AKTUALITET

“Nuk flasim më për para, por për pasuri”/ Dosja belge për mafien shqiptare: Rrjetet nga Vlora në Antwerp

Piranjat Përditësimi i fundit 7 Qershor 2026, 12:44

“Nuk flasim më për para, por për pasuri”/ Dosja belge

Një i dyshuar me shtetësi shqiptare, i vendosur në Belgjikë, ishte nën përgjim. Kur nuk fliste për aktivitetet e tij të trafikut me kode, ai mburrej në telefon me bashkëbiseduesit e tij. Dhe nuk shqetësohej aspak nga mundësia për të kaluar kohë në burg.

“Që tani e tutje nuk do të flasim më për para, por për pasuri (…). Kemi arritur në pikën kur të gjithë kemi arritur një nivel të caktuar, kemi shtëpi dhe toka, dhe tani do të fillojmë vërtet. (…) Çfarëdo që të ndodhë, do të qëndroj katër muaj në burg, le të shkojnë të gjithë në djall”.

Ky përgjim gjyqësor është pjesë e një hetimi të gjerë të zhvilluar nga Policia Gjyqësore Federale e Louvain-it, i cili në shkurt 2019 çoi në një seri kontrollesh ndaj një organizate belge-shqiptare aktive në kultivimin dhe shitjen e lëndëve narkotike.

Aktiviteti kryesor ishte kultivimi i plantacioneve të mëdha të kanabisit. Në total u zbuluan pesë plantacione, përfshirë një me 1.000 bimë në një klub striptizi në rrugën Aerschot në Bruksel. Në janar 2020, Gjykata Penale e Louvain-it dënoi 12 të pandehurit (tetë prej tyre shqiptarë) me dënime nga 18 muaj deri në gjashtë vjet burg.

“Rrjete komplekse dhe të sofistikuara”

Ky vendim është vetëm një nga rreth njëzet verdiktet dhe dokumentet gjyqësore, në disa raste konfidenciale dhe me mijëra faqe, që gazeta Le Soir ka mbledhur dhe analizuar gjatë një hetimi disamujor mbi organizatat kriminale shqipfolëse aktive në Belgjikë, në bashkëpunim me kolegët e Knack dhe RTBF.

Për këtë hetim janë intervistuar rreth dymbëdhjetë ekspertë të kriminalitetit të organizuar: magjistratë, hetues, diplomatë, specialistë të pastrimit të parave, statistikanë etj.

Të gjithë përshkruajnë një kriminalitet të organizuar diskret, por destabilizues. Një kriminalitet shumëformësh, por që është shndërruar veçanërisht në një hallkë thelbësore të trafikut ndërkombëtar të kokainës. I dhunshëm, por që zakonisht i zgjidh konfliktet brenda rrethit të vet kriminal dhe mes rivalëve të nivelit të lartë.

“Organizatat kriminale shqipfolëse janë aktive në të gjithë vendin dhe kanë depërtuar edhe në ekonominë e ligjshme”, deklaron An Berger, zëdhënëse e Policisë Federale.

Fenomeni monitorohet nga njësia e specializuar “Ballkani”, pjesë e Drejtorisë Qendrore për Luftën kundër Kriminalitetit të Rëndë dhe të Organizuar (DJSOC).

Ajo shton se “analizat tona më të fundit tregojnë se organizatat kriminale shqipfolëse po fitojnë gjithnjë e më shumë ndikim dhe fuqi. Ato po strukturohen gjithnjë e më shumë dhe po koordinojnë aktivitetet e tyre brenda rrjeteve komplekse dhe të sofistikuara, veçanërisht në trafikun ndërkombëtar të kokainës, si dhe në prodhimin dhe tregtinë e kanabisit.”

François Farcy, drejtor gjyqësor i Policisë Federale në Liège, konsiderohet si një nga specialistët më të mëdhenj belgë të këtij fenomeni.

