Editorial Emisione Investigime Aktualitet Sociale Politikë Kosova Bota Showbiz Lifestyle Sport
TË FUNDIT
Sherr tek Doganat/ Kush po tenton ta fshijë gjobën 5.1 mln euro të Salillarit Shpërndahen protestuesit nga bulevardi, pas ujit me presion nisin shoqërimet nga policia Rinia dhe qytetarët në këmbë kundër Ramës/ “Blindohet” Bulevardi, furgona policie qëndrojnë gati kundër pro... DOKUMENTI/ SPAK regjistron kallëzim penal për “Albanian Files” të Ramës, nis hetimi për resortet luksoze... Tensione para Kryeministrisë/ Protestuesit shkulin gurët e trotuarit dhe i hedhin drejt policisë Gjakftohtë/ Jetoi prej vitesh në Greqi si ‘fantazmë’, si u zbulua shqiptari i akuzuar për katër vrasje ... Zhdukja e përkthyeses kineze me pasaportë shqiptare/ Kasaforta me 100 mijë euro dhe hetimet në Shqipëri 'Vetëm prokurorët nuk zbresin në terren'/ Gazetari plas skandalin: Dyshime se punonjësit e AMP janë në prot... “Ushtarët” e rinj të Klodian Lekocajt dalin para gjykatës: Sulmova me molotov dyqanin për 1 mijë euro ... Protestë prej disa orësh para Ministrisë së Arsimit, nis marshimi drejt Kryeministrisë 25 vite punë, pa paga dhe pa sigurime/ 50 punonjësit e NEFER në Shkodër kërkojnë drejtësi Aksident me pasojë vdekjen në një minierë në Martanesh
AKTUALITET

Shkatërrimi “jo krijues” dhe shkretues i Shqipërisë

P
Piranjat 4 July 2026, 09:45 · 7 min lexim
Shkatërrimi “jo krijues” dhe shkretues i Shqipërisë

Në vitin 1942, ekonomisti austriak Joseph Schumpeter formuloi një nga konceptet më të rëndësishme të kapitalizmit modern: “shkatërrimin krijues” (creative destruction). Sipas tij, zhvillimi ekonomik nuk ndodh në mënyrë lineare. Ai ecën përpara duke shembur të vjetrën për t’i lënë vend të resë.

Makinat zëvendësuan karrocat me kuaj, fotografia digjitale fundosi filmin analog, interneti rrëzoi gazetat tradicionale, ndërsa telefonat inteligjentë zhdukën një industri të tërë pajisjesh elektronike. Çdo revolucion teknologjik ka sjellë humbës dhe fitues, por në fund ka krijuar më shumë produktivitet, më shumë mirëqenie dhe më shumë mundësi.

Ky është kuptimi i shkatërrimit krijues: shkatërron diçka, por ndërton diçka më të vlefshme në vend të saj.

Shqipëria e tri dekadave të fundit ka përjetuar një transformim të madh. Është ndërtuar, është urbanizuar, është hapur ndaj botës dhe ka ndryshuar fytyrë. Por pyetja që lind sot është nëse kemi qenë dëshmitarë të një shkatërrimi krijues, apo thjesht të një shkatërrimi, ose të një shkretimi.

Industria në pjesën më të madhe u mbështet te burimet natyrore që vendi kishte me bollëk. Nafta, kromi, bakri, hidrocentralet, guroret dhe lëndët e tjera të para u kthyen në motorë të rritjes ekonomike. Ishte rruga më e lehtë për të krijuar të ardhura në një ekonomi të varfër, por jo domosdoshmërisht rruga më e zgjuar për zhvillim afatgjatë.

Shqipëria është një vend i vogël, por me një pasuri natyrore. Ka male, lumenj, liqene, pyje dhe një vijë bregdetare të pasur. Pikërisht këto janë asetet që do të duhej të ishin kapitali ynë më i çmuar. Megjithatë, për hir të urbanizimit dhe më pas të turizmit masiv, po konsumojmë pikërisht atë që na bën të veçantë.

Fillimisht u mbushën me beton zonat qendrore të bregdetit. Sot presioni po zhvendoset drejt Veriut dhe Jugut. Çdo sezon veror sjell një garë të re për të ndërtuar më shumë, më pranë detit, më pranë malit, më pranë çdo cope natyre ende të paprekur. Projekte pa fund, që dalin përditë. Ka kërkesë, thonë. Kërkesë ka kudo në botë, po vështirë të thuhet që ata nxitojnë të shfrytëzojnë çdo cep, siç po ndodh te ne.

