Nga konflikti mes 7 personave te vrasja, policia zbardh dinamikën e krimit në Memaliaj

Policia e Gjirokastrës ka zbardhur dinamikën e vrasjes së ndodhur mbrëmjen e shkuar në Memaliaj, ku humbi jetën me armë zjarri shtetasi Endri Goxhaj, ndërsa mbeti i plagosur Dali Nela. Sipas Policisë së Gjirokastrës, në pranga janë vënë Dali Nela, 25 vjeç dhe Aldo Kalemi, 47 vjeç, të dy banues në Memaliaj, të akuzuar për veprat penale ‘Vrasja me dashje’, kryer në bashkëpunim, si dhe ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve’
Gjithashtu, është arrestuar në flagrancë Ermal Mataij, 41 vjeç, për ‘Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’.
Ndërkohë, janë shpallur në kërkim Donaldo Nela, 29 vjeç dhe vëllai i tij Marioldo Nela, 28 vjeç, të dy të dyshuar për vrasje me dashje në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje.
Policia ka nisur procedim penal në gjendje të lirë për Julian Kalemi, 44 vjeç, për ‘Deklarata të rreme përpara prokurorit’, si dhe për Gëzim Qëndraj, 49 vjeç, për veprën penale ‘Kanosja’.
Nga hetimet rezulton se konflikti ka nisur si përplasje fizike e çastit, ku janë përfshirë disa persona. Gjatë përleshjes, dyshohet se viktima Goxhaj ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të Dali Nelës, duke e plagosur.
Më pas, dy vëllezërit Donaldo dhe Marioldo Nela dyshohet se kanë qëlluar me armë në drejtim të tij, i cili më pas ndërroi jetë gjatë transportimit për në spital.
Pas ngjarjes, autorët e dyshuar janë larguar me automjet dhe policia vijon operacionin për kapjen e tyre.
Njoftimi:
Zbardhen rrethanat e ngjarjes, ndodhur mbrëmjen e datës 21.04.2026, në Memaliaj, ku u vra me armë zjarri shtetasi E. G. dhe mbeti i plagosur shtetasi D. N.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, nën drejtimin e Prokurorisë Gjirokastër, vijuan hetimet e thelluara me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndodhur mbrëmë, në Memaliaj.
Si rezultat i hetimeve, u vunë në pranga shtetasit:
D. N., 25 vjeç dhe A. K., 47 vjeç, të dy banues në Memaliaj, për veprat penale "Vrasja me dashje", kryer në bashkëpunim, dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit";
E. M., 41 vjeç, banues në Memaliaj, për veprën penale "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës".
Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit D. N., 29 vjeç dhe vëllai i tij, shtetasi M. N., 28 vjeç, të dy për veprat penale "Vrasja me dashje", kryer në bashkëpunim, dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit".
Gjithashtu, nisi procedimi penal për shtetasin J. K., 44 vjeç, banues në Memaliaj, për veprën penale "Deklaratat e rreme përpara prokurorit", si dhe për shtetasin G. Q., 49 vjeç, banues në Memaliaj, për veprën penale "Kanosja".
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se mbrëmë ka patur një konflikt fizik të çastit, në të cilin janë përfshirë shtetasit D. N., M. N., D. N., A. K. dhe J. K., si dhe shtetasit G. Q. dhe E. G.
Gjatë konfliktit, dyshohet se shtetasi Endri Goxhaj ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit Donald Nela (i arrestuar tashmë), i cili mbeti i plagosur dhe vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Më pas, 2 vëllezërit e shtetasit D. N. (2 shtetasit e shpallur në kërkim, D. N., 29 vjeç dhe M. N., 28 vjeç), dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit E. G. (i cili, si pasojë, ka humbur jetën gjatë transportimit në spital).
Të dy këta shtetas janë larguar menjëherë me automjet nga vendi i ngjarjes, ndërsa vijon puna intensive për kapjen e tyre.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale: arma e zjarrit pistoletë (me fishek në fole, gati për qitje), me të cilën dyshohet se shtetasi E. G. (i cili më pas humbi jetën) plagosi shtetasin D. N., 1 krehër me fishekë, municion luftarak, 2 automjete, 2 motomjete, 4 celularë dhe sende të tjera nga vendngjarja, të cilat do t’i shërbejnë vijimit të hetimit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme.
Lexo edhe
AKTUALITET
Dy automjete përplasen në aksin rrugor “Velipojë–Shkodër”, plagosen 3 pasagjeret

Fatura/ SPAK sekuestron paratë e tenderit që i dha “AlbaScan”-it për “umbrellën” kibernetike

VIDEO/ Aksident i rëndë, drejtuesi i motorit në gjendje kritike

Aksidenti në Thumanë, humb jetën një person

Gjykata italiane arkivon dosjen e vdekjes së muratorit Klaudio Myrtaj, autorësia mbetet mister





