272 ditë pa ndërprerje në det/ Aeroplanmbajtësja ‘Abraham Lincoln’ kthehet në SHBA me 5 mijë marinarë të rraskapitur

Pas gati nëntë muajsh prani pothuajse të pandërprerë në det, aeroplanmbajtësja amerikane USS Abraham Lincoln përfundoi misionin e saj në Lindjen e Mesme dhe të enjten nisi rrugën e kthimit drejt San Diegos.
Për rreth 5,000 marinarët e saj, megjithatë, fundi i misionit është ende larg: përpara tyre është një udhëtim prej rreth 13,000 miljesh, i cili pritet të zgjasë edhe katër deri në pesë javë.
“Abraham Lincoln” ishte nisur nga San Diego më 21 nëntor 2025 dhe gjatë 272 ditëve bëri vetëm dy ndalesa të shkurtra: një në Guam në dhjetor dhe një në Oman për furnizim me karburant.
Pjesa më e madhe e dislokimit të tij ishte e lidhur me operacionet ushtarake amerikane kundër Iranit, në një periudhë kur Uashingtoni rriti ndjeshëm praninë e tij ushtarake në rajon. Megjithatë, pas shifrave fshihet një nga angazhimet më të vështira të viteve të fundit për Marinën Amerikane. Mijëra pjesëtarë të ekuipazhit kaluan muaj të tërë pa pasur pothuajse fare ditë pushimi në tokë, ndërsa gjatë javëve të fundit janë shtuar raportimet për probleme serioze me kushtet e jetesës në bordin e anijes.
Deputetë demokratë kanë bërë referenca ndaj informacioneve për mungesa të furnizimeve bazë, probleme me cilësinë e ujit, defekte në ambientet sanitare, si dhe përkeqësim të gjendjes psikologjike të pjesëtarëve të ekuipazhit.
Një rol vendimtar duket se kanë luajtur edhe problemet me furnizimin, të shkaktuara pas shkatërrimit nga Irani të bazës detare amerikane në Manama të Bahreinit, e cila ishte një nga nyjet më të rëndësishme të mbështetjes për forcat detare amerikane në Gjirin Persik.
Kreu i Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), admirali Brad Cooper, u përpoq të minimizonte një pjesë të akuzave, duke i cilësuar shumë prej problemeve si “lajme të vjetra”. Në një artikull të botuar në Wall Street Journal, ai i dha lamtumirën ekuipazhit të USS Abraham Lincoln, duke shprehur urimin që pjesëtarët e tij të kthehen sa më shpejt pranë familjeve të tyre.
Megjithatë, largimi i aeroplanmbajtëses nuk sinjalizon një de-përshkallëzim amerikan në Lindjen e Mesme. Vakumi u mbush menjëherë nga USS George Washington, e cila është e bazuar në Japoni dhe tashmë ka kaluar nën kontrollin operacional të CENTCOM.
Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbajnë rreth 20 anije luftarake në rajon, jashtë Gjirit Persik. Mes tyre ndodhen dy grupe luftarake të aeroplanmbajtëseve, të përqendruara rreth USS George H.W. Bush dhe USS George Washington, si dhe një forcë amfibe me një njësi ekspedicionare të Trupave të Marinës dhe disa destrojerë.
Këto të fundit kanë marrë përsipër edhe zbatimin e bllokadës së rinovuar ndaj porteve iraniane, të urdhëruar nga presidenti Donald Trump, e cila tashmë ka hyrë në ditën e 38-të. /PiranjatNews/
Lexo edhe
BOTA
Lidhja e fshehtë me ish-këngëtaren/ Shitësi i veturave bëhet princ në Belgjikë pas 26 vitesh

FBI bastis shtëpinë e Eric Swalwell, i sekuestrohen edhe pajisjet elektronike

Historia që përloti botën/ Izraeli pranon për herë të parë vrasjen e 5-vjeçares

“Kushdo që e viziton vdes”/ Mark Zuckerberg blen kështjellë prej 35 milionë dollarësh

Pas Kolumbisë, një tjetër shtet shkundet nga tërmeti mbi 7 ballë





