Vetëm 4 kompani aplikuan për rivlerësim të pasqyrave me Paqe Fiskale; Ekspertët: Frikë nga ekspozimi

Vetëm katër kompani kanë aplikuar për të përfituar nga rideklarimi i pasqyrave financiare të 3 viteve të fundit me normë tatimore 5%, pasi kanë lidhur marrëveshjen e Paqes Fiskale.
Numri i kompanive që kanë aplikuar për rideklarimin e pasqyrave financiare, pasi kanë lidhur marrëveshjen e Paqes Fiskale u konfirmua për Monitor nga burime të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Marrëveshja e paqes fiskale e miratuar për bizneset e mëdha me të ardhura bruto mbi 14 mln lekë në vit, synoi parapagimin e tatimfitimit në këmbim të moskontrollit tatimor gjatë periudhës së marrëveshjes. Afati i zbatimit të marrëveshjes është 1 vit, me të drejtë rinovimi edhe për 2 vite të tjera.
Bizneset që hyjnë në skemë do të parapaguajnë tatimin mbi një bazë të rritur, e cila llogaritet mbi fitimin e tatueshëm të vitit të kaluar plus një rritje prej 18%. Në rast se fitimi real rezulton më i lartë se kjo bazë, diferenca do të tatohet me 5%.
Marrëveshja nuk ndryshon normën standarde të tatimfitimit prej 23%, por ndryshon mënyrën e përllogaritjes së bazës së tatueshme. Në këmbim, kompanitë përfitojnë moskryerjen e kontrolleve tatimore gjatë periudhës së zbatimit.
Përveç kësaj, bizneset kanë mundësi të rideklarojnë pasqyrat financiare të tre viteve të fundit duke paguar një tatim prej 5% për ndryshime të caktuara, si rivlerësimi i cash-it, fshirja e aktiveve apo detyrimeve fiktive, deklarimi i pasurive të paregjistruara dhe rideklarimi i fitimeve të mbartura.
Ligji përcakton se bizneset që kërkojnë të lidhin marrëveshjen e paqes fiskale nuk iu lind detyrimi të rideklarojnë edhe pasqyrat financiarë. Por në të kundërt nëse do të kërkohet të rideklarohen pasqyrat financiare, kjo nuk mund të mundësohet pa marrëveshjen e parapagimit të tatimit, mbi një bazë të rritur.
Kontabilistët vlerësojnë se numri i ulët i aplikimeve mund të lidhet me frikën e bizneseve për ekspozimin e origjinës së fondeve të rideklaruara.
“Kompanitë e konsoliduara i kanë të rregulluara prej vitesh aktivet e tyre. Nëse nga biznese të tjera do të përdorej ligji për marrëveshjen e Paqes Fiskale dhe rideklarimi i pasqyrave financiare do të shërbente për të formalizuar fonde të padeklaruara, si ato që lidhen me evazionin fiskal apo korrupsionin, atëherë ekziston frika për kontrolle të mëvonshme. Numri i ulët i aplikimeve tregon se bizneset mund të jenë stepur nga këto rreziqe. Edhe ligji nuk garanton mosnisjen e hetimeve për raste të evazionit fiskal apo pastrimit të parave. Pra bizneset kanë pasur frikë të ekspozohen”, u shpreh një kontabilist.
Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF) më herët gjithashtu informoi të gjitha subjektet, se ligji “Për marrëveshjen e paqes fiskale”, nuk ofron asnjë lloj imuniteti administrativ ose penal ndaj veprimeve të tatimpaguesve për pastrimin e parave, financimin e terrorizmit apo për çdo vepër tjetër penale, që lidhet me origjinën e jashtëligjshme të fondeve apo pasurisë dhe për rrjedhojë nuk cenon zbatimin e asnjë prej detyrimeve të ligjit për parandalimin e pastrimit të parave.
Ligji është kritikuar nga institucione ndërkombëtare dhe organizata biznesi, të cilat kanë ngritur shqetësime se mund të krijojë rrezik për pastrimin e parave.
Aplikimet për marrëveshjen e paqes fiskale dhe rideklarimin e pasqyrave financiare u hapën më 15 maj dhe u mbyllën më 5 qershor 2026.
Ekspertët kërkuan më herët shtyrje të afatit për aplikimet e marrëveshjes së Paqes Fiskale, pasi afatet e kufizuara të zbatimit mund të krijojnë vështirësi në implementimin e procesit.
Ndërkohë, përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve në një takim me bizneset kanë sqaruar, si këtë vit çdo zgjatje e mëtejshme e afateve do të ndikonte në shkurtimin e periudhës minimale 1-vjeçare të zbatimit të marrëveshjes për tatimpaguesit./ Monitor
Lexo edhe
AKTUALITET
Shqipëria e treta në Europë për çmimet e larta të bulmetit, 35.6% më shumë se mesatarja në 2025

Aksident në Tiranë, përleshje mes të përfshirëve/ Dyshohet se efektivi i policisë nxori armën

Jonaid Myzyri i OBP i fal 1.1 milion € kunatit të Belës, oligarkut në SPAK Arbër Abazit

Slloveni endacak në Durrës goditet disa herë me thikë, autorët largohen nga vendi i ngjarjes

U kap me dhjetëra doza kokainë, burg për 48-vjeçarin shqiptar në Britani





