Fermë me mijëra bimë e disa kg marijuanë, arrestohen dy shqiptarë

Policia italiane ka arrestuar dy shtetas shqiptarë, të moshave 43 dhe 40 vjeç, në provincat Monza dhe Bergamo, të akuzuar për prodhim dhe posedim të sasive të mëdha të marijuanës me qëllim shpërndarjeje.
Operacioni u zhvillua nga Skuadra Mobile e Komisariatit të Monzës, në kuadër të një hetimi të gjerë të udhëhequr nga Skuadra Mobile e Bolzanos dhe e koordinuar nga Prokuroria e Trentos – Drejtoria Antimafia. Hetimi kishte si objekt goditjen e trafikut kombëtar dhe ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit në banesën e një 43-vjeçari shqiptar në Brugherio, në zonën e Brianzës, policia gjeti dhe sekuestroi 7.3 kilogramë marijuanë të ndarë në 13 pako. Ai u arrestua në flagrancë për posedim droge me qëllim shitjeje. Sipas autoriteteve, ai dyshohet se kishte rolin e “korrierit” në një organizatë kriminale me bazë në provincën e Bolzanos, që merrej me trafikimin e kokainës dhe marijuanës drejt tregut të Tirolit të Jugut.
Nga hetimet e mëtejshme rezultoi se i njëjti person kishte marrë me qira një magazinë në zonën e Ubiale Clanezzo, në provincën e Bergamos. Gjatë kontrollit në këtë objekt, policia zbuloi edhe 28 kilogramë të tjerë marijuanë – gjysma e tyre në thasë dhe pjesa tjetër e përgatitur për paketim dhe shitje.
Në katin e poshtëm të magazinës, efektivët zbuluan dy ambiente të përshtatura si sera për kultivimin e kanabisit, të pajisura me sisteme ndriçimi, ujitjeje, ventilimi dhe dehumidifikimi. Aty u gjetën gjithsej 1920 bimë kanabisi.
Gjithashtu, në magazinë u sekuestruan pajisje të ndryshme për përpunimin dhe paketimin e drogës, përfshirë makineri për mbyllje termike, vaska plastike për ujitje, llamba ngrohëse, plehra kimikë dhe materiale të shumta për paketim. Autoritetet vijojnë hetimet për të zbuluar lidhjet e tjera të rrjetit kriminal. /PiranjatNews/
Lexo edhe
AKTUALITET
Ndërroi jetë në hotel, shpërthen motra e 19-vjeçares ndaj komenteve për veshjen dhe buzët e bëra

Investime çdo vit dhe asfalt për fasadë, Durrësi me rrugë të shkatërruara

E reja shqiptare bisedoi me një burrë 66-vjeçar pak para se të ndërronte jetë. Zbardhen mesazhet pasi i dërgoi 220 euro

Dy telefonata të rreme alarmojnë Policinë e Tiranës

E huaja braktis fëmijën e mitur në një spital në Tiranë, policia vihet në kërkim të saj