Në Tiranë, ndërkohë, vinçat janë bërë pjesë e peizazhit, duke i zënë vendin  Kullës së Sahatit. Kryeqyteti është kthyer prej vitesh në një kantier të përhershëm ndërtimi. Dhe gjithçka tregon se ritmi nuk do të ngadalësohet as në kryeqytet dhe as në bregdet. Të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për 5-mujorin e parë sugjerojnë se janë dhënë leje më shumë sesa viti rekord i 2024-s. Dokumente si “Albanian Files” tregojnë se “nuk kemi parë gjë akoma”. Pas qyteteve e bregdetit, radhën duket se do e kenë dhe malet.

Sigurisht, ndërtimi krijon vende pune. Turizmi sjell të ardhura. Investimet janë të domosdoshme. Askush nuk propozon që vendi të kthehet në një muze ku nuk ndërtohet asgjë. Por zhvillimi nuk matet vetëm me numrin e kullave, apartamenteve apo resorteve. Ai matet me atë që u lëmë brezave që vijnë.

Nëse për të ndërtuar një hotel shkatërrohet një plazh i virgjër, a kemi krijuar më shumë vlerë sesa kemi humbur? Nëse për të ndërtuar një kompleks rezidencial humbet një pyll, një lagje apo një peizazh që nuk rikthehet më, a është ky zhvillim? Dhe nëse ekonomia mbështetet gjithnjë e më shumë në ndërtim, ndërsa prodhimi, industria dhe bujqësia zbehen, a po ndërtojmë një model që do të rezistojë edhe pas një apo dy dekadash?

Këto ndodhin madje në kohën kur objektiv i ditës po bëhet dhe ekonomia qarkulluese, duke u dhënë peshë parimeve të ESG (Environmental, Social and Governance – një kuadër vlerësimi që mat sa e qëndrueshme, e përgjegjshme dhe e mirëqeverisur është një kompani, duke analizuar ndikimin e saj në mjedis, shoqëri dhe mënyrën e qeverisjes). Kur këto elemente u imponohen bizneseve dhe operatorëve ekonomikë, a mund t’i shkelin me këmbë sjelljet e qeverisë?

Në sfond të gjithë kësaj po shfaqet një fenomen që po bëhet i qëndrueshëm. Protestat. Të rinj që kundërshtojnë betonizimin, banorë që mbrojnë lumenjtë, aktivistë që kërkojnë të ruhen hapësirat publike dhe natyra. Për vite me radhë këto zëra dukeshin periferikë. Sot po bëhen gjithnjë e më të shumtë.

Ata nuk po protestojnë kundër zhvillimit. Po protestojnë kundër një modeli zhvillimi që shpesh duket se konsumon e shkatërron më shumë sesa krijon vlerë në periudhë afatgjatë. Kundër një modeli që mat suksesin me metra katrorë betoni, ndërsa humbja e natyrës konsiderohet një kosto e pranueshme, megjithëse është e pakthyeshme. Kundër një modeli që vetëm ndërton, por nuk arrin të bindë të rinjtë të ndërtojnë jetën e tyre në Shqipëri.

Schumpeter kishte të drejtë: për të ecur përpara duhet të shembësh diçka. Por ai besonte se ajo që ndërtohet më pas duhet të jetë më e mirë, më produktive dhe më e vlefshme se ajo që u shkatërrua.

Kjo është pikërisht dilema shqiptare. Nuk është më pyetja nëse po ndryshojmë. Kjo është e dukshme. Pyetja është nëse, pasi të bjerë pluhuri i kantiereve dhe të jetë shuar zhurma e tyre, a do të kemi ndërtuar një ekonomi më të fortë dhe një vend më të jetueshëm, ku të rinjtë nuk do të shohin më si alternativë emigrimin?

Sepse nëse në fund mbetemi me më pak natyrë, më pak prodhim, më pak të rinj dhe më shumë beton, atëherë nuk do të kemi qenë dëshmitarë të shkatërrimit krijues, por vetëm të një shkretimi jo krijues./ Monitor

SHPËRNDAJE

Lexo edhe

AKTUALITET

Me rëndësi

Ndiqni Piranjat kudo.

Investigime, denoncime dhe satirë — zëri që nuk hesht.