AKTUALITET

Pajisjet izraelite që bllokuan TikTok-un dyshohet se përgjuan SPAK-un, nën hetim Igli Tafa dhe Gentian Sala

Piranjat Përditësimi i fundit 31 August 2026, 14:10

Pajisjet izraelite që bllokuan TikTok-un dyshohet se përgjuan SPAK-un,

Një hetim i fortë  i Prokurorisë së Posaçme po zhvillohet mbi instalimin dhe përdorimin e pajisjeve izraelite “Deep Packet Inspection” në rrjetet e komunikimeve elektronike shqiptare gjatë vitit 2025.

Burime konfidenciale brenda Byrosë Kombëtare të Hetimit i thanë redaktorit të Publik.al se SPAK ka regjistruar një çështje lidhur me veprimet e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dhe Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Sipas të njëjtit burim, në fokus të hetimit janë Igli Tafa, në atë kohë drejtor i përgjithshëm i AKSK-së dhe aktualisht drejtor i AKSHI-t, si dhe Gentian Sala , kryetar i Këshillit Drejtues të AKEP-it.

Burimi thotë se pajisjet e përdorura fillimisht me justifikimin e bllokimit të TikTok-ut janë sekuestruar dhe i janë nënshtruar ekspertimit teknik. Përfundimet e ekspertizës, të ardhura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas burimit, kanë evidentuar përdorim të sistemit përtej qëllimit të deklaruar publikisht.

SPAK nuk ka bërë ende një njoftim zyrtar për regjistrimin e procedimit, por i sigurtë është se dy personat janë nën hetim dhe  rezultatet e ekspertizës tregojnë se me paisjet izraelite është përgjuar BKH dhe SPAK-u. Për këtë arsye, të dhënat mbi fazën aktuale të hetimit paraqiten si informacion i rezervuar.

Po çfarë janë pajisjet që SPAK-u i ka  sekuestruar

Sipas burimit të Publik.al, hetuesit kanë sekuestruar pajisjet DPI, të cilat gjatë vitit 2025 u instaluan në infrastrukturën e operatorëve të komunikimeve elektronike.

Hetimi synon të përcaktojë:

mbi çfarë procedure ligjore u sollën pajisjet në Shqipëri;

kush autorizoi instalimin e tyre;

kush kishte akses administrativ në sistem;

cilët persona jepnin urdhra për filtrimin ose monitorimin e trafikut;

nëse ekzistonin urdhra me shkrim apo ndërhyrjet kryheshin me porosi verbale;

nëse operatorët celularë kishin dijeni për të gjithë funksionalitetin e sistemit;

çfarë të dhënash janë mbledhur, ruajtur apo transferuar;

nëse të dhënat janë administruar jashtë territorit shqiptar.

Dyshimi kryesor është se një teknologji e sjellë për bllokimin e TikTok-ut është përdorur pa procedurë të përcaktuar, pa kontroll gjyqësor dhe pa mekanizma të verifikueshëm për mbrojtjen e të dhënave.

Ekspertiza amerikane dhe regjistrat elektronikë

Burimi brenda BKH-së deklaroi për Publik.al se ekspertiza e pajisjeve është kryer me asistencë nga Shtetet e Bashkuara.

Pjesë thelbësore e ekspertimit kanë qenë regjistrat elektronikë të sistemit, të njohur si “logs”. Këta regjistra mund të tregojnë kur është përdorur një pajisje, çfarë komandash janë ekzekutuar, çfarë filtrash janë vendosur dhe drejt cilave segmente të trafikut është orientuar monitorimi.

Sipas burimit, analizimi i “logs”-eve ka evidentuar përdorim të pajisjeve për monitorime që nuk lidheshin vetëm me TikTok-un.

Më rëndë akoma, burimi pretendon se nga ekspertiza rezulton se është prekur edhe trafiku i komunikimeve që lidhej me strukturat e BKH-së dhe SPAK-ut.

Nëse ky konstatim dokumentohet përfundimisht në dosjen penale, çështja nuk kufizohet më te një dyshim për shpërdorim detyre apo cenim të privatësisë. Ndërhyrja në komunikimet e institucioneve që hetojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin mund të përbëjë cenim të sigurisë kombëtare, pengim të hetimeve dhe komprometim të informacionit të klasifikuar.

