EMRAT/ Drogë nga Shqipëria drejt Italisë, identifikohen dy shqiptarët, mes tyre një vajzë

Mediat italiane kanë zbardhur emrat e dy shqiptarëve të arrestuar në kuadër të operacionit antimafia “Whisper”, i cili goditi një rrjet të dyshuar të trafikut ndërkombëtar të drogës mes Shqipërisë, Kalabrisë dhe Salentos.
Sipas raportimeve, bëhet fjalë për shtetasit Myrteza Balliu, 33 vjeç, dhe Adi Çoba, 35 vjeç, të cilët dyshohet se ishin pjesë e një organizate kriminale të përfshirë në trafikimin e heroinës, kokainës dhe marijuanës.
Operacioni u zhvillua në orët e para të mëngjesit nga Drejtoria Hetimore Antimafia italiane, me ekzekutimin e 23 masave të sigurisë ndaj personave të dyshuar si pjesëtarë të dy grupeve kriminale që vepronin në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Sipas hetimeve të Prokurorisë Antimafia, Shqipëria dyshohet se ka shërbyer si vendi kryesor i furnizimit me drogë për këto organizata. Lëndët narkotike mbërrinin nga Shqipëria drejt Italisë, ndërsa transporti kryhej përmes korrierëve shqiptarë, përfshirë edhe gra dhe të mitur.
Autoritetet italiane dyshojnë se një nga mënyrat e përdorura për transportin e drogës ishte edhe përdorimi i autobusëve të linjës ndërkombëtare Itali–Shqipëri, ku korrierët lëviznin vazhdimisht mes dy vendeve.
Nga 23 personat ndaj të cilëve u vendosën masa sigurie, 21 u dërguan në burg, ndërsa dy të tjerë u vendosën në arrest shtëpie.
Hetimi “Whisper” është zhvilluar si vijim i një dosjeje të mëparshme të quajtur “Ura”, e cila kishte zbuluar një linjë të trafikut të drogës mes Durrësit dhe rajonit të Puljas. Sipas autoriteteve italiane, emri i operacionit lidhet me mënyrën e kujdesshme të komunikimit të të dyshuarve, të cilët përdornin biseda të ulëta dhe të kontrolluara për të shmangur përgjimet.
Sipas Antimafias italiane, hetimi ka nxjerrë në pah rolin e rrjeteve shqiptare në furnizimin me drogë të organizatave kriminale që veprojnë në jug të Italisë.
Lexo edhe
AKTUALITET
Reuters: Biznesmeni që shiti tokën për resortin në Zvërnec nën hetim për falsifikim, nuk gjenden shkelje nga Kushner dhe investitorët...

Apeli lë në fuqi konfiskimin, 22 pasuri të Gramoz Totos i kalojnë shtetit shqiptar

'Mungon policimi efektiv'/ Kadillari: Dy vrasje brenda 12 orësh, ndërsa policia ndjek personat që u bëjnë 'review' bizneseve

Dënohet ‘skifteri’ shqiptar që terrorizoi Belgjikën/ U kap prej gjurmëve të këpucëve, duhet të dëmshpërblejë viktimat

Dalin mesazhet/ Si i detyron shteti nxënësit, administratën e bizneset të shkojnë në koncertin e “YE”





