Pamje apokaliptike/ Zjarri i madh shkrumbon Krujën, evakuuohen dhjetëra familje

Pamje të rënda janë regjistruar gjatë natës në Krujë, ku një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu zonën dhe u afrua rrezikshëm pranë banesave, bizneseve dhe institucioneve. Flakët, të favorizuara nga era dhe terreni i vështirë, u përhapën me shpejtësi duke djegur banesa, kapanone dhe biznese.
Situata më kritike u raportua në zonat e Barabit dhe Llubanit, ku flakët zbritën drejt banesave. Zjarri hyri në oborre shtëpish, iu afrua magazinave dhe për një moment rrezikoi edhe një pikë të shpërndarjes së gazit.
Përballë përparimit të flakëve, autoritetet urdhëruan evakuimin e banorëve. Dhjetëra familje u detyruan të largoheshin nga banesat, ndërsa në total qindra qytetarë u evakuuan nga zonat e rrezikuara. Disa banorë refuzuan të largoheshin, por për shkak të rrezikut të drejtpërdrejtë për jetën, autoritetet ndërhynë për t’i nxjerrë nga banesat.
Flakët iu afruan spitalit, evakuohen pacientët
Situata u bë kritike edhe pranë Spitalit të Krujës. Flakët iu afruan rreth 50 metra godinës, duke detyruar autoritetet të ndërmerrnin masa për evakuimin e pacientëve.
Gjatë natës, pacientët u nxorën nga spitali dhe u transportuan drejt Tiranës, si masë sigurie për shkak të rrezikut nga zjarri dhe tymi. Deri në këto momente nuk raportohet për persona të lënduar si pasojë e flakëve.
Zjarri iu afrua gjithashtu disa ambienteve magazinuese dhe një pike të shpërndarjes së gazit, duke rritur shqetësimin për përhapjen e mëtejshme të flakëve. Forcat zjarrfikëse ndërhynë në terren për të izoluar vatrat dhe për të mbrojtur zonat e banuara.
Për disa orë, forcat zjarrfikëse, efektivët e Forcave të Armatosura dhe strukturat e emergjencave civile u angazhuan në terren për përballimin e situatës.
Ndërhyrja u vështirësua nga terreni i thyer dhe era, e cila favorizoi përhapjen e shpejtë të flakëve. Për shkak të situatës së krijuar, në pesë lagje u ndërpre energjia elektrike, ndërsa strukturat vendore u angazhuan për sistemimin dhe strehimin e banorëve të evakuuar.
Në orët e para të mëngjesit, situata nisi të përmirësohej. Zjarri u vu nën kontroll në pjesën më të madhe të territorit dhe nuk raportohej më rrezik i drejtpërdrejtë për banesat. Megjithatë, dy vatra vijuan të mbeten aktive, në zonat e Barabit dhe Abazës, ndaj operacioni për shuarjen e plotë të tyre vijoi edhe gjatë ditës.
Arrestohet 73-vjeçari, dyshohet se ndezi zjarrin
Në lidhje me zjarrin, Policia ka arrestuar në flagrancë 73-vjeçarin Qemal Berhami.
Sipas policisë, Berhami dyshohet se kishte ndezur barishte pranë banesës së tij, por flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe janë përhapur me shpejtësi, duke vënë në rrezik banesat dhe zonat përreth.
Ndaj tij janë kryer veprimet procedurale përkatëse, ndërsa hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe pasojat e shkaktuara nga zjarri.
Pas një nate të gjatë përballë flakëve, situata në Krujë vijon të jetë e pasigurt, për shkak të disa vatrave të zjarrit që janë ende aktive.
Banorët e evakuuar nuk janë kthyer ende në të gjitha banesat, ndërsa strukturat përgjegjëse po vlerësojnë situatën dhe dëmet e shkaktuara.
Lexo edhe
AKTUALITET
Të paktën 600 euro/muaj; Shtëpitë me qira bëhen “mollë e ndaluar” për shqiptarët

Sherr i madh për pronat në Vorë, dy vëllezërit bëjnë për spital motrën

RENEA arreston autorin e vrasjes së 20-vjeçarit në Korçë

Flakë "ferri" në Krujë, Bashkia jep urdhër evakuimi për banorët e Barabit dhe Llubanit

FOTO/ Flakët e mëdha përpijnë masive me pyje prej disa orësh në Krujë. Policia zbulon si nisi vatra e zjarrit





