"I armatosur dhe dokumente false", SPAK jep detaje nga arrestimi i Adi Çobës: BKH u ndihmua nga Antimafia Italiane

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë detaje mbi arrestimin Adi Çobës, i shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të operacionit "URA".
Sipas SPAK, Byroja Kombëtare e Hetimit në bashkëpunim me Qendrën Operative DIA të Barit, ekzekutoi më 2 korrik arrestimin e tij në zonën e Shkozetit, në Durrës.
Në momentin e arrestimit, Adi Çoba kishte me vete një pistoletë automatike me dy karikatorë, si edhe katër dokumente të falsifikuara, mes të cilave një kartë identiteti dhe një leje drejtimi italiane.
Sipas SPAK, këto prova tregojnë lëvizjet e shpeshta të të dyshuarit dhe lidhjet e tij me Italinë. Pas arrestimit, ai u shoqërua në ambientet e paraburgimit në Durrës, ku do të qëndrojë në pritje të procedurave të ekstradimit.
Operacioni u zhvillua në kuadër të skuadrës së përbashkët hetimore mes SPAK dhe Drejtorisë Antimafia të Barit.
SPAK kujton se më 21 maj 2025, në kuadër të operacionit ndërkombëtar "URA", autoritetet shqiptare dhe italiane, me mbështetjen e Interpolit, Zyrës së Ekspertit të Sigurisë pranë Ambasadës Italiane në Tiranë dhe Policisë së Shtetit, ekzekutuan 52 urdhërarreste ndaj personave të dyshuar për trafik ndërkombëtar të sasive të mëdha të lëndëve narkotike, pastrim parash dhe vepra të tjera penale të lidhura me to.
Gjatë operacionit u sekuestruan gjithashtu pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në Shqipëri dhe Itali me vlerë prej disa milionë eurosh.
Pas konstatimit se disa nga të dyshuarit kishin mundur t'i shpëtonin operacionit të 21 majit, SPAK dhe autoritetet italiane zgjeruan hetimet në Durrës, si dhe në disa qytete të veriut dhe jugut të Italisë, duke bërë të mundur lokalizimin dhe arrestimin e Adi Çobës.
Sipas SPAK, ai u arrestua në Shkozet, zonë që në dosjen hetimore identifikohet si një nga bazat e grupit kriminal Troplini-Doçi, i cili dyshohet se vepronte mes rajonit italian të Puglias, Shqipërisë dhe Holandës.
Njoftimi i plotë
Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) në bashkëpunim me Qendrën Operative DIA të Barit arrestuan më 2 korrik në Shkozet, Durrës, shtetasin shqiptar A.Ç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Shtetasi A.Ç ishte në kërkim të kuadër të operacionit ndërkombëtar “URA”, i zhvilluar mes autoriteteve shqiptare, atyre italiane dhe belge më 21 maj 2025.
Në momentin e arrestimit, ai kishte në zotërim një pistoletë automatike me dy karikatorë si dhe katër dokumente të falsifikuara, mes të cilëve një kartë identiteti dhe patente italiane.
Këto elemente tregojnë lëvizjen e shpeshtë si dhe lidhjen me Italinë. Në përfundim të operacionit, i dyshuari u shoqërua në ambientet e paraburgimit të Durrësit, në pritje të procedurave të ekstradimit.
Operacioni për arrestimin e tij u zhvillua në kuadër të një skuadre të përbashkët hetimore mes SPAK dhe Drejtorisë Antimafia të Barit.
Më 21 maj 2025, SPAK dhe Drejtoria Hetimore Antimafia e Barit, me mbështetjen e Interpolit, Zyrës së Ekspertit të Sigurisë pranë Ambasadës Italiane në Tiranë dhe Policisë së Shtetit ekzekutuan 52 urdhërarreste, (dy të lëshuara nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë) ndaj personave të akuzuar për trafik ndërkombëtar të sasive të mëdha të lëndëve narkotike, pastrim të produkteve të veprës penale dhe krime të tjera të lidhura me to.
Gjithashtu u krye edhe sekuestrimi i pasurive të paluajtshme dhe të luajtshme në Shqipëri dhe Itali, në vlerën e disa miliona eurove.
Pas konfirmimit se disa shtetas shqiptarë kishin arritur t’i shpëtonin operacionit “URA”, SPAK dhe autoritetet italiane i shtrinë hetimet në Durrës dhe në disa qytete në veri dhe jug të Italisë duke bërë të mundur lokalizimin e tij.
Shtetasi i arrestuar në Shkozet, qendra kryesore e grupit kriminal Troplini-Doçi, që vepronte mes Puglia-s, Shqipërisë dhe Holandës, u lokalizuar në lagjen e tij.
SPAK thekson se procedurat ndodhen ende në fazën e hetimit paraprak.
Lexo edhe
AKTUALITET
Zhvati 50 mln € me Call Center-at/ Policia: Arrestohet në “Olea Residence” në Dhërmi, Granit Pepnika

VIDEO/ Policia rrethon vilën luksoze në Dhërmi, momenti kur arrestohet bossi i Call Center, Granit Pepnikaj

Çahet tubacioni i ujit në Laprakë, përmbyten banesat dhe bizneset

KShH: Policia përdori dhunë joproporcionale ndaj protestuesve

“Fillimisht u thirrën për të dhënë dëshmi, më pas iu dha statusi i të arrestuarve”/ Avokati i protestuesve: Ja çfarë ndodhi dje në komisa...





