Editorial Emisione Investigime Aktualitet Sociale Politikë Kosova Bota Showbiz Lifestyle Sport
TË FUNDIT
Prokuroria nis hetimet ndaj shefit të Shërbimit Sekret serb (BIA) dhe ministrit të Drejtësisë. Këto janë ak... Studentët çojnë në Gjykatën Kushtetuese aktet normative kundër protestës "Ne jemi rebelë, trima dhe nuk do të frikësohemi”/ The Times: Protestat për rrëzimin e Ramës, studentët nuk... VIDEO/ Përleshje mes protestuesve dhe policisë në Paris, marshime në të gjithë vendin  VIDEO/ Dalin pamjet, momenti kur klani i shqiptarit Klod Cara hedh në erë bizneset Zbardhen mesazhet/ Eksperti i çoi Agasit letrat e ekspertimit të makinës, 3 ditë para se t’ia dërgonte SPAK... Qëlloi me armë drejt dy personave në Berat, arrestohet 36-vjeçari Berisha: Balluku, “mur i pakalueshëm” në rrugën drejt BE-së "E kam shoqe të ngushtë"/ Zbardhen mesazhet e Ergys Agasit me izraelitët për Vlora Hysenin: Jemi me fat Lista e krimeve mafioze/ Si Nuredin Dumani mund të shpëtojë me më pak se 10 vite burg pas veprave penale që... “Dashuria nuk matet me gjak”/ Urimi prekës i Çiljetës për Bekon: Ndoshta nuk të kam sjellë unë në jetë, por... Berisha: Raporti i KE damkos Ramën, Shqipëria është diktaturë autoritare
BOTA

Fotografimi i varreve të ushtarëve të vrarë po ndiqet penalisht në Rusi

P
Piranjat16 August 2026, 15:47 · 6 min lexim
Fotografimi i varreve të ushtarëve të vrarë po ndiqet

Një fotografi e turbullt, që tregon një burrë, i cili duket se po detyrohet të gjunjëzohet në dëborë nga dy burra të tjerë me rroba civile.

E publikuar javën e kaluar nga Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB), fotografia pretendohet se tregon momentin e arrestimit në Jarosllavl, rreth 250 kilometra në verilindje të Moskës, të një 48-vjeçari, për “fotografimin dhe filmimin në mënyrë të fshehtë” të varreve të ushtarëve të vrarë në Ukrainë.

Ky ishte i fundit në një seri rastesh në të cilat njerëz janë përballur me akuza për tradhti për fotografimin e varreve të ushtarëve rusë.

Në fund të qershorit, autoritetet në rajonin e Tomskut, në Siberi, njoftuan se “disa” persona ishin arrestuar për mbledhjen e informacioneve për ushtarët rusë, përfshirë të vrarët në luftë, në këmbim të pagesave në para.

Dy raste të ngjashme janë regjistruar edhe në rajonin e Sverdlovskut, ku dy të dyshuar janë akuzuar se u dërgonin “personave që i drejtonin” fotografi në këmbim të rreth 1 dollari për fotografi.

Në Jekaterinburg, kryeqytetin rajonal, autoritetet thanë se patrullimet e sigurisë në varreza po shtoheshin, “në mënyrë që personat që po synohen nga rekrutuesit [që kërkojnë fotografi të varreve] të kuptojnë se kjo nuk është një çështje e padëmshme – është krim që mund të sjellë dënim të vërtetë”.

Në shumicën e rasteve, FSB-ja pretendon se të dyshuarit punonin për persona që i drejtonin nga Ukraina.

Fotografitë e varreve kanë qenë burim informacioni për gazetarët dhe grupet e të drejtave të njeriut që përpiqen të vlerësojnë numrin e rusëve të vrarë duke luftuar në Ukrainë – shifër që autoritetet ruse janë të interesuara ta mbajnë të fshehtë.