“Grupet kriminale shqiptare janë vendosur në mënyrë të qëndrueshme kudo dhe janë bërë më të fuqishme. Tashmë ato përbëjnë një kërcënim ndërkombëtar, veçanërisht në trafikun e drogës dhe pastrimin e parave. Kjo është e pakontestueshme. Ndikimi i tyre është rritur gjithashtu. Sot ata janë në të njëjtin nivel me ’Ndrangheta-n ose kartelet meksikane. Shqiptarët negociojnë si të barabartë. Nuk janë më ushtarët e vegjël të dikujt tjetër”, deklaron komisari.

Një avantazh ndaj organizatave italiane ose meksikane është se shqiptarët janë të pranishëm pothuajse në të gjithë botën falë një diaspore prej të paktën dy milionë vetash. Brenda kësaj diaspore, pjesa shumë e vogël e individëve që kanë zgjedhur rrugën kriminale mbështetet në lidhje të forta familjare, klanore dhe shoqërore. Në botën kriminale, shqiptarët njihen si partnerë të besueshëm.

“Një nga avantazhet kryesore të grupeve kriminale shqiptare qëndron në aftësinë e tyre për të krijuar partneritete afatgjata me rrjete të tjera të krimit të organizuar”, konfirmon një zëdhënës i Europol-it, duke shtuar “këto lidhje u krijuan fillimisht përmes marrëdhënieve me grupet kriminale italiane, veçanërisht ’Ndrangheta dhe grupet e Pulias, si dhe me rrjetet kriminale turke.”

Megjithatë, situata nuk ka qenë gjithmonë e tillë.

Sipas kujtesës së hetuesve dhe statistikave të Policisë Federale, dhjetë apo njëzet vjet më parë shkelësit e ligjit me origjinë shqiptare ishin të përfshirë kryesisht në shfrytëzimin e prostitucionit dhe në vjedhjet e banesave. Sot këto aktivitete pothuajse nuk shfaqen më në radarët e autoriteteve.

Prioritetet e klaneve kriminale janë tashmë trafiku i kokainës, trafiku i kanabisit dhe pastrimi i parave në shkallë të gjerë. Frédéric Van Leeuw, president i Kolegjit të Prokurorëve të Përgjithshëm, e ndjek prej kohësh kriminalitetin shqipfolës, veçanërisht nga koha kur ishte prokuror federal.

“Në vitet 2007-2008 zhvilluam një hetim në shkallë të gjerë ndaj shqiptarëve, dosjen ‘Skanderbeg’ (sipas emrit të heroit kombëtar shqiptar). Ishte hera e parë që Prokuroria Federale përpiqej të krijonte një panoramë të plotë të mafias shqiptare në Belgjikë”, shpjegon sot prokurori i përgjithshëm i Brukselit. Në vijim ai shton “në fund kuptuam se trafiku i qenieve njerëzore, pastrimi i parave dhe grabitjet me armë ishin pjesë e së njëjtës çështje. Shqiptarët ishin të gatshëm të bënin gjithçka, për sa kohë që kjo u sillte para.”

DJSOC konfirmon se që nga ajo periudhë ka ndodhur një ndryshim i qartë në aktivitetet kriminale.

“Kokaina dhe pastrimi i parave janë aktualisht dy aktivitetet kryesore të organizatave kriminale shqiptare”, deklaron An Berger, duke shtuar “shfrytëzimi seksual dhe vjedhjet me thyerje nuk bëjnë më pjesë ndër aktivitetet kryesore. Ato janë zëvendësuar nga importi dhe eksporti i kanabisit si dhe mashtrimet në sistemet sociale.”

Në mesin e kësaj dekade transformimi të botës kriminale ndodhi një ngjarje që hetuesit e konsiderojnë revolucionare: çmontimi nga policia i aplikacionit të komunikimit të koduar SkyECC në vitin 2021, pak kohë pas çmontimit të EncroChat.

Këto operacione nxorën në pah fuqinë e fituar nga organizatat kriminale ballkanike.

