“Do ta spastroja etnikisht Kosovën”/ Deklarata skandaloze e ministres serbe ndez diplomacinë, raportuesi i PE: E turpshme

Një deklaratë e paprecedentë dhe luftënxitëse e ministres serbe të Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, ka ngjallur një valë të fuqishme reagimesh negative në Kosovë dhe në arenën ndërkombëtare. Paunoviq u shpreh publikisht se po të ishte në vend të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.
Kjo gjuhë e hapur e urrejtjes dhe glorifikimit të krimeve të luftës ka vënë në lëvizje zyrtarët e lartë evropianë dhe ka dëmtuar sërish klimën e brishtë të bisedimeve mes dy vendeve.
Raportuesi i PE: Deklaratë e turpshme, shkatërron besimin te dialogu
Reagimi i parë i fortë nga Brukseli erdhi nga Raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras. Përmes një mesazhi në rrjetin social X, Terras e ka dënuar ashpër qëndrimin e ministres serbe, duke vënë në dukje se deklarata të tilla minojnë plotësisht përpjekjet e Bashkimit Evropian për paqe në rajon.
“Një deklaratë e turpshme nga një ministre e Serbisë, Snezhana Paunoviq. Kjo e shkatërron seriozisht besimin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, shkroi i prerë Terras.
Kosova ngre alarmin në BE: Shkelje e Marrëveshjes së Brukselit
Nga ana tjetër, pala kosovare ka reaguar menjëherë zyrtarisht. Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Agron Bajrami, bëri të ditur se ky skandal është adresuar tashmë zyrtarisht pranë autoriteteve më të larta të Bashkimit Evropian. Sipas Bajramit, deklarata të tilla jo vetëm që rikthejnë retorikën e errët të viteve ’90, por shkelin hapur edhe angazhimet e marra së fundmi nga Beogradi.
“Deklarata përbën shkelje të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2023 dhe minon seriozisht dialogun, besimin dhe procesin e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi kryenegociatori kosovar.
Kjo deklaratë skandaloze e Paunoviqit ka sjellë një dënim unanim nga zyrtarë vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët theksojnë se përdorimi i kësaj gjuhe është krejtësisht i papranueshëm dhe bie ndesh me çdo përpjekje për fqinjësi të mirë, dialog dhe pajtim në Ballkanin Perëndimor.
Lexo edhe
BOTA
Deklarata e ministres serbe për Kosovën ndez reagime në Europë, eurodeputeti çek kërkon përjashtimin e Beogradit nga negociatat me BE-në...

“Nuk e di çfarë godita, po ha pica”/ 18-vjeçari që ecte si i çmendur aksidenton të moshuarin në Britani, ikën në shtëpi si të mos ketë nd...

Zjarr i përmasave të mëdha në Spanjë, digjen mbi 45 mijë hektarë tokë

Reagimet pas deklaratës së Paunoviç për spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës/ Kos: Nuk mund ta imagjinoj që qëndron ende në detyrë...

Mitsotakis sulmon opozitën dhe Prokurorinë Europiane për hetimet: Kush do t’u kërkojë falje ministrave tanë?





