Në kërkim nga SPAK/ Ilir Shtufi merr “viston” për kompleks vilash “Garden Hills” në Himarë

Prej 12 qershorit të këtij viti, sipërmarrësi i ndërtimit, Ilir Shtufi, gjendet në Greqi, në pritje të procedurave për ekstradimin drejt Shqipëri, pasi ndaj tij ekziston një urdhër arresti për përfshirje në grup kriminal të hetuar për “trafik narkotikësh” dhe “pastrim parash”.
Megjithatë, biznesi i tij, i vendosur nën dyshimet se pastronte paratë e kokainës të “Grupit Aruba” në komplekse betoni, vijon të përfitojë lehtësira nga autoritetet shtetërore.
Në 26 Qershor 2026, pra, gjatë kohës që ai qëndron në arrati, Këshilli Teknik në Ministrinë e Turizimit, ka dhënë miratimin që një prej kompanive të tij të vijojë procedurat për lejen për ndërtimin e një kompleksi vilash në zonën e Himarë, në bregdetin e Jugut.
Këshilli i drejtuar nga Endri Haxhiu ka miratuar raportin e vëzhgimit arkeologjik sipërfaqësor hartuar në kuadër të projektit “Resort turistik dhe rezidencial ‘Garden Hills’ me objekt hotelerie me 3 – 4 kate mbi tokë dhe 1-2 kat nëntokë dhe objekte me 2 dhe 3 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë”, me vendndodhje në Bashkinë Himarë, me zhvillues subjektet “Unlimited Construction” sh.p.k. dhe “Constructal” sh.p.k”.
“Boldnews.al” konstatoi se kërkesa e dy kompanive ishte pjesë e rendit të ditës. Megjithatë, deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, në faqen zyrtare të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT), nuk është publikuar informacion nëse ai është pranuar apo refuzuar.
Gjithësesi, në praktikën e Këshillit Kombëtar të Territorit, vendimet e refuzimit publikohen Brenda pak ditësh nga përfundimi i mbledhjeve, ndërkohë që vendimet e miratimit kërkojnë më tepër kohë.
Të dyja kompanitë investitore janë të lidhura me vëllezërit Ilir dhe Kujtim Shtufi.
Shoqëria “ConstructAl” është themeluar në dhjetor të vitit 2024. Ajo është në pronësi të kompanisë “Nova Construction”, me pronar fundor Ilir Shtufin.
Më herët, aksionerë tek shoqëria “Unlimited Construction” kanë qenë Ilir Shtufi dhe Luçiano Koçeku. Ky i fundit konsiderohet si një nga personat kyç në një tjetër rrjet kriminal trafikimi, i konsideruar si “Grupi i Dubait”.
Shoqëria “Unlimited Construction”, e cila është pjesë e investitorëve për “Garden Hills” në Himarë, aktualisht është vendosur nën sekuestro nga Gjykata e Posaçme dhe menaxhohet nga Agjencia e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
Në 12 qershor 2026, Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) njoftoi hetimet për një grup criminal që dyshohet se ka trafikuar sasi të mëdha lënde narkotike kokainë nga Amerika Latine, në drejtim të Europës.
Personazhi kryesor i këtij grupi është vlerësuar Artur Shehu, një vlonjat që jeton prej dy dekadash në Miami të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjithashtu, një rol të rëndësishëm kishte edhe Luçiano Koçeku.
Në dosjen e Prokurorisë së Posaçme konfirmohet zyrtarisht informacioni i shpërndarë më herët për një takim misterioz të ishullin e Arubas, në Detin e Karaibeve.
Sipas të dhënave që ka siguruar SPAK-u nga autoritetet partnere, rezulton se në takimin në Aruba kanë marrë pjesë personazhe kyç të trafikut të drogës dhe “zyrtarë të rëndësishëm të qeverisë shqiptare”.
Informacioni hetimor sugjeron që takimi është kryer për të krijuar lehtësirat e nevojshme për pastrimin e parave të kokainës në projekte luksoze ndërtimore në Shqipëri, kryesisht në Tiranë dhe në zonat bregdetare.
Në kuadër të këtij hetimi, Prokuroria e Posaçme thotë se ka zbuluar raporte të forta mes Luçiano Koçekut dhe Ilir Shtufit, me qëllim pastrimin e parave të drogës në kullat dhe godinat që ndërton kompania “Nova Construction”.
Ilir Shtufi u ndalua nga autoritetet greke në një hotel në Athinë, ndërkohë që ai ka refuzuar të ekstradohet drejt Shqipërisë. Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme ka vendosur nën sekuestro qindra apartamente, dyqane dhe poste parkimi, të cilat janë të regjistruara në emër të kompanisë së Ilir Shtufit, “Nova Construction”, nën dyshimin se janë pjesë e skemës së “pastrimit të parave”.
Vetëm pak ditë pas goditjes së “Grupit Aruba”, Prokuroria e Posaçme njoftoi zhvillimet për një tjetër hetim ndaj atij që konsiderohet si “Grupi i Dubait”.
Personazhet kyçe të këtij grupimi, të dyshuar gjithashtu se ka trafikuar tonelata kokaine nga Amerika e Jugut drejt Bashkimit Europian, janë Shpëtim (Salvadore) Aliaj, Eldi Dizdari e Dritan Gjika.
Edhe ky grup akuzohet se ka pastruar paratë e trafikut të drogës në komplekse rezidenciale e hoteliere në Shqipëri.
Në kuadër të këtij hetimi, Gjykata e Posaçme ka miratuar, ndër të tjera, caktimin e masës “arrest në shtëpi” për sipërmarrësin Gëzim Ismaili, pronar i “Erald G” shpk, e cila është pjesë e ““Unlimited Construction”, që ka marrë përsipër investimin e “Garden Hills” në Himarë.
Ndërsa, ortaku tjetër i kësaj shoqërie, Kujtim Shtufi, ka qenë subjekt i kontrollit fizik dhe të banesës nga ana e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), në kuadër të hetimeve për “Grupin e Dubait”.
Këtij grupi iu vendosën nën sekuestro pasuri të shumta, të cilat gjenden në komplekse luksoze në Tiranë, në Gjirin e Lalzit në Durrës, si edhe në Himarë./ Bold News
Lexo edhe
AKTUALITET
Administratë dhe nxënës shkollash/ Si po e mbush qeveria stadiumin për Kanye West

Këmbimi valutor/ Me sa blihen e shiten sot monedhat e huaja

Pensioni që nuk del/ 27% e popullsisë në moshë pensioni drejt kufirit të varfërisë ekstreme

Sot koncerti i Kanye Wast në Tiranë! Kufizime të qarkullimit, ja akset rrugore që do të bllokohen

Çmimet, ndotja, zhurma, ndërtimet/ Shqipëria pa filtra në sytë e turistëve