Ekzistojnë vlerësime të ndryshme për numrin e viktimave.

Në maj, një drejtues i inteligjencës britanike tha se rreth 500.000 ushtarë rusë ishin vrarë që nga nisja e pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Kremlini në vitin 2022. Një raport i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), me bazë në Uashington, muajin e kaluar e vlerësoi shifrën në 450.000.

“Kremlini ka bërë çdo përpjekje për ta fshehur numrin e vërtetë të viktimave”, tha për Radion Evropa e Lirë në fillim të këtij viti analisti i CSIS-it, Seth Jones. “Ushtria ruse ka performuar më keq se çdo ushtri tjetër e madhe që kemi shqyrtuar gjatë shekullit të kaluar".

CSIS-i citon intervista me zyrtarë amerikanë, ukrainasë dhe evropianë, si dhe raportime nga terreni të Mediazona-s, një media e pavarur ruse që autoritetet ruse e kanë klasifikuar si “agjent të huaj”.

Ajo ka regjistruar emrat e 236.000 ushtarëve rusë, për të cilët thotë se ka konfirmuar se kanë vdekur në Ukrainë. Në maj, vlerësimi i saj për numrin real të të vrarëve në luftë ishte rreth 350.000.

“Për ne, shkuarja në varreza ishte një burim mjaft i rëndësishëm informacioni”, tha për Current Time redaktori i Mediazona-s, Dmitry Treshchanin. “Asnjëherë më parë kjo nuk ishte interpretuar si tradhti".

Rastet e tradhtisë kanë ardhur duke u shtuar në Rusi që nga fillimi i pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022.

Treshchanin tha se, përveç interesit zyrtar për të fshehur numrin e të vrarëve në luftë, rastet e fundit vijnë në një kohë kur mashtruesit po përpiqen të synojnë familjet që kanë humbur të afërmit e tyre në luftime.

Kjo mund të përfshijë kontaktimin e tyre me informacione të rreme se i afërmi i tyre është kapur nga forcat ukrainase dhe kërkimin e parave për të siguruar lirimin e tij. Fotografitë e varreve mund të ndihmojnë në identifikimin e viktimave të mundshme.

“Na kanë shkruar duke kërkuar emrat e të vdekurve”, tha Treshchanin, duke shtuar se situata po krijonte një rrezik të ri për vullnetarët që fotografojnë varret për hetime nga burime të hapura.

“Ata janë në rrezik të jashtëzakonshëm. Mund të dënohen me 12 deri në 20 vjet burg për këto fotografi”, tha ai.

Në rastin në Jarosllavl, prokurorët thonë se i dyshuari kishte nisur të fotografonte dhe filmonte në tetor të vitit 2024.

“Banori i Jarosllavlit ia dërgoi informacionin shërbimeve speciale ukrainase përmes Messenger-it”, thuhet në një deklaratë të publikuar nga gjykata, e cila shton se rasti do të shqyrtohet me dyer të mbyllura.

Treshchanin tha se të dyshuarit mund të kurthohen lehtësisht nga FSB-ja, e cila mund t’u ofrojë para për të fotografuar varret.

“Mashtruesit as nuk kanë nevojë të ekzistojnë. I cakton dikujt një detyrë dhe më pas ‘zbulon’ krimin që gjoja kishte planifikuar të kryente”, tha ai.

Marrja e dëshmive të drejtpërdrejta për të vrarët rusë në luftë nga varrezat tani është bërë një veprim shumë më i rrezikshëm. Por, ka edhe mënyra të tjera, përfshirë njoftimet për vdekjet e publikuara në burime zyrtare ruse ose në media, postimet në rrjetet sociale nga miqtë apo familjarët, si dhe informacionet për ceremonitë mortore./REL

SHPËRNDAJE

Lexo edhe

BOTA

Me rëndësi

Ndiqni Piranjat kudo.

Investigime, denoncime dhe satirë — zëri që nuk hesht.