Një përdorues nga gjashtë profilet SkyECC të dekriptuara nga hetuesit komunikonte në gjuhën shqipe. Ajo ishte gjuha e dytë më e përdorur pas holandishtes në këtë platformë, e cila përdorej pothuajse ekskluzivisht nga kriminelë të nivelit të lartë, veçanërisht trafikantë të kokainës.

“Falë SkyECC u bë e qartë se grupet shqipfolëse zënë tashmë një vend dominues në trafikun ndërkombëtar të kokainës, aktivitetin e tyre kryesor”, deklaron zëdhënësja e Policisë Federale.

“Ato janë në gjendje të kontrollojnë të gjithë zinxhirin e furnizimit, nga prodhimi në Kolumbi deri te shpërndarja në Evropë, falë rrjeteve komplekse dhe të sofistikuara. Bëhet fjalë për struktura kriminale ndërkombëtare që mund të operojnë nga jashtë vendit dhe të gjenerojnë qindra milionë euro fitime.”

Dosjet Encro, Black Eagle dhe procese të tjera gjyqësore me dhjetëra të pandehur, mes tyre shumë shqiptarë, kanë dominuar jetën e gjykatave belge gjatë muajve të fundit.

Sipas Gjykatës së Apelit të Brukselit, organizata kriminale e dënuar në dosjen Black Eagle kishte përfituar jo më pak se 659 milionë euro nga trafiku i kokainës së bardhë, vetëm gjatë katër viteve. Në këto mega-procese, të dhënat e SkyECC dhe EncroChat kanë zbuluar metodat e kriminalitetit të organizuar belge-shqiptar: bidonë me prekursorë kimikë; laboratorë për përpunimin e drogës; fotografi të shumave të mëdha parash; vende të fshehta në automjete dhe kontejnerë për transportin e drogës dhe parave, si dhe selfie me armë në dorë për qëllime frikësimi.

Një botë kriminale që deri atëherë kishte mbetur pothuajse e panjohur për publikun. Këtë vjeshtë, dy organizata të tjera kriminale shqiptare do të dalin para Gjykatës së Antverpit për trafik ndërkombëtar narkotikësh. Në njërën çështje gjykohen 26 shqiptarë me origjinë nga Vlora, të lidhur mes tyre me marrëdhënie familjare.

Çështja tjetër lidhet me një organizatë që, sipas Europol-it, menaxhonte një lloj “hapësire coworking për botën kriminale” nga restoranti Antwerp Grill në Deurne dhe përdorte bashkëpunëtorë në doket e portit të Antverpit.

Për pesë vjet me radhë, një pjesë e konsiderueshme e të dhënave të nxjerra nga SkyECC iu transmetua autoriteteve në Tiranë. Ky shkëmbim informacioni nuk është pa rreziqe, pasi Shqipëria është cilësuar shpesh si “narko-shtet” nga hetime të ndryshme gazetareske dhe konsiderohet një vend ku korrupsioni mbetet problem serioz.

Sipas artikullit, kjo lidhet me faktin se Shqipëria vazhdon të jetë një vend relativisht i varfër, ku paratë e pista të organizatave kriminale janë të vështira për t’u refuzuar dhe ushqejnë në masë sektorin e ndërtimit dhe turizmit.

Megjithatë, në këtë kontekst institucional të brishtë, Prokuroria Federale belge deklaron se ka besim te SPAK-u, institucioni shqiptar kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, i krijuar në vitin 2019.

“Konteksti shqiptar nuk është ideal për bashkëpunim. Duhet të jemi gjithmonë të kujdesshëm dhe jo naivë. Por kur bashkëpunojmë me njerëzit e duhur, arrijmë rezultate”, deklaron Geert Schoorens, drejtues i seksionit ‘CrimOrg’ në Prokurorinë Federale belge.