Dyshimet për urdhra verbalë

Sipas informacionit të siguruar nga Publik.al, hetuesit po verifikojnë dyshimet se pajisjet janë përdorur në bazë të urdhrave verbalë, pa dokumentacion shoqërues dhe jashtë një zinxhiri të kontrollueshëm institucional.

Objekt hetimi është identifikimi i personave që kishin kredencialet teknike dhe kompetencën faktike për të aktivizuar filtrat, për të përcaktuar objektivat dhe për të administruar të dhënat e prodhuara nga sistemi.

Hetuesit po analizojnë gjithashtu komunikimet ndërmjet drejtuesve dhe punonjësve të AKSK-së, AKEP-it, operatorëve celularë dhe personave të përfshirë në instalimin e pajisjeve.

Më 6 mars 2025, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin nr. 151 për ndërprerjen për një vit të aksesit në platformën TikTok.

Më 10 mars 2025, AKSK i kërkoi AKEP-it marrjen e masave për bllokimin e platformës dhe të infrastrukturës së saj digjitale.

AKEP u kërkoi operatorëve të internetit që deri më 13 mars të bllokonin:

sistemin DNS të platformës;

adresat IP të kompanisë ByteDance.

Por krahas këtyre metodave të zakonshme, në rrjetet e Vodafone Albania dhe One Albania u instaluan pajisje DPI, të afta të analizonin dhe filtronin trafikun e internetit në një nivel shumë më të avancuar.

Instalimi u krye pa transparencë publike. Nuk u publikuan kontratë, procedurë prokurimi, akt dhurimi, inventar pajisjesh, modeli teknik apo protokoll për administrimin e të dhënave.

AKSK pranoi se pajisjet erdhën nga Izraeli

Pas denoncimeve të ekspertëve dhe gazetarëve, AKSK pranoi në prill 2025 se pajisjet DPI ishin instaluar në rrjetet e Vodafone dhe One.

Në përgjigjen zyrtare dhënë gazetarit Emirjon Senja, institucioni i drejtuar atëherë nga Igli Tafa deklaroi se pajisjet ishin siguruar nga Izraeli dhe nuk ishin blerë. Sipas AKSK-së, ato ishin marrë në përdorim për një vit dhe do t’i ktheheshin Autoritetit të Sigurisë Kibernetike të Izraelit.

AKSK e lidhi sigurimin e tyre me një marrëveshje bashkëpunimi të nënshkruar në shkurt 2023 me autoritetin izraelit.

Megjithatë, dokumenti i plotë i marrëveshjes, kushtet e huazimit, prodhuesi, modelet, numrat serialë dhe protokollet e përdorimit nuk u bënë publike.

AKSK deklaroi se teknologjia analizonte vetëm pjesën orientuese të paketave të internetit dhe nuk mund të lexonte përmbajtjen e komunikimeve të enkriptuara.

Ekspertët e teknologjisë ngritën që atëherë alarmin se, pa transparencë mbi konfigurimin, funksionalitetet dhe personat që kishin akses, deklaratat e institucionit nuk përbënin garanci teknike apo ligjore.

Igli Tafa, nga AKSK-ja në krye të AKSHI-t

Në kohën e instalimit dhe përdorimit të sistemit DPI, AKSK drejtohej nga Igli Tafa.

Në shkurt 2026, Tafa u emërua drejtor i përgjithshëm i AKSHI-t, institucioni që administron një pjesë të rëndësishme të sistemeve dhe të dhënave digjitale të shtetit shqiptar.

Sipas burimit të Publik.al, SPAK po heton përgjegjësinë e tij si ish-drejtues i AKSK-së lidhur me sigurimin, instalimin, administrimin dhe kontrollin e pajisjeve.

Fakti që Tafa mban sot drejtimin e AKSHI-t i jep hetimit rëndësi të posaçme, pasi bëhet fjalë për drejtuesin e institucionit që administron infrastrukturën më kritike digjitale të vendit.

Gentian Sala dhe roli i AKEP-it

Gentian Sala u zgjodh nga Kuvendi në krye të AKEP-it më 17 shkurt 2025, pak javë përpara vendimit për bllokimin e TikTok-ut.

