AKTUALITET

Nga inceneratorët te skema 5D, fatura e ‘kripur’ që la pas Taulant Tusha, i besuari i Veliajt

Piranjat Përditësimi i fundit 26 Gusht 2026, 10:18

Nga inceneratorët te skema 5D, fatura e ‘kripur’ që la pas

Para se emri i tij të bëhej i njohur në disa prej dosjeve më të bujshme kundër korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës në Shqipëri, nga afera e inceneratorëve te skandali i tenderave i njohur si “5D”, Taulant Tusha kishte lënë një tjetër gjurmë të mbresëlënëse në zyrat e shtetit.

Vetëm se këtë herë nuk bëhej fjalë për miliona euro të prokurimeve publike apo kontrata të fshehta ndërtimi, por për diçka në dukje të thjeshtë, e megjithatë thellësisht absurde – 8 fatura telefoni për një total prej mbi 20 mijë eurosh.

Rasti u ekspozua pasi një kompani për mbledhjen e borxheve të këqija e mendoi si një fitim të sigurt arkëtimin e faturës që la pas ish-zyrtari i akuzuar për korrupsion, duke paditur për këtë kosto Ministrinë e Shëndetësisë, e cila e trashëgoi borxhin nga ish-Ministria e Mirëqenies Sociale, në të cilën Tusha shërbeu për një periudhë kohe si Drejtor i Shërbimeve Mbështetëse, emri i së cilës rezultonte në krye të faturës bashkë me atë të ish-drejtorit.

Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, i datës 1 korrik 2026, ka nxjerrë në dritë kërkesën e pazakontë, ku kompania “D&Fin Partner” për mbledhjen e borxheve të këqija kërkoi që buxheti i shtetit të paguante afro 20 mijë euro për faturat e papaguara të celularit të Tushës.

Gjyqtari Ardit Kuka e rrëzoi padinë, duke vënë në dukje se kontrata ishte nënshkruar jashtë çdo tagri zyrtar dhe duke qartësuar se abuzimet me shpenzimet telefonike jashtë limiteve të lejuara ligjore të zyrtarëve janë përgjegjësi vetjake e tyre dhe jo barrë e taksapaguesve.

Eventualisht edhe nëse do të pranohej padia, detyrimi që do të mbulonte ministria do të ishte deri në vlerën maksimale 80,000 (tetëdhjetë mijë) lekë për të gjitha faturat objekt gjykimi. Për pjesën tjetër detyrimi do të duhet t’i kërkohej personalisht përdoruesit të numrit të telefonit”, arsyetoi Kuka.

I pyetur nga BIRN, Taulant Tusha tha në telefon se nuk i kujtohej ky numër telefoni.

Nuk mbaj mend ta kem pasur këtë numër”, tha Tusha. Ai tha se nuk kishte dijeni për çështjen dhe as ishte thirrur, as ishte njoftuar.

Kompania “D&Fin Partner” i tha BIRN se u ishte referuar faturave ku përmendej ministria për padinë.

“Kompania, e cila ka blerë borxhin e kompanisë celulare, ka paditur subjektin Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, duke u bazuar te të dhënat e faturimit të faturave të palikuiduara, subjekt i padisë”, tha një zyrtar i kompanisë.

Ai shtoi se ende nuk ishte vendosur nëse çështja do të apelohej.

Vendimi i gjykatës dhe përballja me drejtësinë

Taulant Tusha është një nga ish-zyrtarët më të lartë dhe më jetëgjatë të Bashkisë së Tiranës, i cili, para se të shërbente si Drejtor i Përgjithshëm i Planifikimit të Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, kishte mbajtur postin e Drejtorit të Shërbimeve Mbështetëse në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Rënia e tij nga një prej drejtuesve më me ndikim të bashkisë në një të pandehur të drejtësisë nisi në dhjetor të vitit 2023, kur ai u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, SPAK, i akuzuar për përfshirjen në aferën e inceneratorit të Tiranës, një prej dosjeve më të bujshme të korrupsionit dhe abuzimit me detyrën të hetuara vitet e fundit në Shqipëri, që u ka kushtuar taksapaguesve dhjetëra miliona euro. Tusha është gjetur fajtor dhe dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me 2 vjet burg.

Përveç kësaj akuze, Tusha u bë subjekt i një hetimi të dytë nga SPAK për dosjen e njohur si “5D”, një skemë e dyshuar korrupsioni brenda Bashkisë së Tiranës. Referuar akuzave, SPAK thotë se është provuar fakti që Tusha, në cilësinë e drejtorit të Punëve Publike dhe si anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, KVO, favorizoi në mënyrë të paligjshme shoqërinë “5D Konstruksion” – e zotëruar de facto nga ish-drejtorët e tjerë të bashkisë, Redi Molla dhe Mariglen Qato.

Por ndërsa këto raste janë gjykuar apo janë në gjykim, faturat e shpenzimeve telefonike të viteve 2015-2016 ishin harruar derisa kompania që blen kreditë e këqija mori përsipër vjeljen e tyre.

Në vitin 2025, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kompania “D&Fin Partner”, e cila kishte blerë borxhin nga operatori telefonik Albtelecom (One Albania), i kërkoi gjykatës t’i njihte të drejtën e arkëtimit nga thesari i shtetit. Në kërkesën e saj, paditësi pretendoi se “Detyrimi ka lindur nga marrëdhënia kontraktore… Kontrata është lidhur në emër të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë… prandaj debitori është personi juridik”.

