EMRI/ Nga ëndrra për futboll te qelia, ja me sa vite burg dënohet i riu shqiptar në Britani

Një 23-vjeçar shqiptar është dënuar me tre vite burg në Britani, pasi u shpall fajtor për posedim të kokainës dhe kanabisit me qëllim shpërndarjen e tyre.
Migel Dollani u paraqit në Swansea Crown Court pas arrestimit më 13 gusht në Swansea. Policia e kishte konstatuar në një automjet me motorin ndezur, në një zonë të qytetit të njohur për aktivitet të lidhur me drogën.
Kontrolli i makinës çoi në zbulimin e 19 paketimeve me kokainë, të fshehura në një kuti cigaresh, si dhe pesë qese me rreth 35 gramë kanabis. Në automjet u gjetën gjithashtu 130 paund cash. Sipas prokurorisë, vlera e drogës arrinte deri në 880 paund.
Gjatë kontaktit me policinë, Dollani deklaroi se ndodhej ilegalisht në Britani dhe se jetonte në automjet. Ai nuk pranoi t’u jepte efektivëve kodin PIN të telefonit, duke penguar kontrollin e pajisjes.
Fillimisht, 23-vjeçari mohoi të kishte dijeni për drogën dhe pretendoi se makina ishte e një personi të quajtur “Alexander”. Më pas, gjatë procesit gjyqësor, ai pranoi fajësinë për të dyja akuzat.
Mbrojtja paraqiti një tjetër version për historinë e tij. Avokati Dan Griffiths tha se Dollani kishte udhëtuar drejt Britanisë me synimin për t’u bërë futbollist profesionist, por ishte mashtruar lidhur me mundësitë që i ishin premtuar.
Sipas avokatit, pasi planet për futbollin dështuan, i riu u gjend në një situatë të vështirë dhe u përfshi nga persona të tjerë në shpërndarjen e drogës, të cilët, sipas mbrojtjes, përfituan nga gjendja e tij.
Mbrojtja deklaroi gjithashtu se Dollani dëshironte të largohej nga Britania dhe kishte pranuar dëbimin vullnetar, duke u angazhuar të mos kthehej më në vend.
Megjithatë, gjyqtari Greg Bull KC nuk e pranoi versionin se 23-vjeçari kishte shkuar në Britani për të ndjekur një karrierë në futboll. Sipas tij, Dollani kishte shkuar atje për arsye të tjera.
Dollani nuk rezulton të ketë pasur dënime të mëparshme. Për shkak të pranimit të fajësisë, gjykata i reduktoi dënimin me një të katërtën dhe caktoi masën përfundimtare në tre vite burg.
Ndërkohë, kohëzgjatja që ai do të kalojë realisht në burg dhe nëse do të dëbohet nga Britania pas vuajtjes së dënimit do të vendoset nga autoritetet përkatëse.
Lexo edhe
AKTUALITET
“Zbrisni se do pimë kafe”/ Skandal me linjën “Shkozë-Qendër” në Tiranë, shoferët ndërpresin shërbimin në orarin e punës

Denoncon protestuesi: Policët ndaluan aktivistin se filmoi motorin e tyre me targa false, janë efektivë të krimit

“Mafia shqiptare” ndez alarmin në Amerikën Latine, Uruguai nis gjurmimin e shtetasve nga Ballkani

Denoncimi/ Uji me orar në Tropojë, banorët: Nuk kemi as për të larë rrobat! Problematikë gjatë gjithë vitit

Rrjeti që ‘mbajti gjallë’ Dritan Rexhepin, gjurmë gishti në lateks. 7 mjekë dhe një zyrtar në pranga