Sipas burimit të Publik.al, SPAK po verifikon rolin e Salës dhe të strukturave të AKEP-it në urdhërimin e operatorëve, lejimin e instalimit të pajisjeve, kontrollin teknik dhe përdorimin e tyre.

Një nga çështjet që duhet sqaruar është se ku përfundonte roli rregullator i AKEP-it dhe ku fillonte kontrolli operacional mbi pajisjet.

Publikisht nuk është sqaruar se cili institucion zotëronte fjalëkalimet administrative, kush mund të ndryshonte parametrat e filtrimit dhe kush kontrollonte regjistrat e përdorimit.

Paralajmërimet që u shpërfillën

Që në mars dhe prill 2025, ekspertë të teknologjisë paralajmëruan se pajisjet DPI mund të shndërroheshin në instrument mbikëqyrjeje, nëse përdoreshin pa kontroll ligjor dhe teknik.

Eksperti Besmir Semanaj deklaroi publikisht se në Shqipëri ndodheshin shtatë pajisje DPI, ndërsa burimet fillestare kishin konfirmuar instalimin e sistemit te dy operatorët kryesorë celularë.

Publik Media  ngriti pikëpyetje mbi procedurën e instalimit, pronësinë, personat me akses dhe rrezikun e monitorimit të trafikut të qytetarëve.

Në tetor 2025, deputeti Saimir Korreshi deklaroi në emisionin “Opinion” se kishte informacion se një pajisje e përdorur për bllokimin e TikTok-ut kishte përgjuar task-forcën e ngritur nga SPAK për zgjedhjet.

Në atë kohë deklarata mbeti një pretendim politik i pakonfirmuar. Informacioni i ri i siguruar nga Publik.al tregon se pikërisht përdorimi i pajisjeve ndaj strukturave të posaçme është sot pjesë e verifikimeve hetimore.

Dosja mund të prekë sigurinë kombëtare

Përdorimi i paautorizuar i teknologjisë DPI mund të ekspozojë:

lëvizjet e strukturave operacionale;

komunikimet me partnerët ndërkombëtarë;

të dhëna të klasifikuara;

strategjinë e hetimeve të SPAK-ut dhe BKH-së.

Nëse provohet se sistemi është përdorur për monitorimin e strukturave të drejtësisë, hetimi mund të shtrihet përtej shpërdorimit të detyrës dhe cenimit të të dhënave personale.

SPAK duhet të përcaktojë nëse janë konsumuar vepra penale që lidhen me ndërhyrjen e paautorizuar në të dhënat kompjuterike, përgjimin e paligjshëm, pengimin e drejtësisë, nxjerrjen e informacionit të mbrojtur dhe cenimin e sigurisë kombëtare.

Pyetjet që kërkojnë përgjigje nga SPAK dhe Gjykata

Hetimi duhet të zbardhë:

Sa pajisje DPI hynë realisht në Shqipëri?

Kush i solli dhe me çfarë dokumentacioni doganor?

Cila kompani i prodhoi dhe çfarë kapacitetesh kishin?

A ekzistonte marrëveshje e shkruar me autoritetin izraelit?

Kush e autorizoi instalimin në rrjetet e Vodafone dhe One?

Kush zotëronte aksesin administrativ?

Ku ruheshin regjistrat dhe të dhënat e sistemit?

A u dërguan të dhëna jashtë Shqipërisë?

Cilët persona apo institucione u monitoruan?

A u përgjuan realisht komunikimet e BKH-së dhe SPAK-ut?

Kush dha urdhrat verbalë për përdorimin e pajisjeve?

Përse u zgjodh DPI kur TikTok-u mund të bllokohej me metoda më pak ndërhyrëse?

Përse pajisjet u hoqën nga rrjetet e operatorëve vetëm pak muaj pas instalimit?

A është cenuar ndonjë hetim penal në zhvillim?

Kush përfitoi nga informacioni i mbledhur?

