Distafa: 485 mijë euro për kasat e parkimit, por Tirana vijon të ketë mungesë hapësirash

Distafa, anëtar i Këshillit Bashkiak të Partisë së Lirisë në Bashkinë e Tiranës, lidhur me problematikën e parkimeve në kryeqytet, ka akuzuar administratën e Bashkisë së Tiranës për keqmenaxhim të fondeve publike dhe mungesë të një strategjie reale për zgjidhjen e kaosit të parkimeve.
Në një deklaratë për mediat ai ka denoncuar rritjen e tarifave dhe hapjen e procedurave të reja tenderuese, duke i cilësuar ato si shembull të një modeli qeverisës që, sipas tij, rëndon qytetarët pa sjellë përmirësime konkrete në shërbime.
Pjesë nga deklarata:
Sipas raportimeve mediatike, ndërsa SPAK po heton një sërë procedurash në Bashkinë e Tiranës, Tirana Parking ka hapur një procedurë tenderimi me vlerë rreth 485 mijë euro për blerjen e 18 kasave automatike, një zhvillim që ngre pikëpyetje serioze për prioritetet e administrimit të parave publike.
Ky është modeli i qeverisjes së Erion Veliajt: më shumë tendera, më shumë pagesa për qytetarët dhe asnjë zgjidhje për problemet reale. Për vite me radhë, tarifat e parkimit janë rritur vazhdimisht, duke e kthyer parkimin në një barrë të rëndë financiare për familjet shqiptare.
Qytetarët paguajnë më shumë se kurrë, por nuk marrin më shumë shërbim. Nuk ka më shumë vende parkimi, nuk ka lehtësim të trafikut dhe nuk ka një strategji serioze për menaxhimin e lëvizjes së automjeteve.
Tirana është shndërruar në një qytet ku është më e lehtë të gjesh një tender sesa një vend parkimi. Kjo është pasojë e një modeli qeverisës që nuk planifikon, nuk ndërton infrastrukturë publike në funksion të qytetarëve dhe nuk jep llogari për mënyrën se si shpenzohen fondet publike.
Ndërkohë që qytetarët paguajnë çdo ditë më shumë për parkimin, ata vazhdojnë të humbasin orë të tëra në trafik, të përballen me mungesën e hapësirave dhe me një shërbim që nuk i justifikon kostot e larta.
Partia e Lirisë dënon këtë mënyrë administrimi të Bashkisë së Tiranës dhe i bën thirrje organeve kompetente të hetojnë me transparencë çdo procedurë për të cilën ekzistojnë dyshime apo indicie për shkelje të ligjit.
Fondet publike duhet t'u shërbejnë qytetarëve dhe jo të ushqejnë një kulturë të pafund tenderash. Qytetarët e Tiranës nuk kanë nevojë për propagandë dhe as për tendera të pafund. Ata kanë nevojë për parkime funksionale, tarifa të përballueshme, transparencë dhe një administratë që punon për interesin e tyre.
Lexo edhe
AKTUALITET
Kamarieri 1000 euro, punëtori i makinave ushtarake 800, kontrasti që ‘shkërmoq’ propagandën e pagave të Ramës

Dhunuan turistin italian pranë Pallatit të Kulturës, procedohen penalisht 8 të mitur

Ende asnjë gjurmë nga minatori i zhdukur në minierën e kromit në Tërnovë

Dosja sekrete e Mehmet Shehut: Si u shpallën spiunë dhe armiq turistët gjermanë që panë të vërtetat e Shqipërisë së viteve 60

Ndotja e ajrit po përkeqësohet/ Eksperti: Cilësia e ajrit mbi normat e lejuara në disa qytete





