AKTUALITET

Ping-Pong gjykatash me dosjen e Aeroportit të Vlorës. Si shfrytëzohen manovrat procedurale për të vijuar punimet

Piranjat Përditësimi i fundit 15 December 2025, 20:53

Ping-Pong gjykatash me dosjen e Aeroportit të Vlorës. Si

Për më shumë se tre vjet, gjykatat shqiptare me në krye Gjykatën e Lartë mbajnë peng procesin e hetimit gjyqësor në lidhje me ndërtimin e aeroportit të Vlorës.

Përveçse një projekt i ndërtuar në zonën e mbrojtur Vjosë–Nartë, duke ngritur shqetësime serioze të mëdha për mjedisin, janë edhe gjykatat ato të cilat po luajnë “ping-pong procedural”, pa marrë ende në shqyrtim në themel çështjen.

Çështja gjyqësore që lidhet me pavlefshmërinë e kontratës administrative për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, shfuqizimin e Deklaratës Mjedisore nr. 55/2021 dhe vendimit nr. 04/2021 të KKT, ka kaluar prej vitesh në një cikël të vazhdueshëm shqyrtimesh proceduriale, pa u futur ende në gjykim në themel.

Që kur organizatat mjedisore, në mars të vitit 2023, paditën institucionet qeverisëse mbi shkeljet ligjore të konstatuara në procedurat që i hapën rrugë ndërtimit të aeroportit, procesi vazhdon të vonohet për shkak të manovrave proceduriale të gjykatave.

Së fundmi, pas mbi dy vjetësh pritje, më në fund Gjykata e Lartë zbardhi vendimin e marrë nga ajo në mars 2023, me të cilin riktheu procesin në pikën zero, vendosi rikthimin e çështjes për rigjykim në Apel, një vendim ky që sipas ekspertëve, thjesht zgjat procesin, i cili deri më tani është fokusuar vetëm tek legjitimiteti i palëve, afati i padisë dhe jo në hetimin gjyqësor në themel të çështjes.

Ping-Pong gjykatash me dosjen e Aeroportit të Vlorës. Si

Më 25 nëntor 2022, Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror dhe Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë depozituan një padi kundër kontratës koncesionare dhe lejeve për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.

Me një dosje të mbushur me mbi 100 faqe dhe 1,400 dokumente mbështetëse, paditësit argumentuan se aeroporti shkelte ligjin për mbrojtjen e zonave të mbrojtura dhe rrezikonte zonën e mbrojtur Vjosë–Nartë. Për paditësit, ishte më shumë se një betejë ligjore, ishte një përpjekje për të mbrojtur një nga ekosistemet më të çmuara të vendit.

Paditësit argumentojnë se aeroporti shkel ligjin për mbrojtjen e zonave të mbrojtura, duke rrezikuar florën dhe faunën e lagunës së Nartës, dhe se procesi i dhënies së lejeve ka pasur mangësi serioze procedurale. Ata theksojnë se shoqatat janë legjitime për të ngritur këtë padi pasi mbrojnë interesin publik dhe kanë të drejtë të sfidojnë institucionet përgjegjëse, duke përfshirë Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrinë e Mjedisit, Agjencinë Kombëtare të Mjedisit dhe Këshillin Kombëtar të Territorit.

Nga ana tjetër, institucionet shtetërore dhe Avokatura e Shtetit argumentojnë se shoqatat nuk kanë legjitimitet për të paditur për aktet normative, se dëmi duhet të provohet në mënyrë konkrete dhe se kontrata për ndërtimin e aeroportit është miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Gjykata e Lartë, megjithëse ka njohur legjitimitetin e paditësve, ka refuzuar kërkesat për ndalim të ndërtimit dhe operimit, duke lejuar që punimet të vazhdojnë.

Në një seancë që zgjati vetëm shtatë minuta, Gjykata e Tiranës rrëzoi padinë më 2 dhjetor 2022, duke argumentuar se palët paditëse nuk kishin legjitimitet dhe se padia ishte depozituar jashtë afatit. Vendimi u konsiderua nga paditësit si një pengesë e parë në një rrugë të gjatë dhe të komplikuar ligjore.

