Editorial Emisione Investigime Aktualitet Sociale Politikë Kosova Bota Showbiz Lifestyle Sport
TË FUNDIT
VIDEO-Skandali/ Policia shoqëron gazetarin holandez që denoncoi 'Albania Files'. Aktivistes që i filmoi i h... Eisenkoti merr mandatin, Netanyahu kërkon qeveri të unitetit kombëtar/ Prapaskenat e negociatave në Izrael ... Afera 21 milionë euro/ Si po i shet “Ayen” në treg kilovatët që i takojnë shtetit Berisha: Përshëndes ata mijëra studentë dhe qytetarë që sot groposën në koshat e plehrave të Tiranës, dekre... Bashkia e Durrësit “shpik” një metodë të re për ngarkimin e mbeturinave nga kazanët Sherr tek Doganat/ Kush po tenton ta fshijë gjobën 5.1 mln euro të Salillarit Shpërndahen protestuesit nga bulevardi, pas ujit me presion nisin shoqërimet nga policia Rinia dhe qytetarët në këmbë kundër Ramës/ “Blindohet” Bulevardi, furgona policie qëndrojnë gati kundër pro... DOKUMENTI/ SPAK regjistron kallëzim penal për “Albanian Files” të Ramës, nis hetimi për resortet luksoze... Tensione para Kryeministrisë/ Protestuesit shkulin gurët e trotuarit dhe i hedhin drejt policisë Gjakftohtë/ Jetoi prej vitesh në Greqi si ‘fantazmë’, si u zbulua shqiptari i akuzuar për katër vrasje ... Zhdukja e përkthyeses kineze me pasaportë shqiptare/ Nga kasaforta me 100 mijë euro te hetimet në Shqipëri,...
AKTUALITET

Nga “mos u ngrohni” te “mos hapni frigoriferin”, këshillat që fshehin dështimet e qeverisë

P
Piranjat 5 April 2026, 14:07 · 6 min lexim
Nga “mos u ngrohni” te “mos hapni frigoriferin”,

Në kulmin e krizës energjetike, në mesin e viteve ´90, teksa furnizimi me energji elektrike ndërpritej për periudha të zgjatura, një qeveritar i rangut të lartë i atëhershëm, duke justifikuar krizën energjetike për radion “Zëri i Amerikës”, u shpreh ndër të tjera se shqiptarët nuk e kanë luksin të ngrohen me energji elektrike.

Ishin kohë transformimi, ku shumëkush po përshtatej me zhvillimet e vrullshme të pas ’90-s dhe faji për mosfurnizimin me energji elektrike, u gjet te “luksi” i qytetarëve.

Vitet shkuan, vendi kaloi në procese ndryshimi të vazhdueshëm, qytetarët evoluuan, po mentaliteti i qeverisjes, sidomos në periudhë krizash e problemesh të mëdha, nuk ndryshoi shumë.

Në një kohë më të afërt, në kulmin e rritjes së çmimeve të energjisë pas konfliktit në Ukrainë, një ministre e Ekonomisë këshillonte qytetarët të mendoheshin mirë përpara se të hapnin frigoriferin. Një këshillë që, në dukje, synonte kursimin, por në thelb transferonte sërish përgjegjësinë te konsumatori, sikur problemi të ishte te dera e frigoriferit dhe jo te politikat energjetike apo mungesa e ndërhyrjes në kohë.

Në të njëjtën linjë, qytetarëve u është sugjeruar edhe të mos përdorin automjetin për lëvizje të vogla, si për shembull për të blerë cigare, apo që ecja ju bën mirë për shëndetin. Këshilla në vetvete mund të tingëllojë e arsyeshme, por bëhet ironike në një realitet ku transporti publik mbetet i kufizuar, pothuajse vetëm në autobusë dhe alternativat janë minimale.

