Pasuria që helmon vendin/ Beralb me 15 milionë euro fitime nga bakri shqiptar, por pas minierave mbeten lumenj të ndotur dhe fshatra në alarm

Milionat nga bakri shtohen, por në Fushë-Arrëz banorët vijojnë të përballen me pasojat e një ndotjeje që sipas tyre ka ndryshuar jetën e komunitetit.
Kompania “Beralb”, koncesionari i disa prej minierave më të mëdha të bakrit në vend, ka regjistruar fitime rekord, ndërsa lumi Fan vijon të jetë në qendër të alarmit mjedisor.
Rritja e çmimit të bakrit në tregjet ndërkombëtare ka sjellë një vit rekord financiar për kompaninë “Beralb”. Sipas bilancit të depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kompania ka raportuar rreth 1.4 miliardë lekë fitim neto, ose afërsisht 15 milionë euro.
Të ardhurat nga shitja e bakrit shqiptar janë rritur ndjeshëm, ndërsa kompania ka vendosur të shpërndajë miliona euro si divident për pronarin e saj jashtë vendit.
Por në anën tjetër të kësaj historie janë banorët e Fushë-Arrëzit, të cilët prej vitesh ngrenë shqetësimin për ndotjen që sipas tyre lidhet me aktivitetin e pasurimit të bakrit.
Piranjat e ka trajtuar më herët këtë çështje përmes disa investigimeve në terren, ku u evidentua gjendja e lumit Fan pas shkarkimeve nga aktiviteti minerar. Në zonën ku përroi i Micojit bashkohet me Fanin e Vogël, ujërat shfaqeshin me ngjyrë të ndryshuar, ndërsa banorët deklaronin se tokat bujqësore nuk mund të përdoren më si më parë.
Investigimi i Piranjave solli në vëmendje edhe faktin se ndotja nuk mbetet vetëm në një pikë të vetme. Ujërat e Fanit të Vogël bashkohen me lumin Fan dhe më pas me lumin Mat, duke shtrirë ndikimin përgjatë një rrjedhe prej dhjetëra kilometrash drejt detit Adriatik.
Kontrollet e institucioneve kanë ngritur gjithashtu pikëpyetje për mënyrën e menaxhimit të aktivitetit.
Sipas të dhënave të bëra publike nga Piranjat, IKMT ka konstatuar shkelje dhe ka vendosur një gjobë prej 100 milionë lekësh të vjetra, ndërsa janë ngritur shqetësime për mungesën e lejeve për përdorimin e burimeve ujore, menaxhimin e mbetjeve dhe trajtimin e ujërave teknologjike.
Banorët e zonës kanë denoncuar se lumi, dikur burim jetese për familjet, sot nuk përdoret më për vaditje, ndërsa fermerët thonë se toka e tyre është dëmtuar nga ndotja.
Një nga momentet më të forta të investigimit të Piranjave ishte ndryshimi i pamjes së lumit: nga një rrjedhë natyrore në një ujë me ngjyrime të pazakonta, ku ekspertë të intervistuar ngritën shqetësime për praninë e metaleve të rënda dhe pasojat afatgjata në mjedis.
Ndërkohë, kompania “Beralb” vijon aktivitetin e saj në disa prej zonave më të pasura me bakër në Shqipëri, përfshirë Munellën, Lakroshin, Karmën dhe uzinën e pasurimit në Fushë-Arrëz.
Njëra anë e historisë numëron miliona euro fitime nga pasuria nëntokësore. Ana tjetër numëron lumenj të ndotur, toka të humbura dhe banorë që kërkojnë përgjigje: kush paguan koston e bakrit shqiptar?/Piranjat News
Lexo edhe
AKTUALITET
35 vite nga eksodi i madh/ 20 mijë shqiptarë zbarkuan në Bari, kujtimi historik me Kledi Kadiun

Zaptimi i hapësirës publike në Spille, procedohen dy persona

“Katër javë pa analiza”/ Qytetarja nga Shkodra ngre shqetësimin: Laboratori shtetëror i mbyllur deri më 1 shtator

Punëdhënësit shqiptarë mund të detyrohen të publikojnë pagat

Nga sot nis zbatimi i ndryshimeve në Kodin Rrugor, kujdes celularët dhe përdorimin e alkoolit





