“Redcloud”/ Kompania e lidhur me Arbër Veliaj mori 4.3 milionë euro për biletat e Kanye West

Paraditen e 7 Korrikut 2026, Ministria e Kulturës transferoi në mënyrë urgjente 400 milionë lekë (4.3 milionë euro) në llogaritë e kompanisë “Redcloud”, e angazhuar për organizimin e koncertit të reper-it amerikan, Kanye West.
Vetëm një ditë më parë, në 6 Korrik, Këshilli i Ministrave kishte miratuar një Akt Normativ me fuqinë e ligjit, me shpejtësi, për të kaluar shumën e paracaktuar për Fondin e Emergjencave në funksion të mbarëvajtjes së spektaklit të shumë-debatuar.
Kryeministri Edi Rama deklaroi në një dalje publike se fondi qeveritar ishte planifikuar të shpenzohej për koncertin, me qëllim që “Shqipëria të mos turpërohej para turistëve të huaj”.
Më herët, në Prill 2026, kur Rama tregoi për herë të parë se Kanye West kishte planifikuar koncert në Shqipëri, në mes të korrikut, ai theksoi se qeveria nuk do të shpenzonte asnjë monedhë për aktivitetin.
Kryeministri deklaroi për herë të parë se qeveria do të shpenzonte 400 milionë lekë, të cilat ishin të destinuara për blerje biletash. Vendimi kontrovers u ekzekutua menjëherë.
“Redcloud” në dosjen e Veliaj
Kompania përfituese është krijuar në vitin 2011. Ajo zotërohet prej vitit 2021 nga Klodian Makashi.
Në pranverën e vitit 2024, Prokuroria e Posaçme (SPAK) nisi hetimet për kryetarin në detyrë të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në shkurt të vitit 2025, veprimet proceduriale shënuan një moment kulminant, me arrestimin e Veliajt. Ai tashmë është në gjykim për “korrupsion pasiv” të 9 raste, “fshehje pasurie” dhe “pastrim parash”.
Në një dosje të veçuar, prokurorët e SPAK-ut po kryejnë verifikime mbi rolin Arbër Veliajt, vëllait të kryebashkiakut të Tiranës, në një skemë të dyshuar pastrimi parash.
Djali i vogël i familjes Veliaj zotëron prej vitesh kompaninë “Gogel”, e angazhuar në organizimin e eventeve kulturore e artistike. Prokurorët kanë krijuar një bazë të dhënash, nga ku rezulton se kompani të ndryshme private, të cilat kanë përfituar tendera nga Bashkia e Tiranës, njëkohësisht rezultojnë si kontraktore të “Gogel” të Arbër Veliaj.
Mes shumë dokumentave, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) rezulton se kanë sekuestruar edhe një kontratë të nënshkruar ndërmjet “Gogel” shpk të Arbër Veliajt dhe “Redcloud” të Klodian Makashit.
Në proces-verbalin e sekuestrimeve, BKH-ja ka shënuar: “Sekuestrim ‘Business Cooperation Agreement, date July 2024’, në gjuhën angleze, lidhur ndërmjet Gogel Shpk dhe RedCloud Shpk, fletë 4 (katër)”.
Arbër Veliaj e kundërshtoi vendimin për kontrollin e zyrës së tij. Por, Gjykata e Apelit të Posaçëm i rrëzoi pretendimet e tij në qershor të këtij viti, duke mbajtur të sekuestruara të gjithë dokumentacionin e marrë në zyrat e “Gogel”, përfshirë edhe kontratën me “Redcloud”.
Për momentin, nuk ka asnjë të dhënë publike që të dëshmojë se kompania e Klodian Makashit është pjesë e hetimit të Prokurorisë së Posaçme.
Nga të dhënat në portalin informativ “spending.data”, rezulton se kompania ‘Redcloud” ka përfituar rreth 37 milionë lekë të reja nga bashkia e Tiranës, nën drejtimin e kryetarit tashmë të arrestuar, Erion Veliaj./Bold News
Lexo edhe
AKTUALITET
U fut për tu larë në lum, mbytet 15-vjeçari në Berat

Pamje nga vendi ku u qëllua për vdekje 50-vjeçari në Vorë, autori dyshohet se u largua me një automjet

Shpopullimi i vendit zbraz shkollat, mbi 113 mijë nxënës më pak në një dekadë

Dhunuan brutalisht shoqen e tyre! Dalin para Gjykatës së Fierit tre vajzat për verifikimin e masave të sigurisë

Ekzekutimi i Edmond Sulës, 50-vjeçari merrej me shit-blerje pronash! Autori e qëlloi me pushkë me dylbi