Apo kur qytetet janë ndërtuar në mënyrë të tillë (pa gjelbërim, pa trotuare të niveluara apo me hapësirë, me gropa apo pllaka që lëvizin) që i bën të papërshtatshme për qarkullim me këmbë, pa menduar rrezikshmërinë që paraqesin për prindërit me karroca fëmijësh apo të moshuarit.

Shqiptarët ndërkohë janë ndër përdoruesit më të mëdhenj të transportit publik në Europë, edhe pse kanë shumë pak alternativa të transportit.

Këto episode me gati 30 vjet largësi mes tyre nuk janë të rastësishme. Ato janë pjesë e një modeli të përsëritur ndër vite, ku qeveritë, në vend që të marrin përgjegjësi për politikat dhe rezultatet, për mosmenaxhimin sistematik të përditshëm apo strategjik të punëve të shtetit parapëlqejnë të japin “këshilla” për qytetarët, duke e zhvendosur barrën e dështimeve dhe mosveprimit nga institucionet tek individi apo biznesi.

Nga “mos u ngrohni me energji elektrike” te “mos hapni frigoriferin”, narrativa mbetet e njëjtë: problemi nuk është menaxhimi ynë (pra i qeveritarëve), por sjellja juaj.

Sot, në një kontekst të ri krizash dhe çmimesh të larta, kjo qasje duket edhe më e theksuar. Shqipëria vazhdon të ketë ndër çmimet më të larta të karburanteve në rajon, kryesisht për shkak të nivelit të lartë të taksave.

Megjithatë, pavarësisht kësaj barre, ndërhyrjet për ta lehtësuar situatën, pas shtrenjtimit që erdhi nga kriza në Lindjen e Mesme, ku çmimet janë rritur me 25-30%, kanë qenë minimale.

Edhe instrumente si Bordi i Transparencës, i rikthyer në një formë të re, rezultuan problematikë që në nisje, duke u tërhequr (pa turp) pa kaluar as 24 orë nga ulja e çmimit në mbledhjen e parë pompoze që bëri dhe duke e rritur më pas sërish, në ditën që u shtrenjtua çmimi dhe në bursë (reagimi nuk është kaq i shpejtë në ulje).

Ndërkohë, qeveria nuk ka pranuar të heqë apo të ulë taksa të rëndësishme, si ajo e qarkullimit mbi naftën, nga e cila vetëm në vitin 2025 janë arkëtuar rreth 250 milionë euro.

Në të njëjtën kohë, qytetarët shqiptarë vijojnë të paguajnë pothuajse dyfishin e taksave për litër krahasuar me vendet e rajonit dhe për ironi, këta të fundit e kanë lehtësuar më shumë barrën fiskale.

Në këtë realitet, nuk do të ishte çudi që në ditët në vijim të dëgjojmë ndonjë këshillë të re “të çmuar”.

Në një vend ku papërgjegjshmëria mbulohet me propagandë, madje të mbështetur me fonde të konsiderueshme, “këshilla” të tilla nuk kanë tipar orientues, edukues apo këshillues, por janë thjesht instrumente justifikimi, madje arrogant.

Ironia është se, ndërsa qytetarëve u kërkohet të kursejnë, të sakrifikojnë dhe të përshtaten, shteti vazhdon të mbledhë më shumë, pa reflektuar mbi barrën që transferon. Dhe kështu, cikli vazhdon: politika të dobëta, përgjegjësi e shmangur dhe “këshilla” gjithnjë e më kreative.

Siç do të thoshte George Orwell: “Në kohë mashtrimi universal, të thuash të vërtetën bëhet akt revolucionar”. Në rastin tonë, ndoshta e vërteta është më e thjeshtë: qytetarët nuk kanë nevojë për këshilla se si të jetojnë me më pak, por për politika që u japin mundësi të jetojnë më mirë./ Monitor

SHPËRNDAJE

Lexo edhe

AKTUALITET

Me rëndësi

Ndiqni Piranjat kudo.

Investigime, denoncime dhe satirë — zëri që nuk hesht.