Me vlerë 250 mijë euro, policia jep detaje për sekuestrimin e 89 pakove me drogë nga Kanadaja drejt Rinasit

Policia ka dhënë detaje në lidhje me goditjen e një rasti të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike, ku sekuestruan rreth 46 kilogramë cannabis sativa. Droga po vinte nga Kanadaja drejt Shqipërisë.
Gjatë operacionit të koduar "Suitcases" u gjetën 89 paketime me lëndë narkotike, me një vlerë tregu rreth 250 mijë euro. Në pranga ra 34-vjeçari Kristjan Gjoni, ndërsa dy gra u proceduan penalisht në gjendje të lirë.
Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Njoftimi:
Goditet një rast tentativë për trafikimin e rreth 46 kg lëndë narkotike cannabis sativa nga Kanadaja drejt Shqipërisë.
Arrestohet 1 shtetas dhe procedohen penalisht 2 shtetase.
Sekuestrohen 89 paketime me lëndë narkotike cannabis sativa, me peshë totale rreth 46 kg, me vlerë tregu rreth 250 000 euro.
Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve të shpejta operacionale, të kryera mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Rinas dhe Autoritetet Doganore, finalizuan operacionin policor të koduar “Suitcases”, duke goditur një rast të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike nga Kanadaja drejt Shqipërisë.
Gjatë operacionit u konstatuan dy valixhe, brenda të cilave ndodheshin 89 paketime të mbyllura me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa, në formën e xhelatinës, me peshë totale rreth 46 kilogramë, me vlerë tregu rreth 250 000 euro.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë K. Gj., 34 vjeç, si dhe u proceduan penalisht në gjendje të lirë A. Gj., 31 vjeçe, dhe L. Sh., 40 vjeçe.
Vijojnë hetimet, me përdorimin e metodave speciale të hetimit, për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Lexo edhe
AKTUALITET
Kokainë nga Kolumbia drejt Kalabrisë/ Mediat italiane: Ja roli i grupit të ‘Pojës’ nga Durrësi

Vrasja e Eglant Koçit/ Zbërthehen kompjuteret e Armand Shakajt, ja provat që u gjetën

E rëndë në Vlorë/ E moshuara bie nga autobusi, dërgohet në spital në gjendje të rëndë

Me 1,5 mln euro kokainë/ Shqiptari arrestohet bashkë me nënën dhe vëllain, mediat: Mamaja është drejtoreshë shkolle

Arrestimi për protestën/ Denoncimi i avokatit: I burgosuri që vuan nga epilepsia u dhunua në qeli





