Shqipëria vijon të digjet, 25 vatra zjarri në 24 orë, 5 mbeten aktive

25 vatra zjarri janë raportuar në të gjithë vendin gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa 5 prej tyre vijojnë të jenë aktive dhe një tjetër zonë mbahet nën monitorim. Flakët kanë përfshirë zona pyjore dhe malore në disa qarqe.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes, pjesa më e madhe e vatrave të raportuara gjatë ditës së fundit janë shuar.
Në Mallakastër, pas disa ditësh ndërhyrjesh, zjarret në Riban, Ngraçan, Panahor dhe Çyçen janë shuar plotësisht.
Megjithatë, në Drenie, në bashkinë Patos, është evidentuar një riaktivizim në thellësi të pyllit dhe puna vijon për izolimin e vatrës.
Situata vijon të ndiqet edhe në Krujë, ku janë aktive dy vatra, në lagjen Abaze dhe në zonën Krastë–Halil. Në Krastë–Halil, ndërhyrja është kryer edhe nga ajri.
Në Abaze, era ka favorizuar përhapjen e flakëve, por sipas autoriteteve aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Priskë të Madhe, në bashkinë Tiranë, vijon puna për vënien nën kontroll të zjarrit. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, zjarri në Cikallesh, bashkia Kavajë, është shuar plotësisht, ndërsa zona e Dajtit vijon të mbahet nën monitorim.
Edhe në Vilëz të Kurbinit dhe Kallmet të Vogël në Lezhë, zjarret janë shuar plotësisht. Vatra e raportuar në Goraj–Budishë, bashkia Malësi e Madhe, është gjithashtu e shuar.
Në malin e Nemërçkës, në bashkinë Përmet, vatra vijon të jetë e pranishme, por sipas autoriteteve nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, strukturat e mbrojtjes civile vijojnë monitorimin e situatës në të gjithë territorin, ndërsa ndërhyrjet përqendrohen në 5 vatrat që mbeten aktive.
Në 24 orët e fundit, bilanci është 25 vatra të raportuara, pjesa dërrmuese e të cilave janë shuar, 5 aktive dhe 1 zonë nën monitorim.
Në total, në operacione janë përfshirë 37 automjete zjarrfikëse dhe 365 forca operacionale, ndërsa në mbështetje kanë vepruar 158 efektivë të Forcave të Armatosura, me 10 mjete dhe 4 helikopterë të Forcës Ajrore.
Njoftimi:
Ministria e Mbrojtjes - informim mbi situatën e zjarreve gjatë 24 orëve të fundit
Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 25 vatra zjarri, nga të cilat pjesa më e madhe janë shuar. Aktualisht 5 vatra mbeten aktive dhe 1 zonë është në monitorim. Në operacionet për menaxhimin e situatës janë angazhuar 37 automjete zjarrfikëse dhe 365 forca operacionale, ndërsa në mbështetje kanë vepruar 158 efektivë të Forcave të Armatosura me 10 mjete dhe 4 helikopterë të Forcës Ajrore.
Në Mallakastër, pas disa ditësh operacione intensive, zjarret në Riban, Ngraçan, Panahor dhe Çyçen janë shuar plotësisht. Në Drenie, bashkia Patos, është evidentuar një riaktivizim në thellësi të pyllit dhe strukturat operacionale po vijojnë punën.
Në Krujë, vijon angazhimi i forcave në lagjen Abaze dhe në zonën Krastë–Halil. Në Abaze, pavarësisht përhapjes së favorizuar nga era, aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në Krastë–Halil, në orët e para të mëngjesit u angazhuan 2 helikopterë të Forcës Ajrore, të cilët ndërhynë për të frenuar përhapjen e zjarrit dhe për të mbështetur forcat operacionale në terren. Pas ndërhyrjes nga ajri, situata u normalizua dhe puna vijon për kontrollin dhe shuarjen e plotë të vatrës. Në dy vatrat e Krujës janë angazhuar në total 4 helikopterë të Forcës Ajrore.
Në Priskë e Madhe, bashkia Tiranë, vijon puna për vënien nën kontroll të vatrës. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, zjarri në Cikallesh, bashkia Kavajë, është shuar plotësisht, ndërsa Dajti vijon të mbahet në monitorim.
Në Vilëz, bashkia Kurbin, dhe në Kallmet të Vogël, bashkia Lezhë, zjarret janë shuar plotësisht. E njëjta situatë paraqitet edhe në Goraj–Budishë, bashkia Malësi e Madhe, ku vatra e zjarrit raportohet e shuar.
Në malin e Nëmerçkës, bashkia Përmet. Vatra nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.
AKMC dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile mbeten në gatishmëri dhe vijojnë koordinimin deri në neutralizimin e plotë të çdo vatre aktive.
Lexo edhe
AKTUALITET
Ndërtimi pa leje në Himarë/ Arrestohen dy punonjës të Policisë së Shtetit, në kërkim dy të tjerë

Riaktivizohet zjarri në Drenie të Mallakastrës, ndërhyrja vështirësohet për shkak të terrenit

Deputetja britanike: Shqipëria të marrë kriminelët, ndryshe t’iu bllokojmë vizat dhe ndihmat

Zjarr në Pukë, rrezikohet kurora e gjelbër e qytetit, dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme

Kruja vijon të digjet, vatër zjarri edhe në lagjen Abaze, aty ku nisi zjarri i madh më 8 gusht





