Kush janë “vejushat e zeza” ruse dhe si përfitojnë ato nga lufta

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia nuk ka ndikuar vetëm në jetën e përditshme të ukrainasve që janë prekur nga lufta që prej vitit 2022, por edhe në atë të rusëve, duke krijuar fenomene të reja të shfrytëzimit social dhe ekonomik.
Në vitet e fundit, janë shtuar ankesat për të ashtuquajturat "vejusha të zeza", gra që dyshohet se hyjnë në martesa fiktive me ushtarë rusë pak para se ata të nisen për në front, me qëllimin e vetëm për të përfituar kompensimin shtetëror në rast të vdekjes së tyre.
Fenomeni ka shkaktuar reagime të forta në Rusi, pasi gjithnjë e më shumë familje ushtarësh pretendojnë se po përjashtohen nga kompensimi financiar që shteti ua paguan përfituesve ligjorë.
Kompensime prej miliona rublash
Sipas sistemit aktual, kur një ushtar rus vritet në luftime, i afërmi i tij më i ngushtë ka të drejtë të përfitojë një shumë prej 5 milionë rublash, ose rreth 64 mijë dollarë.
Kjo ndihmë financiare u krijua për t'u ofruar siguri ekonomike familjeve të atyre që shërbejnë në front. Megjithatë, sipas zyrtarëve rusë, mediave shtetërore dhe të afërmve të ushtarëve, kjo skemë është kthyer në një mundësi për mashtruesit, të cilët shfrytëzojnë burrat e vetmuar ose të pambrojtur.
Këto gra, të njohura në mediat ruse si "vejusha të zeza", martohen me ushtarë pak para se ata të dërgohen në front dhe, nëse ushtarët vriten, ato bëhen automatikisht përfituese të kompensimit shtetëror, duke lënë jashtë të afërmit e tjerë.
Dasma pak para nisjes për në front, madje edhe në spital
Kohët e fundit kanë dalë në dritë një sërë rastesh që kanë shkaktuar reagime në shoqërinë ruse.
Mes tyre janë akuza për ushtarë që janë martuar vetëm pak ditë para se të niseshin për në Ukrainë, si dhe raste kur ceremonitë e martesës janë zhvilluar në spitale ushtarake, ndërsa ushtarët e plagosur ndodheshin në gjendje kritike.
Në një nga rastet më të përfolura, një infermiere në një spital ushtarak u pushua nga puna pasi u akuzua se ishte martuar me pesë ushtarë të plagosur që ishin nën kujdesin e saj, përpara se ata të ndërronin jetë si pasojë e plagëve, me qëllim përfitimin e kompensimit shtetëror.
Zemërimi në shoqërinë ruse
Rastet kanë shkaktuar reagime të forta në Rusi, në një kohë kur vendi po përballet edhe me koston e lartë ekonomike të luftës, mungesën e karburantit dhe numrin në rritje të viktimave nga sulmet pothuajse të përditshme ukrainase thellë brenda territorit rus.
Zemërimi publik ka shtyrë edhe zyrtarët qeveritarë të bëjnë thirrje për mbrojtje më të fortë të familjeve të ushtarëve.
Deputeti Leonid Slutsky foli për praktika kriminale që, sipas tij, po marrin "përmasa serioze", duke argumentuar se familjet e atyre që luftojnë duhet të mbrohen nga mashtruesit financiarë, mashtrimet telefonike dhe të ashtuquajturat "vejusha të zeza".
Politika shtetërore për martesat
Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, Kremlini i inkurajoi rekrutët të martoheshin përpara se të dërgoheshin në front.
Autoritetet e thjeshtuan ndjeshëm procesin, duke eliminuar në shumë raste periudhat e zakonshme të pritjes për regjistrimin e martesës, ndërsa mediat shtetërore transmetuan ceremoni masive martesore të organizuara nga administratat lokale.
Kjo politikë lidhej si me përpjekjen për të forcuar mbështetjen familjare për ushtarët, ashtu edhe me promovimin e të ashtuquajturave "vlera tradicionale familjare", të cilat Vladimir Putin i ka promovuar gjatë viteve të fundit, në një periudhë të rënies së ndjeshme demografike.
Agjentja e pasurive të paluajtshme këshilloi gratë të martoheshin me ushtarë
Rasti mori edhe më shumë vëmendje në vitin 2025, kur një agjente e pasurive të paluajtshme në Siberi u shfaq në një emision online, duke u sugjeruar grave që dëshironin të blinin një shtëpi të martoheshin me ushtarë që do të dërgoheshin në Ukrainë.
Ajo pretendoi se, në rast të vdekjes së tyre, vejushat mund të përfitonin kompensime prej disa milionë rublash dhe të blinin lehtësisht një shtëpi, madje duke e përshkruar këtë praktikë si një "biznes".
Reagimet ishin të ashpra dhe si agjentja, ashtu edhe prezantuesja e emisionit u përballën me drejtësinë, u dënuan me disa ditë shërbim në komunitet dhe u detyruan të kërkonin falje publike ndaj familjeve të ushtarëve.
Mosmarrëveshjet ligjore për kompensimet
Gjykatat ruse kanë shqyrtuar tashmë disa raste konfliktesh mes familjeve të ushtarëve të vrarë dhe grave me të cilat ata ishin martuar pak para se të dërgoheshin në front.
Në disa raste, gjyqtarët ua kanë hequr të drejtën vejushave për të përfituar kompensimin, duke vlerësuar se ekzistonin indicie serioze për sjellje abuzive ose rrethana të dyshimta që lidhen me martesën.
Akuza për përfshirjen e personelit ushtarak
Shqetësuese janë edhe akuzat se, në disa raste, në këto skema kanë qenë të përfshirë edhe anëtarë të forcave të armatosura ruse.
Sipas një hetimi të publikuar vitin e kaluar, disa nënoficerë dhe një kontabilist ushtarak dyshohet se rekrutonin burra të pambrojtur, përfshirë jetimë ose persona pa të afërm të ngushtë, organizonin martesa fiktive dhe më pas i dërgonin në misione veçanërisht të rrezikshme në vijën e parë të frontit, ku gjasat për t'u vrarë ishin shumë më të larta.
Rasti u hetua nga autoritetet ruse, por deri më sot nuk është bërë publik asnjë përditësim zyrtar mbi ecurinë e hetimeve. /PiranjatNews/
Lexo edhe
BOTA
Thatësira godet centralet bërthamore, lumi Sava nuk siguron më ftohjen e reaktorit në Slloveni

VIDEO/ Në këtë shtet bie dëborë pas 15 vjetësh dhe temperaturat zbresin në -9°C

VIDEO/ Dy persona i vënë flakën flamurit serb në mbikalimin mbi autostradë

Rrufeja godet fushën e futbollit në Tajlandë, humb jetën futbollisti 24-vjeçari dhe plagosen 9 të tjerë

Zbulim i rëndësishëm në hapësirë, shkencëtarët gjejnë prova për atmosferë në një planet potencialisht të banueshëm





