Editorial Emisione Investigime Aktualitet Sociale Politikë Kosova Bota Showbiz Lifestyle Sport
TË FUNDIT
EMRI/ Ra në kontakt me rrymën elektrike, humb jetën elektriçisti në Vlorë Ardit Gjebrea në SPAK për dosjen Veliaj. Përfitoi rreth 330 mijë euro nga Bashkia e Tiranës për Këngën Magj... Manchester United kërkon trajnerin e ri, nis kontaktet me Didier Deschamps PD çon në Kushtetuese ‘paketën antidhunë’ të protestave Manchester United kërkon trajnerin e ri, nis kontaktet me Didier Deschamps Dy futbollistë me pasaportë shqiptare jashtë listës së Maranit, zbardhen arsyet Dosja e bujshme e prostit*cionit në Paris/ Kush është ‘tutorja’ shqiptare që kërkon lirimin nga burgu Aksident i rëndë në Francë, autobusi me fëmijë përplaset me pemën, dy persona pësojnë arrest kardiak, disa ... Mesazhi i Zelensky-t për SHBA-në dhe Rusinë: Na jepni një armëpushim dimëror për të mbajtur zgjedhjet! Vijon zbatimi i urdhrit të Ramës, policia gjobit 12 protestues të tjerë Polonia paralajmëron aleatët: Mos negocioni me Rusinë duke anashkaluar Europën Lindore Gjykata amerikane pezullon për 14 ditë ndërtimin e harkut triumfal të propozuar nga Trump në Uashington
AKTUALITET

Prokuroria e Vlorës nis hetimet për punime të paligjshme në Zvërnec

P
Piranjat 3 August 2026, 16:27 · 5 min lexim
Prokuroria e Vlorës nis hetimet për punime të paligjshme në

Tre muaj pasi makineritë e rënda ndërhynë në zonën e mbrojtur Pishë Poro- Nartë për t’i hapur rrugën një kantieri për ndërtimin e resortit luksoz të lidhur me dhëndrin e presidentit amerikan, Prokuroria e Vlorës njofton se ka nisur hetime për 4 akuza.

Në përgjigje të një kërkese për informacion nga BIRN, Prokuroria e Vlorës thotë se ka regjistruar procedimin penal me nr. 772.

“Ju bëjmë me dije se Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, ka regjistruar procedimin penal nr. 772 të vitit 2026, për veprën penale të ‘Ndërtimi i paligjshëm’, ‘Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore’, ‘Prerja e paligjshme e pyjeve’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës,” thuhet në përgjigje.

Por pavarësisht se kanë kaluar 3 muaj nga ndërhyrja, prokuroria bëri të ditur se nuk ka ende persona nën hetim për akuzat. “Ky procedim është në hetim dhe në regjistrin e veprave penale nuk ka të regjistruar emër të personi nën hetim,” deklaroi Prokuroria.

Ky është hetimi i dytë i lidhur me projektin. Më 10 qershor, Gjykata e Posaçme vendosi sekuestro mbi transaksionet me vlerë 128 milionë euro për shit-blerjen e tokës në zonë me kërkesë të SPAK. Prokuroria dyshon për pastrim parash, ndërsa ka lëshuar urdhër arresti për Artur Shehun, i cili dyshohet edhe se ka tjetërsuar pronësinë në tokën ku zhvillohet projekti përmes dokumenteve të falsifikuara. Shehu dhe 19 të tjerë po hetohen mbi atë që u njoh gjerësisht si “Korporata Aruba”.

Punimet në zonën e mbrojtur u dokumentuan fillimisht nga aktivistët mjedisorë në fund të prillit, duke shkaktuar më vonë një nga lëvizjet më të mëdha anti-qeveritare në vend që prej viteve ’90, e njohur si “Revolucioni i Flamingove”.

BIRN gjeti atëherë se punimet, kryesisht shtrim rrugësh brenda zonës së mbrojtur, një rrethim me tela me gjemba dhe sheshimi i territorit për ndërtimin e një kampi punëtorësh, u bazuan në një letërkëmbim mes kompanisë “Zvërnec South Adriatic Development” dhe Agjencisë së Zhvillimit të Territorit.

Sipas dokumentit, kompania njoftohej se Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit i kishte dhënë më 29 prill 2026 një leje për punime kantieri, por bëhej gjithashtu me dije se leja ende nuk ishte firmosur dhe pritej plotësimi i kushteve të vendimit.

Ndërhyrja alarmoi menjëherë organizatat mjedisore, PPNEA dhe AOS, të cilat e denoncuan zhvillimin si një shkatërrim të jashtëligjshëm të habitateve prioritare të Bashkimit Europian dhe monumenteve të natyrës. Organizatat e mjedisit kanë akuzuar se nën petkun e “punimeve përgatitore”, u ngrit rrethimi me tela me gjemba dhe ekskavatorët hapën mbi 7.4 kilometra rrugë të reja, sheshuan pjesë të pyllit dhe ndërtuan ura betoni mbi kanalet jetike që lidhin lagunën me detin. Sipas ekspertëve, kjo ndërhyrje ka krijuar një dëm të pariparueshëm duke e fragmentuar fizikisht territorin përpara se të kryhen procedurat e detyrueshme ligjore dhe pa një studim mjedisor.

Qeveria përfshi kryeministrin Edi Rama i mbrojti fillimisht punimet duke i referuar ato si zhvillime në tokë private dhe punime përgatitore. Përkundër këtyre pretendimeve fillestare muaj pasi punimet u ndaluan, në përpjekje për të mbrojtur ndërhyrjen, Rama tha në një intervistë për median britanike Channel 4 se rruga mespërmes zonës së mbrojtur u bë për të ndihmuar komunitetin.

Zhvillimet në këtë zonë dhe dhunimi i një banori protestues shërbyen si shkëndijë për një prej protestave më të gjata kundër qeverisë në vend. Prej më shumë se dy muajsh, qindra e mijëra shqiptarë kanë dalë në rrugët e Tiranës apo edhe në diasporë për të kërkuar ndalimin e projektit, anulimin e ligjeve kontroverse që e mundësojnë atë dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Projekti masiv “Zvërnec Peninsula” i bërë publik në vitin 2024 nga Kushner, po zhvillohet nga shoqëria “Zvërnec South Adriatic Development” sh.p.k., e cila është e regjistruar në Katar ashtu si kompania simotër Albania Land Development që u fut në proces të blerjes së tokës. Të dy kompanitë zotërohen në fund nga tre kompani, Assets Real Estate Ventures LLC, e regjistruar në Katar me përfitues fundorë vëllezërit miliarderë Moutaz Al-Khayyat dhe Ramez Al-Khayyat, Global Travel Retails SA e regjistruar në Luksemburg, me pronësi të panjohur dhe JAMCO Global LLC e regjistruar në Delaware, gjithashtu me pronësi të panjohur.

SHPËRNDAJE

Lexo edhe

AKTUALITET

Me rëndësi

Ndiqni Piranjat kudo.

Investigime, denoncime dhe satirë — zëri që nuk hesht.