Vendimi u apelua nga mjedisorët. Më 22 qershor 2023, Gjykata Administrative e Apelit rrëzoi vendimin e Shkallës së Parë, duke identifikuar shkelje procedurale dhe duke urdhëruar rigjykim nga një panel gjyqtarësh i ri. Të pandehurit depozituan ankim në Gjykatën e Lartë më 23 tetor 2023, duke kërkuar rivendosjen e vendimit të Shkallës së Parë.

Pas seancave në shkurt dhe mars 2024, Gjykata e Lartë referoi rastin përsëri në Gjykatën e Apelit.

Edhe pse legjitimiteti i palëve ishte trajtuar më herët në kuadër të vendimeve për sigurimin e padisë, Gjykata e Lartë, me vendimin nr. 00-2024-5494, prishi vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit dhe e ktheu çështjen për rishqyrtim, duke hapur sërish diskutimin mbi çështje që konsideroheshin të konsoliduara.

Manovrat proceduriale

Ping-Pong gjykatash me dosjen e Aeroportit të Vlorës. Si

Ndërkohë, kërkesat për ndalim të punimeve dhe operimit të aeroportit u refuzuan, duke lejuar që koncesionari të përparojë si të mos ekzistonte ndonjë pengesë ligjore.

Në vendimin e saj, Gjykata e Lartë parashtronte pyetje shtesë për Apelin, të cilat, sipas ekspertëve, vonuan sërish shqyrtimin e çështjes.

Vendimi i Gjykatës së Lartë u zbardh në prill 2025, pas një viti nga seanca e marsit 2024, vetëm pas ankimimeve të bëra nga mjedisorët për shkelje të afateve kushtetuese, duke argumentuar shkelje të të drejtës për një gjyq të drejtë dhe mosrespektim të standardeve ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit.

Gjykata e Lartë vlerësoi se Apeli nuk i kishte sqaruar siç duhet disa aspekte të procedurës. Ajo i kërkoi Apelit të korrigjonte këto mangësi procedurale, ndërkohë që shqyrtimi i vetë thelbit të çështjes ende nuk ka nisur.

Kjo ndërhyrje e papritur dhe e paarsyeshme e Gjykatës së Lartë e shtyu me mbi dy vjet të tjera procesin gjyqësor për ligjshmërinë e aeroportit.

Megjithatë, vendimi për të shtjelluar pyetje shtesë konsiderohet i panevojshëm dhe ka zgjatur procesin. Për më tepër, vendimi i Gjykatës së Lartë u zbardh vetëm në prill 2025, një vit pas seancës së marsit 2024, pas ankimimeve të palëve për çështje procedure kushtetuese.

Lidhur me vonesat, kronologjia e çështjes tregon qartë se vonesat e Gjykatës së Lartë nuk kanë qenë thjesht teknike, por funksionale. Vendimi i marsit 2024, me të cilin gjykata ktheu çështjen për rigjykim në Apel duke hapur diskutime të panevojshme mbi legjitimimin e paditësve, mbeti i pazbardhur për më shumë se një vit, duke e bllokuar procesin dhe duke e mbajtur dosjen praktikisht jashtë çdo gjykimi substancial.

Por menjëherë sapo paditësit depozituan kërkesën për sigurim padie, një kërkesë që duhej shqyrtuar nga gjykata që kishte dosjen në dorë, metadatat e sistemit gjyqësor tregojnë se Gjykata e Lartë arsyetoi dhe e zbardhi vendimin dhe e përcolli dosjen në Gjykatën e Apelit brenda 24 orëve. Pra, dosja që nuk lëvizi për më shumë se një vit, u “çlirua” brenda një dite vetëm për t’i shmangur shqyrtimit të kërkesës për sigurim padie. Ky fakt i dokumentuar rrëzon çdo ide se zvarritja ishte e rastësishme. Gjykata i ka përdorur vonesat dhe procedurat si mekanizma kontrolli mbi kohën dhe ritmin e procesit, duke shtyrë gjykimin real të themelit me vite të tëra.

“Rasti i Aeroportit të Vlorës është shembulli më i qartë i mënyrës se si drejtësia mjedisore mund të bllokohet përmes zvarritjes. Në vend që t’i hapte rrugë hetimit të një çështjeje me rëndësi të jashtëzakonshme publike, Gjykata e Lartë ka treguar mungesë vullneti për ta lënë çështjen të përballet me themelin e mosmarrëveshjes. Ajo është rrotulluar në probleme procedurale plotësisht të panevojshme dhe madje të paprecedenta, duke shtyrë procesin pa asnjë arsye ligjore të arsyetueshme.

Një nga shembujt më domethënës të këtij absurdi juridik është kërkesa që Gjykata e Apelit të hetojë përsëri legjitimimin e paditësve, ndërkohë që vetë Gjykata e Lartë i ka legjitimuar të njëjtët paditës më herët, kur shqyrtoi kërkesën për pezullimin e ndërtimit të aeroportit në zonën e mbrojtur. Ky është vetëm një nga disa arsyetime kontradiktore që tregojnë qartë se vendimmarrja nuk ka synuar zgjidhjen e çështjes, por shtyrjen e saj. Arsyetim që, në fakt, e ka mbajtur çështjen larg gjykimit për të paktën dy vite dhe, me ritmin që kjo gjykatë ka demonstruar, pritet ta mbajë ende të ngrirë për shumë kohë a vite të tjera, përpara se dosja të kthehet aty ku duhet, në gjykimin e shkallës së parë dhe të hetohet më në fund në themel. Ndërkohë ne mbetemi duke diskutuar të njëjtat formalitete, ‘e lagu, se lagu’, procedura të shmangshme që vetëm sa e vonojnë drejtësinë.

Në vend që të garantonte një gjykim efektiv dhe brenda një afati të arsyeshëm, gjykata krijoi një ping–pong procedural që në praktikë ka sabotuar kontrollin gjyqësor mbi ligjshmërinë e projekteve në zonat e mbrojtura. Procesi nuk është ndihmuar, është penguar. Dhe ky pengim ka pasoja reale për mjedisin, për të drejtën e publikut dhe për vetë besimin tek drejtësia.” thotë Av. Irena Dule, nga qendra Res Publica.

Çështja u kthye në Apel për të përcaktuar legjitimitetin e palëve dhe procedurat që duhen ndjekur.

Tre vite pas

Ping-Pong gjykatash me dosjen e Aeroportit të Vlorës. Si

Në fillim të nëntorit të 2025, Gjykata rishqyrtoi sërish çështjen e Aeroportit të Vlorës, duke marrë në konsideratë edhe çështjet e lëna si detyrë nga Gjykata e Lartë.

Gjatë seancës së fundit, pala paditëse argumentoi se ndërtimi i aeroportit bie ndesh me ligjet dhe konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e zonave të mbrojtura dhe se rreziku ndaj florës dhe faunës së lagunës së Nartës është i menjëhershëm dhe i pakthyeshëm. Pala paditura, përfaqësuar nga Ministria e Mjedisit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Avokatura e Shtetit, kundërshtoi, duke thënë se shoqatat nuk kanë legjitimitet për të paditur për aktet normative dhe se dëmi duhet të provohet me dokumente konkrete.

Pas dy seancave të gjata debati, Gjykata Administrative e Apelit vendosi për herë të dytë që çështja të shqyrtohet në themel, aty ku duhej të kishte nisur gjykimi që tre vjet më parë, në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë. Me këtë vendim, u ezaurua përfundimisht çështja e legjitimimit të paditësve dhe e afatit të padisë. Argumentet e palës paditëse, të paraqitura në mënyrë të qartë dhe të detajuar, u vlerësuan si të qëndrueshme nga trupi gjykues, i cili vendosi që procesi të vazhdojë mbi përmbajtjen e kërkesës, pa u penguar më nga teknikalitetet procedurale.

Megjithatë, pritet që “topi” të kthehet sërish në Gjykatën e Lartë, e cila më parë e kishte kthyer dosjen në Apel për pyetje procedurale, duke vonuar shqyrtimin e thelbit të çështjes. E njëjta gjykatë refuzon edhe pezullimin e ndërtimit dhe operimit të aeroportit, si kërkesa të veçanta të paditësve.

Në lidhje me çështjen gjyqësore për pavlefshmërinë e kontratës administrative dhe shfuqizimin e akteve që hapën rrugë ndërtimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, “shteg.org” i është drejtuar zyrtarisht Gjykatës së Lartë për koment mbi një sërë zhvillimesh proceduriale që kanë shoqëruar trajtimin e padisë.

Në kërkesën e saj për të drejtën e informimit, “shteg.org” ka ngritur pyetje mbi domosdoshmërinë e rikthimit të çështjes në Gjykatën Administrative të Apelit për të rivlerësuar legjitimitetin e palëve, pavarësisht se kjo çështje ishte trajtuar më herët në vendimet për sigurimin e padisë, si dhe mbi rrezikun që këto vendime të çojnë në shtyrje të shqyrtimit të çështjes në themel.

“Shteg.org” ka kërkuar gjithashtu sqarime mbi vonesën mbi një vit në zbardhjen e vendimit të Gjykatës së Lartë, ndikimin e manovrave proceduriale të mundshme nga palët e paditura dhe personi i tretë, si dhe mbi praktikat e rikthimit të përsëritur të çështjes ndërmjet shkallëve gjyqësore.

Deri në publikimin e këtij shkrimi, Gjykata e Lartë nuk ka dhënë asnjë përgjigje ndaj kërkesës për koment.

Nga ana tjetër, ekspertët paralajmërojnë se kjo “lojë ping-pong procedural” mund të vazhdojë, duke bllokuar qytetarët dhe organizatat mjedisore në një labirint burokratik dhe duke lejuar koncesionarin të avancojë me projektin sikur drejtësia të mos ekzistonte.

Projekti i Aeroportit të Vlorës u prezantua fillimisht si një premtim elektoral i kryeministrit Edi Rama gjatë fushatës gjashtë vite më parë. Fill pas kësaj qeveria shqiptare nënshkroi një kontratë ndërtimi me vlerë 104 milionë euro, e firmosur pak ditë përpara zgjedhjeve parlamentare të prillit, një veprim që opozita e quajti në kundërshtim me ligjin elektoral.

Projekti u fitua nga një konsorcium ndërkombëtar i përbërë nga: YDA Construction (Turqi), me lidhje të afërta me partinë e Erdoganit (AKP) Mabetex Group, në pronësi të biznesmenit kosovar Behgjet Pacolli, dhe 2A Group sh.p.k, në pronësi të Valon Ademit, ish-Konsull Nderi i Shqipërisë në Kosovë.

Një kompani britanike e skualifikuar nga tenderi ka ngritur një padi civile dhe një kallëzim penal në SPAK, duke akuzuar qeverinë për manipulim të tenderit dhe futje fiktive të një kompanie për të dhënë idenë e konkurrencës. Po ashtu, pretendohet se janë fabrikuar dokumente.

Projekti ka hasur rezistencë të fortë nga ambientalistët dhe organizatat mjedisore, të cilët thonë se aeroporti ndodhet pranë Lagunës Vjosë-Nartë, një nga zonat më të rëndësishme ekologjike në Mesdhe.

Ligatinat janë shtëpia e mbi 200 specieve të shpendëve, përfshirë pelikanin kaçurrel dhe flamingot.

Për t’i hapur rrugë projektit, autoritetet ndryshuan hartat e zonave të mbrojtura në mënyrë të dyshimtë, duke zhbërë mbrojtjen ligjore për 26.7% të ekosistemit bregdetar shqiptar. Këshilli Kombëtar i Territorit, i drejtuar nga Rama, miratoi ndryshimet.

Ndërtimi i aeroportit të Vlorës është kundërshtuar nga Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian, si dhe Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës. Raportet e viteve 2021–2024 të Komisionit theksojnë se projekti dëmton rëndë mjedisin dhe shkel konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e natyrës. Në shtator 2023, Konventa e Bernës kërkoi pezullimin e menjëhershëm të punimeve, një rekomandim i konfirmuar edhe në dhjetor 2023 dhe 2024./Shteg.org

 

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 6

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 6

Me buzëqeshje e revoltë: Gen Z po e dridh pushtetin e Ramës!

Pa numër identifikimi e me shpërblim në xhep: Policët fshihen nga kamera e Piranjave!

Krah për krah për humanizëm: Aktivistët shpëtojnë jetë e mjekojnë uniformat blu!

Studentët kanë të drejtë!

Arroganca e pushtetit përballë krizës: Studentët i thonë "JO" Edi Ramës!

Pedagogët braktisin auditoret e bashkohen me studentët: Ultimatumi për grevë urie!

Trupi i fëmijës është i shenjtë.

Shoqërime masive e presion në shesh: Ish-policët denoncojnë skandalin e uniformave blu!

"Po t'i thyhej këmba fëmijës tuaj?": Piranjat "gozhdojnë" deputetët!

20-vjeçari rrëfen tmerrin që ndodh pas atyre dyerve.

Hiqe atë gur nga dora!

Si parashikoi Rama 13 vite më parë atë që po bën sot?

Gen Z/ Zëri i revoltës që po dridh pushtetin.

Ju lutem kujdes me veprimet, mos e provokoni policinë! ????

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

3 vite pa licencë: Si u punësua psikologia në Vorë dhe kush mban përgjegjësi?

Flet i dyshuari i Masakrës së Beratit: Çfarë zbulon Kudret Zhuka?

Ne jemi me ju, gjatë gjithë vitit!

Zëri ynë për çdo grua që lufton sot!

Konflikti familjar në Klos që përfundoi në dhunë: Çfarë ndodhi mes Fluturës dhe të afërmve?

Kalvari i Anxhelës: Si u kthye një histori dashurie në një makth të vërtetë?

"Doktor Shkencash": Çfarë fshihet pas titullit akademik të Ulsi Manjës?

Unë e njoh atë djalin e shtrirë përtokë.

4 ditë revolte, gjenerata e re flet ndryshe.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 4

Vendimi që ngre dyshime: Çfarë e detyroi gjyqtaren e Shkodrës të vendosë për 42-vjeçarin?

Nga t*rturat te ekzekutimi barbar: Masakra e ’97-ës që nuk u zbardh kurrë.

I pastrehu kërkon ndihmë, Bashkia e Korçës i “ofron” një rrenoje.

Paguaj që të punosh: Zbërthehet skema e mashtrimit me "punën nga shtëpia"

Skandali me tunelin e Skërficës: Pas dështimit 23-milionësh, ARRSH thërret policinë për "Piranjat"

Ermal Pashaj: "Jam këtu kundër mediokërve, kriminelëve dhe dështimit 13-vjeçar të kësaj politike"

Manastirliu, kandidatja për Bashkinë e Tiranës, plagjiatura e radhës.

Patronazhistët e Ogerta Manastirliut gjatë Pranisë Besnike

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 3

Shantazh në emër të dashurisë, 40-vjeçari terrorizon gruan e martuar.

Faturat e avokatit. Si u zhdukën mijëra euro pa bërë asnjë punë?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Saranda e fëmijërisë sime, sot mes plumbave

Nga mësuese filloreje në drejtoreshë gjimnazi. Historia që na vjen nga Ishmi i Durrësit.

Rilindësit me plagjiaturë / Piranjat kapin ish-ministren e Arsimit. Si do të justifikohet ajo?

Prania besnike, një strategji djallëzore për të eliminuar praktikat institucionale.

Fshije videon! Mos shkatërro një jetë.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 2

Nga burgu në arrest shtëpie: Eduard Limaj rikthehet te përndjekja e grave!

Haris Vongli: Dua të kthehem në Shqipëri për Davidin, tim bir.

Fyerje ndaj nxënësve, ngacmime e shkelje rregulloreje: Kush është nëndrejtori problematik?

Institucionet në shërbim të krimit: Pse hesht kryeministri për skandalet?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Porti i Durrësit po mbyllet, investimet në infrastrukturë vazhdojnë. Cili është justifikimi i APD?