I dënuar për vrasjen e kamarierit, reagon Erjon Llapushi: U dënova me dy standarde, nuk kam kryer vrasje me dashje

Erjon Llapushi, i dënuar për vrasjen e kamarierit Gazment Kurmaku pas ngjarjes së ndodhur në tetor 2021 në një restorant në Labinot të Elbasanit, ka reaguar me një deklaratë të gjatë publike, ku kundërshton dënimin për veprën penale “vrasje me dashje” dhe pretendon se procesi ndaj tij është zhvilluar me standarde të dyfishta.
Llapushi shprehet se nuk mohon tragjedinë dhe humbjen e jetës së viktimës, por këmbëngul se nuk ka pasur asnjëherë qëllim për të vrarë. Sipas tij, ngjarja ka qenë pasojë e një goditjeje të vetme me grusht, pa përdorim arme, pa planifikim dhe pa konflikt të mëparshëm mes palëve.
“Nuk kërkoj mëshirë, por drejtësi. Nuk pranoj të quhem vrasës me dashje kur nuk kam pasur qëllim për të vrarë”, shprehet ai në deklaratë.
Në reagimin e tij, Llapushi pretendon se gjykata nuk ka vlerësuar në mënyrë të drejtë rrethanat e ngjarjes dhe ngre pyetjen pse ndaj tij është aplikuar akuza më e rëndë, ndërsa në çështje të tjera, që sipas tij kanë pasur rrethana më të rënda, është arritur në përfundime të ndryshme lidhur me elementin e dashjes.
Ai bën të ditur gjithashtu se familja e viktimës ka normalizuar marrëdhëniet me familjen e tij përmes një akti noterial të vitit 2021 dhe shtron pyetjen nëse ky dokument është marrë në konsideratë gjatë procesit gjyqësor.
Në deklaratë, Llapushi hedh akuza edhe ndaj institucioneve ligjzbatuese, duke pretenduar se është ekspozuar padrejtësisht si një nga pesë personat më të kërkuar në vend dhe se prej vitesh ka qenë objekt i një përndjekjeje të vazhdueshme nga struktura brenda Policisë së Shtetit. Ai kërkon verifikim institucional për mënyrën e ngritjes së akuzës, zhvillimin e procesit gjyqësor, si dhe për procedurat e përgjimit të banesës së tij, duke pretenduar se janë cenuar edhe të drejtat e familjes.
Llapushi deklaron se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore, brenda dhe jashtë Shqipërisë, për të kërkuar, sipas tij, zbardhjen e plotë të çështjes dhe përgjegjësi institucionale.
Ngjarja për të cilën ai është dënuar ndodhi më 2 tetor 2021 në një restorant në Labinot të Elbasanit. Sipas hetimeve dhe akuzës së ngritur nga Prokuroria, konflikti nisi për një tavolinë të rezervuar, ndërsa kryekamarieri Gazment Kurmaku humbi jetën pas dhunës së ushtruar ndaj tij. Llapushi u shpall në kërkim pas ngjarjes dhe më pas u përball me akuzën për “vrasje me dashje”.
Lexo edhe
AKTUALITET
Shkaktoi zjarrin masiv në Malin e Shëngjinit, prangoset 57-vjeçari. Policia: Tentoi të fshehë provat

EMRAT/ Kultivuan 1.8 ton kanabis me sera në Berat, GJKKO jep dënimet për 17 të pandehurit! Ja sa vite burg do të bëjë secili

FOTO-LAJM/ Bregdeti i Dhërmiut i ndotur, turistët përballen me substancën ngjitëse

I shpallur në kërkim për vrasjen një personi në vitin 1999, kush është 58-vjeçari i arrestuar në Greqi

Me vlerë 250 mijë euro, policia jep detaje për sekuestrimin e 89 pakove me drogë nga Kanadaja drejt Rinasit