Përballë kësaj kërkese, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale u mbrojt duke argumentuar se institucioni nuk kishte asnjë lidhje me këto shpenzime. Përmes Deklaratës së Mbrojtjes, institucioni prapësoi duke theksuar se “Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale nuk gëzon legjitimim pasiv në këtë proces, sepse nuk është palë në marrëdhënien kontraktore” dhe se “Kontratat e lidhura midis shoqërisë dhe ministrisë përgjegjëse janë absolutisht të pavlefshme, pasi vijnë në kundërshtim me ligjin”.

Në analizën e tij, gjyqtari Ardit Kuka e gjeti të pabazuar kërkesën e kompanisë mbledhëse të borxheve, duke i dhënë të drejtë ministrisë. Gjykata theksoi defektet thelbësore formale dhe ligjore të kontratës origjinale të pajtimit të vitit 2015. Vendimi arsyeton se “Nuk rezulton që të jetë lëshuar prokurë nga titullari i institucionit në formë noteriale apo autorizim me shkrim… që do t’i jepte tagër Z. Taulant Tusha për të lidhur kontrata të shërbimit telefonik në emër dhe për llogari të ministrisë”.

Për rrjedhojë, gjykata rrëzoi padinë, duke konkluduar se kërkimi “nuk mund t’i kundrejtohet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale”, sepse nuk ishte palë në marrëdhënien kontraktore, por duhet t’i drejtohej Taulant Tushës.

Të dhënat e administruara nga trupa gjykuese tregojnë se në 8 muaj – tetor, dhjetor 2015 dhe janar-qershor 2016 – faturat mujore të lëshuara nga operatori AMC, sot One Albania, përmbanin zëra të detajuar për telefonata, internet dhe shërbime roaming me shifra anormale. Vetëm për muajin tetor 2015, fatura e celularit kapi vlerën marramendëse të 983,948 lekëve me TVSH.

Megjithatë, jo të gjitha faturat ishin njëlloj stratosferike. Në disa raste vihet re një rënie e madhe në shpenzime; kështu, nga fatura prej gati 1 milion lekësh të reja në tetor, në dhjetor 2015 fatura shënoi vetëm 7,456 lekë, sërish mjaft më shumë sesa kontrata që parashikonte një abonim mujor prej 5 mijë lekësh.

Ndërkohë, trendi i përdorimit ekstrem u rikthye sërish në janar 2016, kur fatura arriti në 101,805 lekë, ndërsa në shkurt 2016 vlera kërceu sërish në 428,764 lekë me TVSH. Një tjetër shifër e lartë u shënua në prill 2016, kur fatura ishte 203,862 lekë, për të zbritur në qershor 2016 në një vlerë mjaft modeste, krahasuar me faturat e mëparshme, prej rreth 2,370 lekësh.

Në vendim, gjykata i gjeti këto shpenzime të paarsyeshme, duke sqaruar se, ndërsa ishte normale që të mbuloheshin shpenzimet telefonike për një zyrtar të lartë të administratës publike, ato nuk ishin pa limit dhe ishin të përcaktuara qartë nga legjislacioni me një tavan të pakalueshëm.

Kuadri ligjor në fuqi, që citohet në vendim, bën të qartë se vetëm 5 zyrtarët më të lartë të shtetit – Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe Prokurori i Përgjithshëm – kishin shpenzime pa limit.

Ndërkohë, legjislacioni nuk i lejon zyrtarët e nivelit ku ishte i punësuar Tusha të shpenzonin pa limit. Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 864, të vitit 2010, që citohet në vendimin e Gjykatës, për kategorinë ku bënte pjesë Tusha, buxheti i shtetit mbulonte shpenzimet për shërbimin telefonik vetëm deri në limitin e 10,000 lekëve në muaj.

Në arsyetimin e tij, gjyqtari Ardit Kuka thekson se edhe në skenarin ku Ministria do të ishte palë legjitime në kontratë, detyrimi maksimal që do të mund t’i ngarkohej thesarit të shtetit për të gjithë këtë periudhë do të ishte jo më shumë se mbledhja e kësaj vlere maksimale.

Vendimi i gjykatës lë të kuptohet se elementi kyç që shërbeu si mburojë për financat publike në këtë përballje gjyqësore ishte forma e nënshkrimit të kontratës origjinale të pajtimit. Ish-drejtori kishte shënuar në hyrje të dokumentit inicialet e institucionit “Taulant Tusha/MMSR”, duke lënë të kuptohej një përfaqësim shtetëror, por gjykata zbuloi se ai nuk kishte asnjë autorizim për të vepruar në emër të shtetit.

Vendimi argumenton se: “Nuk rezulton që të jetë lëshuar prokurë nga titullari i institucionit në formë noteriale apo autorizim me shkrim, si nga ministri i kohës ashtu edhe sekretari i përgjithshëm, që do t’i jepte tagër Z. Taulant Tusha për të lidhur kontrata të shërbimit telefonik…”.

Për më tepër, gjykata nënvizoi defektet formale të dokumentit, duke konstatuar se në fund të kontratës mungonte nënshkrimi me shënimin përfaqësues, si dhe mungonte vula e ministrisë përkatëse. Kjo e zhvlerësoi natyrën zyrtare të dokumentit, duke e kthyer atë në një veprim juridik privat. Reporter.al

Artikuj te sugjeruar

video

Si u tentua të shantazhohej me 100 mijë euro shefi i kabinetit të Përparim Ramës përmes mediave

Si u tentua të shantazhohej me 100 mijë euro shefi i kabinetit të Përparim Ramës përmes mediave

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës