CIA paralajmëron Rusinë të mos sulmojë vendet e NATO-s

Kreu i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikane (CIA), John Ratcliffe ka paralajmëruar Rusinë të mos sulmojë vendet anëtare të NATO-s gjatë një vizite në Moskë, raportoi sot “Wall Street Journal” dhe “Politico”, duke cituar burime anonime.
Ratcliffe vizitoi të martën Moskën, por deri tani janë bërë të pakta detajet për përmbajtjen e bisedimeve të tij.
Sipas “Politico”, paralajmërimi i Ratcliffe lidhej me mundësinë e një përshkallëzimi të konfliktit në vendet lindore të NATO-s, veçanërisht në rajonin e Baltikut.
Ai i kërkoi gjithashtu Kremlinit të reduktojë mbështetjen ushtarake dhe financiare për Iranin.
Presidenti amerikan, Donald Trump konfirmoi vizitën e Ratcliffe gjatë një programi radiofonik, por mohoi që ajo të kishte lidhje me një sulm të mundshëm rus ndaj NATO-s apo me konfliktin në Iran. Sipas Trump, vizita ishte “pjesërisht rutinë”.
“Ne do të donim që lufta në Ukrainë të përfundonte”, tha Trump.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov konfirmoi gjithashtu se Ratcliffe kishte udhëtuar në Moskë për bisedime me zyrtarë të shërbimeve ruse të sigurisë.
Peskov theksoi se presidenti rus, Vladimir Putin nuk ishte takuar me Ratcliffe.
Kjo besohet të jetë vizita e parë e Ratcliffe në Moskë, që prej marrjes së drejtimit të CIA-s.
Vizita e fundit e njohur e një drejtori të CIA-s në Rusi ishte në vitin 2021, kur William Burns udhëtoi drejt Moskës dhe u takua me Putinin.
Burns u dërgua atje nga presidenti i atëhershëm amerikan Joe Biden në përpjekje për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit në Ukrainë.
Megjithatë, Putini nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës në shkurt 2022.
Lexo edhe
BOTA
Makina e oficerit rus shpërthen në Shën Petersburg, ushtari humb jetën

Rusia kërcënon Britaninë dhe Francën për ndihmën ndaj Ukrainës: Po luajnë me zjarrin!

Gjermani, mbi 15.800 viktima nga vala ekstreme e të nxehtit

Bill Gates: Bota nuk është e përgatitur për atë që po vjen

Ethet e Nilit Perëndimor/ Si transmetohet, simptomat dhe kush rrezikon më shumë





