AKTUALITET

Vajza e saj 10 muajshe ishte me temperaturë/ Gazetarja rrëfen eksperiencën në QSUT: Prindërit përballen me arrogancë dhe poshtërim

Piranjat Përditësimi i fundit 14 September 2026, 08:10

Vajza e saj 10 muajshe ishte me temperaturë/ Gazetarja rrëfen

Gazetarja Bora Shahini ka rrëfyer eksperiencën e saj në Pediatrinë e QSUT-së, pas një rasti që kishte të bënte me vajzën e saj vetëm 10 muajshe. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo shprehet se kushtet në spital ishin skandaloze, ndërsa shtoi se në dhomë kishte mobilie të shkatërruara, pllaka të vjetra dhe dritare të prishura.

Më tej ajo tregon se është përballur me mungesën e profesionalizmit nga ana e infermierëve dhe mjekëve, të cilët nuk i kanë dhënë shërbimin mjekësor të vajzës së saj. Gazetarja thekson se vajzës së saj 10-muajshe i plasën disa herë venat, ndërsa personeli mjeksor shihnin njëra-tjetrën pa ditur çfarë të bënin.  Kjo duke shtuar se është dashur ndërhyrja e dy infermierëve me eksperiencë që vajza 10 muajshe t’i vihej vigoni dhe më pas të merrte shërbimin mjekësor.

Në një moment, pas tensioneve, Shani bën me dije se stafi mjekësor ka njoftuar edhe policinë, pasi pretendonin se ajo nuk po i lejonte që të punonin. Në fund, ajo thotë se prindërit që mbërrijnë në Pediatri me fëmijët në krah nuk kanë nevojë për arrogancë dhe kanë nevojë të poshtërohen. Sipas saj, ata kanë nevojë për profesionistë, komunikim, përgjegjshmëri dhe për njerëzillëk.

Postimi i plotë:

10-mujorin e festuam në spital.

Në një situatë që, edhe sikur të më kërkonin ta krijoja si skenar filmi, nuk besoj se do të mund ta shkruaja me kaq shumë detaje mizore.

5 shtator. Nata e dytë. Dhoma nr. 9, Pediatria e Përgjithshme, QSUT.

E kisha në krah. Digjej nga temperatura.

Frymëmarrja e saj dukej sikur lëshonte flakë.

Sytë i kishte të mbushur me lot të nxehtë, rrathë të zinj poshtë tyre.

Një dorë të shpuar e me gjak nga tentativa e dështuar për t'i vendosur vigonin.

Vena të çara. Një tjetër vigon që nuk funksiononte më.

Rreth nesh, një dhomë me tre krevate të sakatuar, dyshekë gunga-gunga, mobilie të shkatërruara, pllaka të vjetra, dritare të prishura. Vapë. Pa sistem ajrimi. Drita të zbehta.

Mes të qarave të fëmijëve, durimit të prindërve, tentativave të dështuara për vigon, temperaturës që shkonte në 40°C dhe orëve që kalonin.

Prindër që kërkonin vetëm dy gjëra: që fëmijët e tyre të shëroheshin dhe që dikush t'i trajtonte me kujdes e njerëzi.

Ndoshta ishte nata jonë e pafat por...kishte mungesë komunikimi. Mungesë korrektese. Mungesë profesionalizmi.

Vajza të reja, të cilat do të doja shumë t'i shihja të komunikueshme, të përgatitura dhe të përgjegjshme, jo të dëgjoja:

"Ça t'i bëj unë? Kështu di ta bëj unë punën"

Një mjeke e re në stazh që nesër do të jetë pediatre primare ngriti supet! "S'kam ç'bëj. Këta kam për staf."

Por të dalim për pak nga dhoma nr. 9.

Vajzës sime 10-muajshe i plasën disa herë venat. Temperatura 39.7°C.

Ato shihnin njëra-tjetrën pa ditur çfarë të bënin.

Venoze, por vena të bllokuara.

Temperatura vazhdonte të ngrihej.

Të qara. Nxehtësi. Ankth.

Pesë orë që mua m'u dukën një jetë!

Përballë tyre ishte vajza ime e shtrirë, me lotët që i digjnin faqet Përballë tyre ishim unë dhe im shoq, me gjithë shpresën tonë tek ato.

Tek njerëzit që, në atë moment, kishin në dorë gjënë më të shtrenjtë të jetës sonë.

Dhe ne vazhdonim t'u jepnim shanse.

Një tjetër shans për më shumë kujdes.

Një tjetër për më shumë komunikim.

Një tjetër që diçka të ndryshontes dhe ato vajza thjesht të bënin detyrën.

Mora fëmijën në krah dhe, e dëshpëruar për të gjetur ndihmë, nisa të zbres shkallët e Pediatrisë.

Herë më dukeshin pesë shkallë.