Ai shton: “ne e dimë çfarë informacioni i kemi dhënë Shqipërisë. Ndonjëherë kemi pyetur veten nëse do të përdorej, sepse ishte potencialisht shpërthyes. Sot shohim se po përdoret realisht dhe se në Shqipëri është në zhvillim një proces pastrimi. Sipas të dhënave që disponojmë, pas SkyECC janë ndërmarrë arrestime dhe masa parandaluese ndaj më shumë se 340 personave kyç në Shqipëri, mes tyre politikanë, gjyqtarë, prokurorë, drejtues të lartë policie dhe zyrtarë publikë. Këto të dhëna kanë ndihmuar gjithashtu në zbardhjen e 15 vrasjeve dhe 15 tentativave për vrasje.”

Dhuna është realisht e pranishme në botën kriminale shqipfolëse. Megjithatë, nuk janë anëtarët e këtyre grupeve ata që shfaqen rregullisht në faqet e para të mediave për shkak të shkëmbimeve të zjarrit në rrugët e Brukselit. Sipas hetuesve belgë, këto klane mafioze kultivojnë një profil relativisht diskret dhe, kur përdoren armët, zakonisht bëhet fjalë për larje hesapesh mes figurave të nivelit të lartë të kriminalitetit të organizuar. Belgjika është tronditur nga tre vrasje të lidhura me rrjete kriminale shqiptare gjatë viteve të fundit.

Më 8 prill 2020, Edit Mema u vra me pesë plumba në picerinë e tij në Strombeek-Bever. Autori i krimit u largua me biçikletë, por u arrestua shpejt nga autoritetet. Në vitin 2024, Afrim M. u dënua me 30 vjet burg për vrasjen e personit që konsiderohej drejtues i një organizate kriminale aktive në trafikun e kokainës.

Rasti i dytë ndodhi më 27 nëntor 2020. Ardit Spahiu, 38 vjeç, anëtar i klanit Alibej, doli nga automjeti i tij tip Golf pasi u bllokua nga disa persona në një rrugë të Molenbeek-ut.

Sapo zbriti nga makina, ai u ekzekutua nga persona të maskuar që hapën zjarr në mes të ditës. Viktima ishte larguar nga Shqipëria drejt Belgjikës një vit më parë, pasi kishte frikë për sigurinë e tij. Në atë periudhë ishte në zhvillim një konflikt i ashpër mes klanit Alibej dhe klanit Copja, i drejtuar nga Franc Gergely. Ky i fundit u ekstradua nga Dubai në Belgjikë në fund të vitit 2023 dhe dy vjet më vonë u dënua me 25 vjet burg për organizimin e atentatit.

Po atë vit, klani Copja u shkatërrua nga autoritetet shqiptare.

Një vrasje e tretë ndodhi në fillim të vitit 2022. Bledar Muça, 39 vjeç, shqiptar nga Elbasani, u ekzekutua me disa plumba në kokë një mbrëmje të së shtunës përpara banesës së tij në Aartselaar, pranë Antverpit.

Muça konsiderohej si një njeri i besuar i klanit kriminal Capja dhe, sipas disa burimeve, ishte i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve. Në vitin 2016 ai ishte dënuar në Shqipëri për plagosjen me armë të dy policëve.

Organizatat kriminale shqipfolëse

Sipas autoriteteve hetimore, organizatat që në këtë analizë quhen “shqipfolëse” nuk mund të krahasohen plotësisht me mafiet tradicionale italiane. Kriminelët me origjinë nga Ballkani funksionojnë gjithashtu mbi baza klanore, por pa një hierarki të ngurtë piramidale.

Kjo strukturë më fleksibile e bën shpesh më të vështirë çmontimin e tyre nga forcat e rendit.

Artikulli përdor termin “shqipfolës” sepse këto organizata nuk përfshijnë vetëm shtetas të Shqipërisë, por edhe persona nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut që përdorin gjuhën shqipe dhe bashkëpunojnë brenda të njëjtave rrjete kriminale.

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

Nga shpërthimi i drejtorit te prapaskenat e ushqimit në institucionin privat në Elbasan