Hungaria, operacion spiunazhi në Bruksel

Një hetim zyrtar i Komisionit Evropian ka konfirmuar se shërbimet hungareze të inteligjencës vendosën agjentë në përfaqësinë diplomatike të Hungarisë pranë Bashkimit Evropian në Bruksel gjatë viteve 2013-2016, ku ata zhvilluan aktivitete që shkonin përtej detyrave të zakonshme diplomatike.
Konfirmimi vjen përmes një letre të komisionerit evropian për Buxhetin dhe Administratën Publike, Piotr Serafin, drejtuar eurodeputetëve, në të cilën thuhet se disa oficerë të inteligjencës operuan nga misioni diplomatik hungarez për një “mision specifik” që nuk lidhej me funksionet normale të përfaqësive diplomatike.
Sipas Komisionit Evropian, aktivitetet nisën në mënyrë diskrete, por u bënë gjithnjë e më të dukshme pas vitit 2015, çka kufizoi efektivitetin e tyre. Institucioni vlerëson se operacioni përfundoi në vitin 2016 dhe nuk shkaktoi ndonjë shkelje serioze të sigurisë së institucioneve evropiane.
Hetimi nuk atribuon përgjegjësi individuale përtej oficerëve të inteligjencës dhe nuk përmend emra zyrtarësh politikë. Megjithatë, periudha përkon me kohën kur përfaqësia hungareze në Bruksel drejtohej nga Olivér Várhelyi, aktualisht komisioner evropian nga Hungaria, i cili ka mohuar vazhdimisht të ketë pasur dijeni për aktivitetet e pretenduara.
Dyshimet për spiunazh u publikuan fillimisht vitin e kaluar nga media investigative hungareze Direkt36, në bashkëpunim me media belge dhe gjermane, të cilat raportuan se inteligjenca hungareze kishte tentuar të rekrutonte zyrtarë evropianë dhe të siguronte dokumente konfidenciale nga institucionet e Bashkimit Evropian.
Sipas Komisionit Evropian, përdorimi i përfaqësive të përhershme të shteteve anëtare si bazë për aktivitete të inteligjencës ndaj vetë institucioneve të Bashkimit Evropian konsiderohet një rast i paprecedentë.
Lexo edhe
BOTA
Avionët F-35 për Turqinë, Netanyahu kërkesë SHBA

VIDEO nga momenti/ I ndaluri bën për spital policin me shkopin e tij të gomës

VIDEO/ Grabitësi i maskuar hyn në pastiçeri, punonjësja përleshet me të me bishtin e fshesës. Pronari: Na kanë vjedhur 21 herë!

Hamasi shpërbën qeverinë në Gaza, ia transferon pushtetin një Komiteti të mbështetur nga OKB-ja

Zjarret përfshijnë Evropën Jugore, mijëra qytetarë të evakuuar

Venezuelë/ Një vajzë 12-vjeçare mbijetoi 32 orë në rrënoja duke ngrënë ketchup dhe djathë

Netanyahu kërkesë Trumpit: Mos i jepni F-35 Turqisë! Erdogan kërcënon hapur Izraelin

Zjarret përfshijnë Evropën Jugore, mijëra të evakuuar/ Autoritetet paralajmërojnë rreziqe dhe vështirësi në menaxhim





