Rriten rimbursimet e TVSH-së për vitin 2025, pezullohet pagesa 15 mln euro ndaj "Bankers Petroleum"

Gjatë periudhës janar-dhjetor 2025, procesi i rimbursimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) ka njohur një rritje të ndjeshme në vlerë, sipas të dhënave të fundit nga Drejtoria e Rimbursimit të TVSH-së (DRTVSH).
Megjithatë, përtej ecurisë pozitive të pagesave ndaj bizneseve është pezulluar një shume e konsiderueshme prej mbi 1.4 miliardë lekësh që i përket kompanisë Bankers Petroleum Albania LTD. Ky detyrim, i cili përbën pjesën dërrmuese të stokut të papaguar deri më 31 dhjetor 2025, është pezulluar zyrtarisht pasi subjekti ndodhet nën proces hetimi.
Gjatë vitit që lamë pas, administrata tatimore u përball me një fluks prej 2,740 kërkesash për rimbursim, me një vlerë totale që kalon 45 miliardë lekë. Nga këto, janë pranuar 1,659 kërkesa, ndërsa mbi një mijë të tjera u refuzuan për mosplotësim të kritereve ligjore.
Shifra totale e rimbursuar (përfshirë metodën FIFO dhe këstet) arriti në 25,293 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 13.1% krahasuar me vitin 2024. Kjo rritje reflekton edhe zbatimin e reformave të reja, si automatizimi i procesit përmes platformës dixhitale dhe ndryshimet në VKM-në për kategorizimin e eksportuesve, të cilat synojnë rimbursimin e menjëhershëm për subjektet me risk zero.
Sa i përket kohës së procesimit, administrata tatimore ka arritur të mbajë një mesatare prej 31 ditësh për miratimin e kërkesave, ku 56% e tyre janë trajtuar brenda muajit të parë. Vonesat mbi 120 ditë, që prekin vetëm 1% të rasteve, kanë ardhur kryesisht si pasojë e mos-pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nga vetë tatimpaguesit.
Përveç rastit të “Bankers Petroleum”, në stokun e rimbursimeve të miratuara, por të pa- likuiduara rezulton edhe kompania eksportuese “Occhio Vivo” me një vlerë prej rreth 6.2 milionë lekësh, e cila ka mbetur peng i disa çështjeve teknike.
Ndërkohë, DRTVSH bën me dije se procesi i automatizimit të nisur në vitin 2022 ka garantuar tashmë një trajtim më transparent të kërkesave sipas radhës kronologjike, duke mundësuar edhe llogaritjen e kamatëvonesave për çdo rimbursim që nuk kryhet brenda afateve ligjore./Monitor
Lexo edhe
AKTUALITET
“Dikush më gjuan me gurë drejt banesës, po më rrezikohet jeta”/ Qytetarja denoncon situatën alarmante brenda shtëpisë

Këmbimi valutor/ Me sa blihen e shiten dollari dhe euro

Rritja e çmimit të naftës, kërkesat e transportit publik: Të kompensohemi 100 lekë për litër

Kushte atmosferike të paqëndrueshme, njihuni me parashikimin e motit për sot

DOKUMENTI/ 'Kontratë qiraje 80 mijë lekë në 1996', Irena Gjoka justifikoi pasurinë me falsifikim





