Zjarri 'pushton' Krujën, banorët akuza të forta qeverisë: Autoritetet vonuan ndërhyrjen

Një zjarr masiv përfshiu mbrëmjen e së shtunës qytetin e Krujës, duke u përhapur me shpejtësi nga lagjja Abazaj drejt zonave të banuara dhe sipërfaqeve pyjore të Malit të Krujës. Flakët rrezikuan dhjetëra banesa e biznese, një magazinë u shkrumbua plotësisht, teksa situata kritike u shënua edhe në Spitalin e Krujës. Për shkak të përparimit të flakëve, u urdhërua evakuimi i banorëve në zonat e rrezikuara. Banorët dhe forcat zjarrfikëse luftuan me flakët në kushte të vështira, teksa zjarri u shua mesditën e së dielës, duke lënë pas dëme të konsiderueshme materiale dhe në pasurinë natyrore, por fatmirësisht pa persona të lënduar.
Kruja ka kaluar orë ferri mbrëmjen e së shtunës teksa u përfshi nga një zjarr masiv, i cili u shua vetëm mesditën e kësaj të diele. Zjarri i nisur në lagjen Abazaj u përhap me shpejtësi duke rrezikuar kërcënueshëm dhjetëra banesa dhe biznese, teksa përfshiu edhe disa nga lagjet më të vjetra të qytetit. Flakët përfshinë një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore, duke shkaktuar dëme të mëdha në pasurinë natyrore në Malin e Krujës, duke vënë në rrezik banesat dhe objektet pranë zonës së përfshirë nga flakët. Zjarri u përshkallëzua me shpejtësi, pasi flakët hynë në oborret e banesave, iu afruan magazinave dhe një pike të shpërndarjes së gazit, duke rritur ndjeshëm rrezikun për banorët. Një magazinë u shkrumbua plotësisht nga zjarri, ndërsa dëmet materiale mbeten të konsiderueshme.
Për më shumë se 12 orë banorët u janë bashkuar forcave zjarrfikëse duke luftuar me flakët me mjete rrethanore për të mbrojtur pronat e tyre. Situata është vështirësuar nga terreni i thyer malor dhe ardhja e natës që bëri të pamundur ndërhyrjen me helikopterë për shuarjen e zjarrit, ndërsa forcat zjarrfikëse janë zmbrapsur disa herë nga fuqia e flakëve.
Përballë situatës kritike, autoritetet lëshuan urdhër urgjent evakuimi për banorët e zonave të Barabit dhe Llubanit, ku flakët, të favorizuara nga era, po avanconin drejt zonave të banuara, duke rrezikuar edhe zona të tjera si Abaze, Rruga e malit dhe Kercinë. Orë të vështira u përjetuan edhe në Spitalin e Krujës, ku flakët iu afruan rreth 50 metra godinës, duke detyruar evakuimin e pacientëve gjatë natës, në një prej momenteve më kritike të situatës. Pavarësisht përmasave të zjarrit dhe rrezikut të krijuar për banesat, objektet dhe spitalin, nuk u raportuan persona të lënduar.
Banorët rrëfyen orët e tmerrit që përjetuan gjatë mbrëmjes së të shtunës, teksa akuzuan autoritetet e shtetit për vonesa në ndërhyrje për shuarjen e flakëve.
Në terren ishte i pranishëm edhe Kryetari i Partisë Demokratike në Krujë, Aulon Kalaja, i cili ndoqi nga afër situatën dhe ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse, policisë dhe ushtrisë. Ai tha se zjarri krijoi problematika edhe në zona të tjera, ndërsa vatra në Varosh ishte më shqetësuesja.
Beteja me flakët vijoi deri në mesditën e kësaj të diele, derisa zjarri u shua, por banorët rrëfejnë vështirësitë dhe momentet e tmerrit të përjetuar.
Edhe pse fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar, dëmet materiale të lëna pas nga zjarri ishin të konsiderueshme. Kurora e vecantë me pisha e Krujës është shkrumbuar dhe po ashtu sipërfaqe të tëra me drurë frutorë. Kjo ngjarje ka shënuar një prej episodeve më kritike të zjarreve në Krujë gjatë kësaj periudhe.
Lexo edhe
AKTUALITET
Autobusi i “Green Line” vrau të moshuarin te vijat e bardha. Policia fsheh ngjarjen?

Rrezikuan mbytjen në plazhin e Velipojës, shpëtohen dy pushuesit

Skandal pranë Valamarit/ Ujërat e zeza shkarkohen në det, ndotja përhapet përgjatë bregut

VIDEO/ Tym dhe hi, çfarë la pas zjarri masiv në Krujë

“Për 5 minuta zjarri rrethoi shtëpinë”, banorët rrëfejnë tmerrin nga flakët në Krujë: Vetëm shpirti jonë e di çfarë hoqëm





