Paradoksi shqiptar: Shqipëria e Inteligjencës Artificiale, por koncerti i Kanye West pranon vetëm pagesa cash

Vetëm pak ditë para koncertit të shumëpërfolur të Ye (Kanye West) në Tiranë, organizatorët kanë publikuar një njoftim që ka tërhequr menjëherë vëmendjen.
Piranjat News mëson se në ambientet e koncertit do të pranohen vetëm pagesa cash, ndërsa kartat bankare nuk do të pranohen.
Po ashtu, bëhet e ditur se nuk do të ketë as bankomate (ATM) në stadium, ndaj të gjithë pjesëmarrësit këshillohen të sigurojnë para në dorë përpara se të mbërrijnë.
Ky vendim ngre pikëpyetje, sidomos duke pasur parasysh shkallën ndërkombëtare të eventit. Sipas deklarimeve publike të kryeministrit Edi Rama, bileta për koncertin janë prerë nga qytetarë të rreth 80 shteteve, ndërsa pritet një pjesëmarrje masive në stadiumin e përkohshëm me kapacitet deri në 60 mijë vende, raporton Piranjat News.
Në shumicën e vendeve nga ku pritet të vijnë vizitorët, pagesat me kartë, telefon apo portofolë digjitalë janë bërë rutinë, ndërsa përdorimi i parasë fizike është gjithnjë e më i kufizuar. Sipas Piranjat News, për shumë turistë, mbajtja e shumave të mëdha cash nuk është më praktikë e zakonshme.
Paradoksi bëhet edhe më i fortë kur Shqipëria promovon prej kohësh digjitalizimin e shërbimeve publike dhe është ndër vendet që ka krijuar edhe një portofol qeveritar të dedikuar për Inteligjencën Artificiale dhe transformimin digjital, raporton Piranjat News.
Megjithatë, një nga eventet më të mëdha ndërkombëtare të organizuara në vend u kërkon dhjetëra mijëra vizitorëve të përdorin një metodë pagese që në shumë vende po zëvendësohet gjithnjë e më shumë nga alternativat elektronike.
Njoftimi i organizatorëve specifikon qartë se kartat bankare nuk do të pranohen, pagesat do të kryhen vetëm në lekë ose euro cash, ndërsa në zonën e koncertit nuk do të ketë mundësi për tërheqje parash nga ATM-të.
Ironia është se koncerti premton një spektakël me një skenë moderne ku në qendër do të jetë një glob gjigant dixhital, me efekte të teknologjisë së fundit dhe një produksion që synon standardet ndërkombëtare, raporton Piranjat News. Por, sapo të vijë momenti për të blerë një ujë apo një pije, vizitorët do të duhet të nxjerrin para në dorë.
Një kontrast që shumëkush e sheh si simbolik: ndërsa Shqipëria flet për Inteligjencë Artificiale dhe transformim digjital, në një nga eventet më të mëdha të organizuara ndonjëherë në vend, gjithçka përfundon atje ku ka më shumë dëshirë kryeministri Rama, te pagesa cash./Piranjat News
Lexo edhe
AKTUALITET
Bariu i aksidentuar niset me helikopter drejt Traumës

SKANDAL/ Rama nuk lejon deputetët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut të futen në Shqipëri

Vrau dy basketbollistët e Skënderbeut, Damiano Toshi i shpëton burgut përjetë

Zjarr në kodrën e Kuzum Babasë në Vlorë, rrezikohen banesat

EMRI/ U rrëzua teksa kulloste bagëtitë në mal, bariu transportohet me helikopter drejt Traumës





