Të akuzuarit për vrasjen e Santiago Malkos ankohen në ILD për trupën e Apelit të Posaçëm

Të akuzuarit për vrasjen e ish-policit Santiago Malko i janë drejtuar Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë me një ankesë për mënyrën se si është shqyrtuar çështja e tyre në Apelin e GJKKO-së.
Ankesa është depozituar nga mbrojtësja e Leonard Dukës, Oltjon Logës, Fatmira Hysenit dhe të pandehurve të tjerë, të cilët pretendojnë se gjatë shqyrtimit të procedimit penal nr. 177/2019 janë kryer shkelje procedurale dhe është cenuar paanshmëria e trupit gjykues.
Në qendër të ankesës është përbërja e trupit gjykues që po shqyrton çështjen në Apelin e GJKKO-së. Sipas mbrojtjes, gjyqtarët Saida Dollani, Iliriana Olldashi dhe Engert Pëllumbi kanë marrë më herët pjesë në procese që lidhen me të njëjtin procedim dhe janë shprehur për pozicionin procedural të disa prej të pandehurve.
Avokatët pretendojnë se kjo situatë përbën një arsye për përjashtimin e gjyqtarëve nga shqyrtimi i çështjes. Sipas tyre, vetë gjyqtarët Olldashi dhe Pëllumbi kanë pranuar më herët se ekzistonin shkaqe për heqjen e tyre nga çështja dhe kishin kërkuar dorëheqjen.
Mbrojtja sjell si shembull edhe një proces tjetër që lidhet me të njëjtin procedim, atë ndaj të bashkëpandehurit Ilir Selmani. Në atë rast, gjyqtari Dhimitër Lara kishte vlerësuar se kërkesa për përjashtimin e tij duhej pranuar dhe kishte dhënë dorëheqjen për të njëjtat arsye.
Sipas avokatëve, ndërsa në rastin e Selmanit u pranua problematika e pjesëmarrjes së gjyqtarit, në çështjen e Leonard Dukës dhe të pandehurve të tjerë, kërkesat për përjashtimin e gjyqtarëve janë rrëzuar. Për këtë arsye, mbrojtja pretendon se ndaj të pandehurve është përdorur një standard i dyfishtë.
Në ankesë përmendet edhe një vendim i mëparshëm i Gjykatës së Lartë, e cila ka konstatuar problematikën që lidhet me pjesëmarrjen e gjyqtarëve në vendimmarrje të mëparshme brenda të njëjtit procedim dhe ka vendosur kthimin e çështjes për rigjykim.
Përmes ankesës në ILD, mbrojtja kërkon që të verifikohen pretendimet për shkelje dhe, nëse konstatohen ato, të merren masat përkatëse.
Ndërkohë, seanca e radhës në Apelin e GJKKO-së, e planifikuar për këtë të martë, është shtyrë për shkak të mungesës së avokatëve. Në këtë çështje, SPAK ka ankimuar gjithashtu vendimin e gjykatës së shkallës së parë, e cila shpalli të pafajshëm Erlis Dukën, vëllain e Leonard Dukës.
Lexo edhe
AKTUALITET
Aksidenti tragjik në Vorë, ky është gazetari që humbi jetën ditën e sotme

E trishtë/ Aksidenti tragjik në Fushë Krujë-Rinas i pret jetën në mes gazetarit 26-vjeçar

Mjeti lundrues merr flakë mes detit, shpëtohen turistët në Ksamil

Protestë te Blloku i Sigurisë në Tiranë: Lironi shqipet

Kulla 24 kate e çunave të APEX-t shkatërron “Komunën e Parisit”, e gjithë lagjja në kaos!





