"Nëse vdisnim, vdisnim bashkë"/ Gruaja tregon momentin kur i shpëtoi jetën bashkëshortit pasi u thith nga dritarja e avionit

Një fluturim i kompanisë Ryanair nga Selaniku drejt Memmingenit në Gjermani u shndërrua në një makth, pasi një pjesë e motorit u shkëput dhe goditi dritaren pranë një pasagjeri, duke e thyer atë dhe duke e tërhequr burrin pjesërisht jashtë avionit në një lartësi prej rreth 6 mijë metrash.
Sipas dëshmitarëve, Ljubiša Karović, i ulur pranë dritares, u thith nga hapja e krijuar, ndërsa bashkëshortja e tij, Svetlana Grković, reagoi menjëherë duke e kapur fort nga këmbët për ta penguar të binte.
"Ishte sikur një pjesë e motorit u shkëput dhe goditi dritaren pranë së cilës ishte ulur Ljubiša. E kapa menjëherë nga këmbët. Mendova vetëm: 'Nëse vdesim, vdesim bashkë.' Ishte e tmerrshme", tregoi ajo për mediat serbe.

Ajo rrëfeu se e mbajti për rreth pesë minuta, derisa pasagjerë të tjerë vrapuan për ta ndihmuar dhe arritën ta tërhiqnin sërish brenda kabinës. Në ato momente, në avion u aktivizuan edhe maskat e oksigjenit, ndërsa pasagjerët u përfshinë nga paniku.
Një dëshmitar tha se Karović kishte gjak në kokë dhe humbi ndjenjat disa herë gjatë incidentit. Fatmirësisht, ai kishte të vendosur rripin e sigurimit, gjë që besohet se i shpëtoi jetën.
Avioni Boeing 737-800 u detyrua të kthehej menjëherë në aeroportin e Selanikut, ku kreu një ulje emergjente pa probleme. Karović u dërgua në spital me plagë në dorë, djegie nga fërkimi dhe në gjendje të rëndë shoku, ndërsa një grua shtatzënë që ndodhej në bord u transportua gjithashtu në spital për kontrolle dhe më pas u largua në gjendje të mirë shëndetësore.
Në një reagim zyrtar, Ryanair konfirmoi se avioni u kthye në Selanik pak pas ngritjes për shkak se një dritare e pasagjerëve u shkëput gjatë fluturimit. Kompania bëri të ditur se pasagjerëve iu vu në dispozicion një avion tjetër për të vazhduar udhëtimin drejt Gjermanisë./Përktheu Piranjat News
Lexo edhe
BOTA
Rritet bilanci tragjik në Venezuelë, mbi 4,500 të vdekur nga tërmetet e fuqishme

“Advanced Driver Distraction Warning”/ “Big Brother” në BE? Kamera kundër shpërqendrimit në timon për vendet anëtare

Trump kërcënon sërish Teheranin: Do t’i sulmojmë sërish! Nuk kanë çfarë të na bëjnë, s’na ndalojnë dot

Tensionet në Lindjen e Mesme, rritet sërish çmimi i naftës, kalon 83 dollarë për fuçi

SHBA-ja godet sërish Iranin pas rikthimit të bllokadës në Ngushticën e Hormuzit





