Vorë–Hani i Hotit, nënshkruhet kontrata 8.8 mln euro për mbikëqyrjen e rehabilitimit të hekurudhës

Një bashkim kompanish ndërkombëtare, franceze dhe spanjolle, ka nënshkruar një kontratë me vlerë rreth 8.8 milionë euro për të mbikëqyrur rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë–Hani i Hotit.
Konsorciumi SAFEGE–EPTISA, i përbërë nga SUEZ Consulting dhe EPTISA Servicios de Ingeniería S.L., do të mbulojë shërbimet e konsulencës mbikëqyrëse për projektin.
Projekti financohet dhe mbështetet nga institucione ndërkombëtare dhe zbatohet nga Hekurudha Shqiptare(HSH), operatori shtetëror përgjegjës për rrjetin hekurudhor në vend. Roli i konsulentit përfshin mbikëqyrjen e plotë të punimeve civile, si dhe të furnizimit dhe instalimit të sistemeve elektromekanike, duke siguruar përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare, respektimin e afateve dhe kontrollin e cilësisë gjatë zbatimit.
Kontrata, e nënshkruar në shkurt 2026 dhe e publikuar së fundmi në sistemin e prokurimeve të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim(BERZH), parashikon një afat deri në gusht 2032, në përputhje me natyrën afatgjatë dhe shumëfazëshe të projektit. Përzgjedhja është bërë përmes një tenderi të hapur me dy zarfa dhe parakualifikim, që synon të balancojë vlerësimin teknik dhe atë financiar.
Linja Vorë–Hani i Hotit është pjesë e investimeve më të gjera në sektorin hekurudhor shqiptar, me një vlerë totale projekti prej rreth 356 milionë eurosh, të bashkëfinancuar nga institucione ndërkombëtare përmes granteve dhe huave. Projekti përfshin rehabilitimin dhe ndërtimin e rreth 120 kilometrave linjë dhe synon integrimin e Shqipërisë në rrjetin hekurudhor europian TEN-T dhe Korridorin Pan-Europian X.
Linja ekzistuese, e ndërtuar në disa faza nga vitet 1960 deri në 1985, lidh zona urbane përgjatë ultësirës perëndimore dhe kalon deri në kufirin me Malin e Zi në Han të Hotit. Ajo mbulon disa bashki përgjatë itinerarit dhe prej vitesh ka operuar me kufizime, ndërsa u ndërpre pas dëmtimeve nga tërmeti i vitit 2019./Monitor
Lexo edhe
AKTUALITET
Gjykata liron 15 protestuesit e opozitës! Lihen në detyrim paraqitje

Vrasja e Ardian Nikulajt, gjykata e Lezhës jep sot vendimin për Ruben Saraivën

Shqiptarja tenton të vrasë vjehrrën e paralizuar duke i dhënë helm minjsh!

'Dosjet janë stok'/ Xhixho: Harta Gjyqësore dështim i paralajmëruar, qytetarët mbeten pa drejtësi

Bllokohet kamioni me 30 tonë misër, procedohet tregtari! Policia: Ngarkesa ishte pa faturë!