Publik.al do t’u kërkojë të hënën zyrtarisht SPAK-ut, AKSHI-t, AKSK-së, AKEP-it, Vodafone Albania dhe One Albania sqarime mbi hetimin, sekuestrimin e pajisjeve dhe rezultatet e ekspertizës. “Big Brother-i” izraelit ka përgjuar SPAK-un; kjo është pak, por e sigurt./ Publik.al

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 6

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 6

Me buzëqeshje e revoltë: Gen Z po e dridh pushtetin e Ramës!

Pa numër identifikimi e me shpërblim në xhep: Policët fshihen nga kamera e Piranjave!

Krah për krah për humanizëm: Aktivistët shpëtojnë jetë e mjekojnë uniformat blu!

Studentët kanë të drejtë!

Arroganca e pushtetit përballë krizës: Studentët i thonë "JO" Edi Ramës!

Pedagogët braktisin auditoret e bashkohen me studentët: Ultimatumi për grevë urie!

Trupi i fëmijës është i shenjtë.

Shoqërime masive e presion në shesh: Ish-policët denoncojnë skandalin e uniformave blu!

"Po t'i thyhej këmba fëmijës tuaj?": Piranjat "gozhdojnë" deputetët!

20-vjeçari rrëfen tmerrin që ndodh pas atyre dyerve.

Hiqe atë gur nga dora!

Si parashikoi Rama 13 vite më parë atë që po bën sot?

Gen Z/ Zëri i revoltës që po dridh pushtetin.

Ju lutem kujdes me veprimet, mos e provokoni policinë! ????

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

3 vite pa licencë: Si u punësua psikologia në Vorë dhe kush mban përgjegjësi?

Flet i dyshuari i Masakrës së Beratit: Çfarë zbulon Kudret Zhuka?

Ne jemi me ju, gjatë gjithë vitit!

Zëri ynë për çdo grua që lufton sot!

Konflikti familjar në Klos që përfundoi në dhunë: Çfarë ndodhi mes Fluturës dhe të afërmve?

Kalvari i Anxhelës: Si u kthye një histori dashurie në një makth të vërtetë?

"Doktor Shkencash": Çfarë fshihet pas titullit akademik të Ulsi Manjës?

Unë e njoh atë djalin e shtrirë përtokë.

4 ditë revolte, gjenerata e re flet ndryshe.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 4

Vendimi që ngre dyshime: Çfarë e detyroi gjyqtaren e Shkodrës të vendosë për 42-vjeçarin?

Nga t*rturat te ekzekutimi barbar: Masakra e ’97-ës që nuk u zbardh kurrë.

I pastrehu kërkon ndihmë, Bashkia e Korçës i “ofron” një rrenoje.

Paguaj që të punosh: Zbërthehet skema e mashtrimit me "punën nga shtëpia"

Skandali me tunelin e Skërficës: Pas dështimit 23-milionësh, ARRSH thërret policinë për "Piranjat"

Ermal Pashaj: "Jam këtu kundër mediokërve, kriminelëve dhe dështimit 13-vjeçar të kësaj politike"

Manastirliu, kandidatja për Bashkinë e Tiranës, plagjiatura e radhës.

Patronazhistët e Ogerta Manastirliut gjatë Pranisë Besnike

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 3

Shantazh në emër të dashurisë, 40-vjeçari terrorizon gruan e martuar.

Faturat e avokatit. Si u zhdukën mijëra euro pa bërë asnjë punë?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Saranda e fëmijërisë sime, sot mes plumbave

Nga mësuese filloreje në drejtoreshë gjimnazi. Historia që na vjen nga Ishmi i Durrësit.

Rilindësit me plagjiaturë / Piranjat kapin ish-ministren e Arsimit. Si do të justifikohet ajo?

Prania besnike, një strategji djallëzore për të eliminuar praktikat institucionale.

Fshije videon! Mos shkatërro një jetë.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 2

Nga burgu në arrest shtëpie: Eduard Limaj rikthehet te përndjekja e grave!

Haris Vongli: Dua të kthehem në Shqipëri për Davidin, tim bir.

Fyerje ndaj nxënësve, ngacmime e shkelje rregulloreje: Kush është nëndrejtori problematik?

Institucionet në shërbim të krimit: Pse hesht kryeministri për skandalet?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Porti i Durrësit po mbyllet, investimet në infrastrukturë vazhdojnë. Cili është justifikimi i APD?