Herë sikur nuk do të mbaronin kurrë.

Mbërrita në Urgjencën e Pediatrisë.

Radhë. Prindër me fëmijë në krah. Fëmijë të sfilitur.

Prindër po aq të sfilitur. Të gjithë prisnin të njëjtën gjë: pak qetësi dhe ndihmë.

Kërkoja një infermiere.

Vetëm një infermiere.

"Ju lutem, më duhet një infermiere. Një vigon. Vajza ka temperaturë 40. Ka orë kështu. Më ndihmoni."

Në një moment u shkërmoqa... Shpërtheva në lot.

"Është 10 muajshe. Ka rreth gjashtë orë me temperaturë të lartë. Më duhet vetëm dikush që t'i vendosë një vigon."

Dhe drejt meje erdhi një uniformë e zbukuruar me figura fëmijësh.

Pastaj pashë fytyrën e saj. Një fytyrë që nuk besoj se do ta harroj edhe sikur ta ndesh mes një mijë njerëzve.

"Ça ka? Pse këtu gjete të vendosësh vigon? Ka infermierë plot pediatria. Boll punë kemi këtu"....

Po më përze nga urgjenca?

Me një bebe 10-muajshe:që më digjet në krah?

"Policia! Njoftoni policinë! Të marrin këtë vajzën se nuk po na lë të punojmë. Policia!"

Nuk do ta harroj kurrë sa të kem jetë atë fytyrë dhe atë komunikim.

Atë natë nuk kisha kohë. Kisha një fëmijë që digjej.

U kërkova falje prindërve që prisnin dhe hapa derën e mjekut.

Një derë që ruhej me fanatizëm, ndërsa jashtë saj prisnin prindër të dëshpëruar, por ende me shpresë.

Hyra duke qarë me dënesë:

"Më falni shumë që hyra kështu. Doktor, ju lutem. Vajza është me temperaturë 40. Ka orë. Më duhet një vigon. Ju lutem, më ndihmoni me një infermiere."

Mora fillimisht një përgjigje të ftohtë.

Dhe pastaj erdhi një zë tjetër:

"Eja, xhan. Ja vendos unë një vigon. Eja, qetësohu. Ma jep mua vajzën."

Nuk e harroj atë zë të infermiere Aldës dhe kolegut të saj Tanit.

Pas gjithë atyre orëve, dikush po më fliste si profesionist! Me humanizëm. Dikush po i fliste edhe fëmijës tim me dashuri.

"Do të të shërojë gjyshi. Do të të bjerë temperatura dhe do flesh top." E pabesueshme! Tani ishte gjysh dhe punonte ende me fëmijët.

Nuk më pushonin lotët. Këtë herë ishin edhe lot mirënjohjeje.

Dy infermierë u gjendën aty për beben time, të sfilitur nga temperatura e lartë. Këmba e saj e vogël u shpua. Dhe vigoni qëndroi.

Eksperienca ka vlerë. Profesionalizmi ka vlerë. Por edhe humanizmi ka vlerë.

Ndonjëherë një "eja xhan" i thënë në momentin kur një prind po shembet, vlen sa një botë e tërë.

Security kishte, mbetur aty. Edhe ata të shtangur dhe të pafuqishëm për të vepruar përballë asaj ske Isha thjesht një nënë që kërkonte ndihmë për fëmijën e saj 10-muajsh me temperaturë të lartë.

U ktheva në dhomën nr. 9.

Beba ime më në fund fjeti.

Temperatura nisi të binte gradualisht.

Dhe unë, që për orë të tëra isha bërë bishë për të, u bëra përsëri e brishtë. Lotët më rridhnin pa pushim. Më digjnin faqet. Më përvëlonin sytë.

Por mes gjithë asaj nate, një mendim më mundonte më shumë Sepse u dhashë shumë shanse. Dhe ndërsa prisja, më plasi zemra duke parë vajzën time të vuante.

Nuk po e shkruaj këtë për të sulmuar çdo mjek apo çdo infermier.

Sepse pikërisht atë natë pashë edhe të kundërtën: njerëz që me profesionalizëm dhe me dy fjalë të ngrohta na kthyen shpresën. Shefja e shërbimit Dr. Numila dhe pediatrja Dr. Frida na treguan gjithashtu se si fëmija shërohet me fjalë dhe mjekim.

Po e shkruaj sepse fëmijët tanë meritojnë më mirë.

Prindërit që mbërrijnë në Pediatri me fëmijët në krah nuk kanë nevojë për arrogancë. Nuk kanë nevojë të poshtërohen.

Kanë nevojë për profesionistë.

Kanë nevojë për komunikim.

Kanë nevojë për përgjegjshmëri.

Kanë nevojë për njerëzillëk.

Sepse pas çdo dere të Pediatrisë është një fëmijë që vuan dhe një prind që do të jepte gjithçka vetëm që dhimbjen t'ia merrte vetë.

