Kanadaja i përgjigjet Trumpit “dollar për dollar”, tarifa ndaj 700 produkteve amerikane

Kanadaja ka vendosur t'i përgjigjet pothuajse “dollar për dollar” tarifave të Donald Trump, duke hapur një tjetër kapitull në luftën tregtare mes dy vendeve. Qeveria e kryeministrit Mark Carney njoftoi tarifa ndaj më shumë se 700 produkteve amerikane, me vlerë totale importesh prej 27.6 miliardë dollarësh kanadezë.
Ministri i Financave, François-Philippe Champagne, dhe ministrja e Industrisë, Mélanie Joly, prezantuan të martën atë që qeveria e cilësoi si një “përgjigje të fokusuar” ndaj tarifave amerikane që hynë në fuqi të shtunën.
Masat kanadeze prekin disa prej industrive kryesore amerikane, përfshirë çelikun, produktet e qumështit, pajisjet elektroshtëpiake, makineritë bujqësore, drurin, celulozën dhe letrën, produktet kozmetike dhe pajisjet për aktivitete në natyrë.
Lista e Otavës përmban më shumë se 700 produkte. Për pjesën më të madhe të tyre tarifat do të jenë 25% ose 50%, ndërsa një grup më i vogël, ku përfshihen kondicionerët dhe pjesë të caktuara veglash, do të përballet me tarifë prej 15%.
Masat hyjnë në fuqi më 8 shtator dhe do të zbatohen vetëm për mallrat me origjinë nga Shtetet e Bashkuara.
Kryeministri Mark Carney kishte paralajmëruar më herët se Kanadaja do t'i përgjigjej Uashingtonit “dollar për dollar”, pasi Shtëpia e Bardhë vendosi tarifa që prekin rreth 5% të eksporteve kanadeze drejt SHBA-së.
Tarifat amerikane hynë në fuqi pasi negociatat tregtare mes dy vendeve dështuan në fund të javës së kaluar.
Shtëpia e Bardhë deklaroi se përdori nenin 338 të Aktit të Tarifave të vitit 1930 si përgjigje ndaj politikave tregtare kanadeze që Uashingtoni i konsideron “diskriminuese”. Mes tyre përmendi edhe ndalimin nga disa provinca kanadeze të alkoolit amerikan, një masë që vetë Kanadaja e kishte vendosur më herët si kundërpërgjigje ndaj tarifave amerikane.
Në prezantimin e masave të reja, ministri i Financave Champagne tha se vendi është i bashkuar në përballjen tregtare me SHBA-në.
“Ne mbetemi zotër të shtëpisë sonë”, deklaroi ai.
Ministrja e Industrisë, Mélanie Joly, u bëri thirrje kompanive dhe qytetarëve të blejnë produkte kanadeze, duke e paraqitur këtë si pjesë të një lëvizjeje më të gjerë “rezistence” ndaj presionit tregtar amerikan.
“Ju keni fuqi”, u tha Joly konsumatorëve dhe bizneseve.
Qeveria kanadeze njoftoi njëkohësisht më shumë se 7 miliardë dollarë kanadezë mbështetje për bizneset e prekura nga vala e fundit e tarifave. Kjo shumë i shtohet më shumë se 20 miliardë dollarëve kanadezë mbështetje të shpallur gjatë 18 muajve të fundit.
Përplasja tregtare shoqërohet edhe nga një konflikt gjithnjë e më i ashpër politik mes Trump dhe drejtuesve kanadezë.
Të martën, presidenti amerikan tha se po shqyrton “seriozisht” ndryshimin e emrit të Liqenit Ontario në “Liqeni Amerika”, një ide që kujton vendimin e tij për ta quajtur Gjirin e Meksikës “Gjiri i Amerikës”.
Trump ka shkëmbyer deklarata veçanërisht të ashpra me kryeministrin e Ontarios, Doug Ford. Ky i fundit e ka quajtur presidentin amerikan “humbës” dhe “mbret të falimentimeve”, ndërsa i ka thënë publikisht Trumpit të “më puthë prapanicën”.
Ford ka kërcënuar gjithashtu se mund të ndërpresë eksportet e energjisë elektrike dhe të metaleve të rralla drejt Shteteve të Bashkuara.
Trump iu përgjigj duke e quajtur Ford një “shërbëtor” të “Guvernatorit Carney” dhe paralajmëroi drejtuesit kanadezë që të “rreshtohen”, përndryshe pasojat për Kanadanë do të jenë “shumë më të këqija”.
Presidenti amerikan reagoi edhe ndaj raportimeve se negociatorët e tij kishin kërkuar dobësimin e disa rregullave për përdorimin e gjuhës frënge në Kanada. Trump tha se nuk do të ndërhynte “kurrë” në të drejtën e kanadezëve për të folur frëngjisht dhe e cilësoi pretendimin si një “gënjeshtër” të kryeministrit Carney.
“I dua kanadezët francezë!”, shtoi Trump.
Me tarifat e reja të Otavës, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara po thellojnë një përplasje tregtare që prek dhjetëra miliarda dollarë mallra dhe disa prej sektorëve më të rëndësishëm ekonomikë të dy vendeve.
Lexo edhe
BOTA
VIDEO/ Sherr i egër me karrige, grushte dhe shqelma mes turistëve

Sulm i ri i Erdogan ndaj Izraelit: Gjenocidbërësit do të mposhten, ka nisur shekulli i Turqisë së fuqishme

Administrata Trump propozon tarifë prej 103 mijë dollarësh për këtë lloj vize

Nga avioni misterioz te një i burgosur amerikan, çfarë e çoi shefin e CIA-s në Moskë?

Mesdheu po përvëlohet! Eksperti evropian tregon si do të ‘tropikalizohet’ klima në të ardhmen!





