Viola Haxhiademi e KESH i jep pa garë 5.4 milionë euro Petroliferës për lëndën djegëse për “Tigrat” në Vlorë?!

Afera e TEC-eve Lundruese të vendosura në zonën e Triportit në Vlorë sa vjen e thellohet, teksa disa ditë pasi KESH-i hapi një supër tender me vlerë 20 milionë euro për operimin e tyre ja ku vjen procedura e radhës, e cila po bëhet totalisht pa garë. Karakatinat po “hanë” dhjetëra miliona euro shtesë, nga ato të parashikuara në fillim të kontratës, edhe ajo tepër e debatuar dhe me një kosto stratosferike për buxhetin e shtetit.
Vox News ka analizuar dokumentet e procedurës së radhës të mbajtur nga Viola Haxhiademi, administratore e Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare, e cila vetëm me një të rënë të lapsit mund t’i japë kompanisë Petrolifera një shumë prej 5.4 milionë euro. Nuk bëhet fjalë për një tender të ri, por një negocim mes Violës dhe drejtuesve të kompanisë private.

Faksimile: Procedura me negocim e KESH-it për depozitimit të lëndës djegëse për TEC-et lundruese
Sipas dokumeneve që disponon redaksia jonë, KESH-i ka hapur formalisht një procedurë për Tigrat e Vlorës. Objekti është “depozitim dhe ngarkim - shkarkim i lëndës djegëse për TEC Lundrues, Vlorë”. Fondi limit i akorduar është plot 510,000,000 lekë, ose nëse do t’a konvertojmë në euro shuma shkon në plot 5.4 milionë euro.
Në të njëjtin dokument shkruhet se tipi i procedurës është “me negocim, pa njoftim”, çka do të thotë se Viola Haxhiademi ka negociuar me firma private për këtë punë, pa bërë një garë qoftë formale, por të jetë e shkruar në letra. Në dokumente nuk specifikohet se me cilën firmë ka negociuar Viola, ndërkohë që të gjitha indiciet të çojnë te Petrolifera, e cila ka fituar në vitin 2023 tenderin me të njëjtin objekt.
Në atë kohë, KESH-i kishte drejtues tjetër, madje edhe ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, të gjithë nën akuzë, teksa tashmë ish-drejtorët e mëdhenj në të njëjtën ministri kanë marrë poste të rëndësishme. Ata po vijojnë “punët” e të parëve, ku për Tigrat kanë porosi të dyfishtë. Në 2023-shin vlera e lëndës djegëse për TEC-et lundruese ka qenë 7.2 mln euro. Edhe në atë kohë, procedura u bë me negocim të drejtëpërdrejtë.
Aktualisht, Petrolifera ka bërë shërbimin e shkarkimit të naftës nga anijet që do të mbërrijnë në Port, depozitimin e saj dhe më pas ngarkimin në kamionat, të cilët do të transportojnë tek dy termocentralet lundruese. Nafta është blerë dhe do të blihet nga Korporata Eleketroenergjetike Shqiptare.

Faksimile: Njoftimi i tenderit që ka hapur KESH për mirëmbajtjen e TEC-it lundrues në Vlorë
Disa ditë më parë, Vox News publikoi ekskluzivisht një procedurë të hapur nga KESH-i për të mirëmbajtur dy anijet e ndryshkuara. Sipas dokumenteve, është hapur një tender i majmë me vlerë plot 20 milionë euro, teksa ka si objekt “operim dhe mirëmbajtje e asetit gjenerues Termik, Vlorë”. Sipas kontratës, dy anijet janë me qira, teksa KESH-i paguan çdo muaj qindra mijëra euro.
Ndërkohë që jo shumë larg vendit ku janë akomoduar ato karakatina të ndryshkura, qëndron i konservuar një tjetër TEC, kostoja e të cilit ka shkuar në plot 130 milionë euro. Shteti ynë paguan miliona euro për konservimin e TEC-it në tokë dhe qindra miliona euro të tjera për TEC-et Lundruese. /Vox
Lexo edhe
AKTUALITET
Nis gara për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, KLP verifikon 4 kandidaturat

Aksident i rëndë në Rrugën e Kombit, plagoset 1 person

Përdorimi i telefonit në timon "fundos" shoferët, mbi 12 mijë gjoba në Tiranë gjatë javës

Ia dha Jet Ski-n me qira një 12-vjeçari, gjobitet pronari i mjetit lundrues në Dhërmi

EMRI/ Gjendet trupi i minatorit 40-vjeçar që u aksidentua në minierë





