E pazakontë/ Shpenzoi 6 mijë dollarë për Kupën e Botës, por mbeti i bllokuar te porta e hyrjes

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur me një familje që kishte shpenzuar mijëra dollarë për të ndjekur ndeshjet e Kupës së Botës, por në fund mbeti e bllokuar jashtë stadiumit.
Kur Sergio Enrique Alvarado Montalvo pagoi rreth 1,700 dollarë (1,300 £) në platformën StubHub për t’i bërë surprizë babait të tij me bileta të Kupës së Botës, ai ëndërronte një Ditë të Babait të paharrueshme, duke parë Lionel Messin në fushë.
Por ëndrra u kthye në zhgënjim. Pasi familja udhëtoi nga Meksika në Dallas për ndeshjen Argjentina kundër Austrisë, dhe shpenzoi gati 6,000 dollarë (4,600 £) për udhëtim dhe akomodim, ata përfunduan të bllokuar jashtë portave të stadiumit.
Vetëm një ditë para nisjes, StubHub e njoftoi Montalvon se shitësi nuk mund të dorëzonte biletat dhe nuk ofroi zëvendësime të ngjashme për shkak të rritjes së çmimeve.
Megjithatë, familja shkoi në stadium me shpresën se situata do të zgjidhej në minutën e fundit. Montalvo qëndroi në telefon me StubHub deri një orë para fillimit të ndeshjes.
“Ishe shumë i trishtuar, i frustruar dhe plot zemërim,” tha ai për BBC. “Është një përzierje emocionesh që nuk shpjegohet lehtë.”
Rasti i tyre nuk është i izoluar dhe po konsiderohet nga ekspertët si pjesë e një prej krizave më të mëdha të biletave në historinë e eventeve sportive. Me Kupën e Botës 2026 që zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, shumë tifozë po përballen me anulime të minutës së fundit në platformat e rishitjes.
Sipas ekspertëve të industrisë, shkaku kryesor është praktika e quajtur “shitje spekulative biletash”, ku shitës të pa verifikuar listojnë bileta që nuk i kanë ende në dorë, duke shpresuar t’i sigurojnë më vonë me çmime më të ulëta.
Kur çmimet rriten, këta shitës tërhiqen nga marrëveshjet, duke i lënë blerësit pa bileta dhe me rimbursime që nuk mbulojnë shpenzimet e udhëtimit.
Një situatë e ngjashme iu ndodhi edhe familjes së Eben Pingree nga Bostoni, i cili kishte paguar 2,800 dollarë për bileta të ndeshjes Skocia kundër Haitit, si surprizë për djalin e tij 11-vjeçar. Edhe ata mbetën pa bileta në ditën e ndeshjes.
“Na lanë thjesht aty dhe djali im ishte i shkatërruar,” tha ai për BBC.
Ndërkohë, familja e Montalvos e kaloi mbrëmjen në një festival tifozësh në Dallas, në vend të stadiumit.
“Ishte një fundjavë shumë e trishtuar, por gjithsesi e kaluam kohën së bashku,” tha ai.
Rasti ka çuar edhe në padi ligjore kundër StubHub, ku dy tifozë akuzojnë platformën se nuk ka dorëzuar biletat e blera dhe se ka shkaktuar humbje të mëdha financiare.
Sipas padisë, kjo situatë përfaqëson një “nivel të ri problemi” në një industri që prej kohësh kritikohet për mungesë mbrojtjeje ndaj konsumatorit.
StubHub ka deklaruar se çdo blerje mbulohet nga garancia e saj “FanProtect”, e cila siguron rimbursim ose bileta zëvendësuese. Megjithatë, për shumë tifozë që kanë shpenzuar mijëra dollarë për udhëtime jo të rimbursueshme, kjo garanci ka pak vlerë praktike.
Ndërsa Kupa e Botës vazhdon, ekspertët paralajmërojnë se raste të tilla mund të shtohen, duke lënë gjithnjë e më shumë tifozë jashtë stadiumeve dhe me përvoja të zhgënjyera në vend të kujtimeve të paharrueshme./Përktheu Piranjat News
Lexo edhe
BOTA
Gjendet e vdekur 23-vjeçarja bullgare në Selanik/ Autoritetet nisin hetimet për shkaqet

Vendimi që mund të ndryshojë garën presidenciale në Francë/ Marine Le Pen pret fatin politik

Rutte dhe Erdogan shfaqen duke ecur dorë për dore para Samitit të NATO-s

Jo tanke, raketa dhe armë bërthamore! Greqia dhe Turqia “luftë” për bakllavanë, i drejtohen UNESCO-s

New York Times: Trump do t'i thotë Erdoganit se është i gatshëm ta rikthejë Turqinë në programin F-35





