EKSKLUZIVE/ Nga ndërtuesit te sigurimet, zinxhiri i përgjegjësisë pas zjarrit në Tiranë

Zjarri i rënë të martën pasdite te farmacia 10 në Tiranë, që la pas dhjetëra apartamente të shkrumbuara dhe po aq familje të tronditura nga ngjarja, ka rikthyer në vëmendje një debat thelbësor: sa janë të mbrojtur qytetarët përballë fatkeqësive të tilla? Në një kohë kur prej kohësh diskutohet për forcimin e skemave të sigurimit të banesave, rasti në fjalë tregon që shqiptarët ende kanë një mungesë të theksuar informacioni, por edhe përgjegjshmërie, lidhur me këtë sektor.
Por kjo është ajo çfarë qytetarët kanë në ndërgjegjen e tyre, ndërkohë që një tjetër problem, edhe më i madh, evidentohet sa herë shfaqen raste të tilla fatkeqësish. Specialistët e sektorit të sigurimeve kanë nënvizuar se edhe nëse do të ishin në fuqi sigurimi 10-vjeçar i përgjegjësisë së ndërtuesit dhe gjithashtu sigurimi i detyrueshëm nga tërmeti, dëmet kolosale të këtij zjarri nuk do të mbuloheshin.
Arsyeja është fare e thjeshtë. Sigurimi nga tërmeti mbulon ekskluzivisht pasojat e lëkundjeve sizmike, ndërkohë që sigurimi i ndërtuesit lidhet me problemet që paraqet struktura si pasojë e cilësisë së punimeve apo problematika që lidhen me rrëshqitje apo anim të ndërtesës. Në asnjërin nga dy rastet që përmendëm nuk përfshihet sigurimi nga rënia e zjarrit.
Për ta thënë më qartë, në situatën e pallatit te farmacia 10, banorët mbeten praktikisht të pambrojtur financiarisht, edhe pse në letër mund të jenë të siguruar me dy klauzolat e mësipërme.
Sidoqoftë, çështja e sigurimeve është një aneks i vogël në problemin e madh, që ka të bëjë me standardet e ndërtimit, me cilësinë e materialeve që përdoren apo me seriozitetin e kontrollit teknik të ndërtimeve të reja. Kuptohet që çdo hallkë e këtij zinxhiri ndikon në parandalimin e rreziqeve të ngjashme.
Po pronarët e banesave që kanë bërë sigurim vullnetar të apartamentit? Në këtë rast, dëmi do të minimizohej ndjeshëm dhe familjet e prekura do të merrnin një mbështetje financiare, aq të nevojshme në një moment kritik.
Ajo çfarë numëruam në këto pak rreshta është një analizë e shkurtër që lidhet me sensibilizimin e qytetarëve për sigurimin e banesave, ndërkohë që mbetet ende për t’u diskutuar përgjegjësia e ndërtuesit në cilësinë e punimeve, e kolauduesve të pallatit, e inspektorëve të bashkisë që kanë firmosur çdo letër të mundshme që iu është vënë në dispozicion, pa parë nëse janë zbatuar standardet, e deri te pronarët e marketit që shkaktoi rënien e zjarrit. Dikush më pak e dikush më shumë, bashkëpërgjegjës të kësaj ngjarjeje që na bën të gjithëve të reflektojmë./Piranjat News
Lexo edhe
AKTUALITET
U la e droguar, pa ndjenja në park/ Ministri grek i Shëndetësisë reagon për vdekjen e vajzës shqiptare: Iu dha ndihma mjekësore, por…...

Aksident i frikshëm në Itali, kamioni përplaset me furgonin. Vdes italiani, shqiptari në luftë për jetën

EMRI/ Zbulohet “nyja” e internetit për Call Center-in mashtrues në Tiranë

Iu shiste doza kanabisi adoleshentëve, arrestohet 22-vjeçari

Ankohet i arrestuari, i vendos kusht gjykatës: Më transferuan me tendencë, eci dy orë në zhul





