pse hesht kryeministri për skandalet?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Porti i Durrësit po mbyllet, investimet në infrastrukturë vazhdojnë. Cili është justifikimi i APD?