Katër të vdekur pas të shtënave me armë, mes tyre një grua shtatzënë dhe foshnja e saj

Të shtëna me armë zjarri u regjistruan të dielën në mbrëmje, më 16 gusht, në Isla Cristina, në Huelva, në rajonin jugor të Andaluzisë, në Spanjë. Nga të shtënat humbën jetën katër persona: një grua shtatzënë 39-vjeçare, bashkë me foshnjën 8-muajshe që mbante në bark, nëna e saj 62-vjeçare dhe një djalë 16-vjeçar, i cili, sipas hetimeve paraprake, duket se nuk kishte lidhje me konfliktin. Në sulm mbetën të plagosur edhe një 18-vjeçar, i cili ndodhet në spital në gjendje shumë të rëndë, si dhe një burrë tjetër, i cili ka marrë plagë të lehta.
Si ndodhi ngjarja
Sipas rindërtimit paraprak të Gardës Civile, të shtënat ndodhën rreth orës 22:00 në lagjen e njohur si El Rocío, ku dy persona të maskuar, të cilët lëviznin me motor, hapën zjarr ndaj një grupi njerëzish.
Pas sulmit, autorët i vunë zjarrin motorit, të cilin e braktisën në një zonë me pisha pranë kampingut Giralda, përpara se të largoheshin.
Hetuesit kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë së kampingut, ndërsa autoritetet kanë forcuar kontrollet në të gjithë territorin e bashkisë, përfshirë edhe varrezat ku po zhvillohen ceremonitë mortore të viktimave.
Shkaqet e mundshme
Zëvendëprefektja ka folur për “një konflikt të mundshëm hakmarrjeje mes klaneve”, pa përjashtuar pista të tjera. Hetimi, i koordinuar nga autoritetet e drejtësisë dhe i mbuluar nga sekreti hetimor, po shqyrton të gjitha hipotezat.
Sipas Gardës Civile, dy gratë e vrara ishin vjehrra dhe motra e një personi me precedentë penalë, të njohur me nofkën “El Baba”, i dyshuar si autor i një tjetër sulmi me armë të regjistruar në shtator të vitit 2024, në një lagje pranë Huelva-s. Në atë ngjarje humbi jetën një person dhe dy të tjerë u plagosën.
Dyshohet se ai sulm ishte pikënisja e konfliktit hakmarrës mes klaneve.
Ndërkohë, 18-vjeçari i plagosur rëndë mbrëmjen e së dielës dyshohet se është nip i “El Baba”, bëjnë të ditur hetuesit e Gardës Civile, të cilët që prej vitit 2024 kanë kryer kontrolle, bastisje dhe arrestime të shumta në Isla Cristina ndaj anëtarëve të klaneve të përfshira në këtë konflikt. /PiranjatNews/
Lexo edhe
BOTA
Qyteti i mrekullisë që “mposhti” tërmetin 7.4 ballë në Kolumbi dhe që nuk regjistroi asnjë viktimë

Si i anashkaloi Kim Jong-un sanksionet dhe futi deri në 22 miliardë dollarë në arkën e Phenianit

Video/ E rëndë në Greqi, rrëzohet helikopteri në ishullin Sifnos; tre persona gjenden pa ndjenja

40 vite në pritje, Erdogan ndërron mendje: Anëtarësimi në BE nuk përbën më prioritet për Turqinë

Përplasje e rëndë mes dy varkave në brigjet e Kanës, 10 të plagosur dhe një 22-vjeçar i zhdukur





