Aty ku nisi gjithçka/ Influencerë dhe figura publike vizitojnë Zvërnecin pas një muaji protestash

Fiks një muaj më parë, Zvërneci u kthye në simbol të përplasjes mes qytetarëve dhe autoriteteve. Pamjet e një banori të zonës që u tërhoq zvarrë nga forcat e policisë gjatë protestës kundër rrethimit të territorit për projektin e resortit bënë jehonë në mbarë vendin, duke nxitur reagime të forta dhe duke e kthyer kauzën në një nga çështjet më të diskutuara të javëve të fundit.
Ajo ngjarje shënoi fillimin e një serie protestash të përditshme, ku banorë, aktivistë dhe qytetarë nga qytete të ndryshme u bashkuan në mbrojtje të Zvërnecit, duke kërkuar ndalimin e punimeve dhe ruajtjen e një prej zonave më të veçanta natyrore të vendit.
Presioni i vazhdueshëm publik solli edhe zhvillimin më të rëndësishëm të kësaj beteje: punimet u ndalën, duke u konsideruar si një fitore e parë e rezistencës qytetare.
Pikërisht një muaj pas atyre pamjeve që tronditën opinionin publik, një grup figurash të njohura të rrjeteve sociale dhe të jetës publike, të cilët që në ditët e para dolën hapur në mbështetje të kauzës, vizituan dje Zvërnecin. Në këtë vizitë simbolike morën pjesë Fatma Haxhialiu, Denisa Demaj, Fjoralba Ponari, Paola Kolaj, Dojna Mema, Rei Fifo, Dea Mishel, Dea Vieri, Rizarta Hoxha, Zhaklin Lekatari dhe Vlashent Sata, të cilëve iu bashkua edhe Joni Vorpsi nga PPNEA. Të gjithë ata kanë qenë ndër zërat publikë që kanë mbështetur kauzën për mbrojtjen e Zvërnecit, ndërsa prania e tyre në terren, një muaj pas ngjarjeve që tronditën opinionin publik, u pa si një shenjë solidariteti me banorët dhe një mesazh se kjo betejë nuk mbaron me pezullimin e punimeve.
Ata zgjodhën të riktheheshin në vendin ku nisi përplasja, jo në kulmin e tensionit, por në momentin kur puna është pezulluar, për të treguar se kauza nuk përfundon me ndalimin e fadromave. Mesazhi i tyre ishte i qartë: mbështetja nuk ishte një reagim i momentit për rrjetet sociale, por një angazhim që vazhdon edhe pasi vëmendja mediatike është zbehur.
Vizita e tyre u interpretua nga shumë qytetarë si një shenjë solidariteti me banorët që për javë të tëra qëndruan në vijën e parë të protestës. Ajo riktheu në vëmendje sakrificat, përplasjet dhe vendosmërinë e atyre që refuzuan të dorëzoheshin përballë një projekti që, sipas tyre, cenon një pasuri natyrore me vlera të jashtëzakonshme.
Një muaj më vonë, Zvërneci mbetet më shumë se një protestë. Ai është kthyer në simbol të rezistencës qytetare, ndërsa vizita e influencerëve shërbeu si një kujtesë se betejat për mbrojtjen e natyrës nuk fitojnë vetëm në rrugë, por edhe duke mos lejuar që ato të harrohen./Piranjat News
Lexo edhe
AKTUALITET
Prokuroria e Vlorës i çon dosjen SPAK-ut për abuzimet me pronat në Orikum, Rradhimë dhe Dukat

Digjet banesa në Fushë-Arrëz, shpëton pa lëndime 80-vjeçari

Kanionet e Gjipesë/ Shpëtohen 4 turistët që ranë në greminë, njëri prej tyre me fraktura

Në shtet, privat, apo institucione ndërkombëtare? Punët që kishin pagat më të larta në 2025-n

Këmbimi valutor/ Me sa blihen e shiten dollari dhe euro, çfarë ndodh me monedhat e tjera