Për ne ishte dhoma nr. 9. Aty "festuam" 10-mujorin. Një 10-mujor që nuk do ta harroj kurrë.

Dhe kur vajza ime të jetë mjaftueshëm e madhe për ta kuptuar, do t'i tregoj se atë natë ishte vetëm 10 muajshe, por më mësoi edhe një herë se deri ku mund të shkojë një nënë kur fëmija i saj ka nevojë për të.

Dhoma nr. 9 do të mbetet përgjithmonë në kujtesën time.

P.s: Emrat e infermiereve/mjekes që më shkaktuan gjithçka atë natë i kam rezervuar për të mos treguar se e gjitha kjo është një hakmarrje personale por një thirrje për të mësuar sa delikate dhe me përgjegjësi është puna që bëjnë!

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 6

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 6

Me buzëqeshje e revoltë: Gen Z po e dridh pushtetin e Ramës!

Pa numër identifikimi e me shpërblim në xhep: Policët fshihen nga kamera e Piranjave!

Krah për krah për humanizëm: Aktivistët shpëtojnë jetë e mjekojnë uniformat blu!

Studentët kanë të drejtë!

Arroganca e pushtetit përballë krizës: Studentët i thonë "JO" Edi Ramës!

Pedagogët braktisin auditoret e bashkohen me studentët: Ultimatumi për grevë urie!

Trupi i fëmijës është i shenjtë.

Shoqërime masive e presion në shesh: Ish-policët denoncojnë skandalin e uniformave blu!

"Po t'i thyhej këmba fëmijës tuaj?": Piranjat "gozhdojnë" deputetët!

20-vjeçari rrëfen tmerrin që ndodh pas atyre dyerve.

Hiqe atë gur nga dora!

Si parashikoi Rama 13 vite më parë atë që po bën sot?

Gen Z/ Zëri i revoltës që po dridh pushtetin.

Ju lutem kujdes me veprimet, mos e provokoni policinë! ????

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

3 vite pa licencë: Si u punësua psikologia në Vorë dhe kush mban përgjegjësi?

Flet i dyshuari i Masakrës së Beratit: Çfarë zbulon Kudret Zhuka?

Ne jemi me ju, gjatë gjithë vitit!

Zëri ynë për çdo grua që lufton sot!

Konflikti familjar në Klos që përfundoi në dhunë: Çfarë ndodhi mes Fluturës dhe të afërmve?

Kalvari i Anxhelës: Si u kthye një histori dashurie në një makth të vërtetë?

"Doktor Shkencash": Çfarë fshihet pas titullit akademik të Ulsi Manjës?

Unë e njoh atë djalin e shtrirë përtokë.

4 ditë revolte, gjenerata e re flet ndryshe.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 4

Vendimi që ngre dyshime: Çfarë e detyroi gjyqtaren e Shkodrës të vendosë për 42-vjeçarin?

Nga t*rturat te ekzekutimi barbar: Masakra e ’97-ës që nuk u zbardh kurrë.

I pastrehu kërkon ndihmë, Bashkia e Korçës i “ofron” një rrenoje.

Paguaj që të punosh: Zbërthehet skema e mashtrimit me "punën nga shtëpia"

Skandali me tunelin e Skërficës: Pas dështimit 23-milionësh, ARRSH thërret policinë për "Piranjat"

Ermal Pashaj: "Jam këtu kundër mediokërve, kriminelëve dhe dështimit 13-vjeçar të kësaj politike"

Manastirliu, kandidatja për Bashkinë e Tiranës, plagjiatura e radhës.

Patronazhistët e Ogerta Manastirliut gjatë Pranisë Besnike

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 3

Shantazh në emër të dashurisë, 40-vjeçari terrorizon gruan e martuar.

Faturat e avokatit. Si u zhdukën mijëra euro pa bërë asnjë punë?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Saranda e fëmijërisë sime, sot mes plumbave

Nga mësuese filloreje në drejtoreshë gjimnazi. Historia që na vjen nga Ishmi i Durrësit.

Rilindësit me plagjiaturë / Piranjat kapin ish-ministren e Arsimit. Si do të justifikohet ajo?

Prania besnike, një strategji djallëzore për të eliminuar praktikat institucionale.

Fshije videon! Mos shkatërro një jetë.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 2

Nga burgu në arrest shtëpie: Eduard Limaj rikthehet te përndjekja e grave!

Haris Vongli: Dua të kthehem në Shqipëri për Davidin, tim bir.

Fyerje ndaj nxënësve, ngacmime e shkelje rregulloreje: Kush është nëndrejtori problematik?

Institucionet në shërbim të krimit: Pse hesht kryeministri për skandalet?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Porti i Durrësit po mbyllet, investimet në infrastrukturë vazhdojnë. Cili është justifikimi i APD?