“Rrëshqitja në rrugën Elbasan-Qafë Thanë ishte e paralajmëruar”/ Zbardhen rezultatet e raportit gjeologjik

Janë zbuluar detaje të reja nga raporti gjeologjik për rrugën “Elbasan-Qafë Thanë”, i cili u dëmtua papritur në 21 shkurt duke lënë në izolim qytetarët nga Prrenjasi deri në Leskovik, pasi nyja e vetme që i lidhte me pjesën tjetër të Shqipërisë “u dorëzua”.
Sipas të dhënave të bëra publike, konstatohet se rrëshqitja e rrugës ishte paralajmëruar, nga dy inxhinierët që përpiluan raportin gjeologjik, një dokument me 10 faqe i përgatitur nga kompanitë ‘Infrakonsult’ dhe ‘HMK Consulting’. Raporti mban firmën e inxhinierëve Ramazan Myrto dhe Aranit Kacdedja.
Në vitin 2021, Ramazan Myrto rezulton se ka punuar si inxhinier gjeolog për kompaninë ‘Fusha Shpk’, e cila siç do të tregojmë në vijim, ka përfituar një nga lotet e ndërtimit të Elbasan-Qafë Thanë, ndërsa Aranit Kacdedja, ka punuar si inxhinier për shoqërinë ‘Nord Comat’.
Në lidhje me raportin gjeologjik të përgatitur për llogari të shoqërisë ‘Infrakonsult’ të Redi Strugës, dy inxhinierët ndër të tjera, në faqen 5 të raportit, kanë bërë një paralajmërim për rrëshqitje që mund të vijnë për shkaqe jo krejt natyrore.
“Në këtë luginë, karakteristike janë format e relievit strukturoro-eroziv si ai i thepisjes e linjave të thyerjeve tektonike (të shprehura më mirë në krahun e majtë të luginës), terracat strukturore,
Në format më të përhapura të relievit lumor theksojmë disa nivele terracore me përhapje fragmentare, zallishtore me zhvillim jo uniform, konet e depozitimit dhe gropat e thella të tipit kanion.
Përhapje të madhe në këtë luginë kanë format e relievit erozivo-denudues.
Rrëshqitjet lidhen me përhapjen e argjilave, me shkëputjet tektonike, me burimet që dalin në kontaktin me mollaset, me rreshjet e shumta që bien në këtë luginë dhe me prishjen e ekuilibrit të shpatit nga erozioni anësor e në thellësi i Shkumbinit.
Gjithashtu mund të takohen rrëshqitje antropogjene nga ndërtimi i veprave inxhinierike”, thuhet në raport.
Mjaftueshëm e qartë fjalia e fundit, ku ndonëse shkurt, inxhinierët paralajmërojnë se ndërhyrjet e njeriut, për ndërtim veprash inxhinierike bëhen shkak për rrëshqitje në zonë.
Kjo e dhënë e dëshmuar në letrat zyrtare të tenderit të ndërtimit të këtij segmenti të rrugës, tregon se një nga faktorët që mund të ketë ndikuar në shembjen e rrugës ishte pikërisht punimet që po kryheshin nga kompania ‘ANK’ në zonën në fjalë.
Prej dy muajsh, Prokuroria e Elbasanit po kryen hetime për shembjen e rrugës, ndërsa deri më tani nuk ka asnjë konkluzion të hetimeve.
Ajo që dihet deri më tani është se prokuroria ka sekuestruar volume dokumentash, të tenderit të projektimit dhe ndërtimit të rrugës, ku pritet të zbardhen nëse janë zbatuar të gjitha kriteret teknike për ndërtimin e kësaj vepre jetike.
Ndërtimi i rrugës Elbasan-Qafë Thanë dyshohet se është duke u kryer pa u zbardhur leja e ndërtimit.
Nga kërkimet e gazetarëve tanë, rezulton se në Këshillin Kombëtar të Territorit, janë miratuar formalisht lejet e ndërtimit për 7 nga 8 lote ku kanë nisur punimet për ndërtimin e 27 kilometrave të aksit Elbasan-Qafë Thanë.
Leja e ndërtimit për Lotin 1 është miratuar në datën 8 mars 2023, apo katër muaj pasi ishte lidhur kontrata për nisjen e punimeve për ndërtimin e kësaj rruge.
Sipas të dhënave, ARRSH dhe kompania ‘Alb-Builidng’, kanë firmosur kontratë për nisjen e punimeve në 5 dhjetor 2022.
Madje, ‘Në Shënjestër’ zbulon se Belinda Balluku ka firmosur një pagesë prej 2.3 milionë eurosh për ‘Alb-Building’.
Ende pa u miratuar leja e ndërtimit. në total, për këtë lot ‘Alb-Builidng’ ka përfituar 25 mln euro pagesa nga thesari i shtetit, apo thënë ndryshe të gjitha pagesat e parashikuara në kontratë.
Por skandali më i madh, qëndron në faktin se në faqen zyrtare të Agjencisë për Zhvillimin e Territorit, ende nuk rezulton të jetë zbardhur leja e ndërtimit për Lotin 1, ndonëse ky segment ka mbaruar pothuajse i gjithi dhe aktualisht është funksional për automjetet.
Për Lotin 2 ‘Në Shënjestër’ nuk arriti të siguronte të dhëna nëse është miratuar leja e ndërtimit, ndërsa për Lotin 3 dhe 4 leja e ndërtimit është miratuar në datën 25 shtator 2024.
Edhe në këto dy raste, leja e ndërtimit është miratuar disa muaj me vonesë, pasi ARRSH për Lotin 3 lidhi kontratë me kompaninë ‘2T’ dhe ‘HASTOÇI’ më 19 dhjetor 2023, pra rreth 10 muaj përpara se të miratohej leja e ndërtimit.
Lexo edhe
AKTUALITET
Trafik heroine me taksi, arrestohet 24-vjeçari/ Çfarë i zbuloi FBI-ja greke në shtëpi

VIDEO/ Me shpejtësi rrufe, dalin pamjet e aksidentit tragjik në Vlorë

“Plumbi i artë”/ Vrasja e Bujar Çelës, Nuredin Dumani dhe Erjon Alibej “kokë më kokë” sot në GJKKO

U zgjodh administrator i Universitetit “Luigj Gurakuqi”, rektori kundërshton emërimin e Mark Mollës

Do të pastronte 18.3 milionë euro të mafies italiane, GJKKO dënon me 11 vite burg Rezart Taçin





