BOTA

Nga gazi rus te megavatët e gjelbër kinezë: A rrezikon Serbia një varësi të re energjetike?

Piranjat Përditësimi i fundit 1 Shtator 2026, 11:21
Nga gazi rus te megavatët e gjelbër kinezë: A rrezikon Serbia

Serbia po i drejtohet diellit, erës dhe ujit për të ulur varësinë nga Rusia, për të diversifikuar burimet dhe për ta nxjerrë gradualisht qymyrin nga përdorimi, ndërsa në tranzicionin energjetik po shfaqen gjithnjë e më shumë kompani nga Kina.

Ato hyjnë në vend si investitore dhe pronare të projekteve, kontraktore të punimeve dhe furnizuese të pajisjeve.

Kështu, krahas infrastrukturës, industrisë dhe teknologjisë, po hapet edhe një kapitull tjetër i bashkëpunimit mes Beogradit dhe Pekinit, por edhe pyetja – a po e zëvendëson Serbia një varësi energjetike me një tjetër.

“Ky sektor është ende në fazat fillestare, por ekziston një pozicion shumë i mirë fillestar për këtë”, vlerëson Stefan Vladisavljev nga Fondacioni joqeveritar BFPE, në një prononcim për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë (REL).

Në Ministrinë përkatëse e hedhin poshtë mundësinë e një varësie të tepruar nga Kina dhe thonë se projektet e energjisë së rinovueshme po zhvillohen me partnerë nga një numër i madh vendesh.

“Një situatë specifike ekziston në industrinë diellore, ku prodhuesit kinezë kanë një pozitë dominuese në zinxhirët globalë të furnizimit. Në pjesët e tjera të sektorit energjetik ekziston një diversitet dukshëm më i madh i furnizuesve, investitorëve, teknologjive dhe burimeve të financimit”, thonë për REL-in në Ministrinë e Energjisë.

Kina është një nga aktorët kryesorë të tranzicionit energjetik në botë, me një rol dominues në zhvillimin e teknologjive dhe kapaciteteve të burimeve të rinovueshme.

Përvoja me Rusinë ka treguar pse kjo çështje është e rëndësishme. Serbia ende i mbulon rreth 80 për qind të nevojave të saj për gaz përmes importit nga ky vend, ndërsa varësia energjetike u vu në fokus pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën sanksione ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), për shkak të pronësisë shumicë ruse.

Ndërsa Beogradi pret rezultatin e marrëveshjes mes NIS-it dhe kompanisë hungareze MOL për marrjen e kompanisë, Bashkimi Evropian (BE) po përpiqet të nxjerrë mësime nga kriza që pasoi pushtimin rus të Ukrainës.

“Heqja e gazit rus nga sistemi energjetik është prioritet, ndërsa teknologjitë e rinovueshme janë ndër mënyrat më të mira për ta arritur këtë”, thotë për REL-in analisti i Institutit të BE-së për Studime të Sigurisë, Caspar Hobhouse.

Megjithatë, ai paralajmëron për rreziqet e varësisë nga Kina, të cilat përfshijnë mundësinë e mbledhjes së një numri të madh të të dhënave mbi rrjetin energjetik, qasjen në distancë dhe sabotimin.

Për këtë arsye, Bashkimi Evropian e sheh tranzicionin e gjelbër jo vetëm si çështje klimatike, por edhe si çështje sigurie dhe po vendos masa për të ulur varësinë nga furnizuesit kinezë dhe furnizuesit e tjerë që i konsideron të rrezikshëm.

“Ballkani Perëndimor është i integruar në rrjetin energjetik evropian dhe kjo do të ndodhë gjithnjë e më shumë. Prandaj, rreziqet që ekzistojnë sot do t’i ndajnë të gjithë”, thotë Hobhouse.

Nga Uashingtoni e nxisin Beogradin që, përmes diversifikimit të burimeve dhe furnizuesve, si dhe përzgjedhjes së partnerëve të besueshëm, si SHBA-ja, të sigurojë sigurinë e tij kombëtare.

“Mundësitë e ardhshme ekonomike të Serbisë do të varen në masë të madhe nga investimet, vendimet në fushën e politikave publike dhe zgjedhja e partnerëve që ajo do të bëjë sot”, thonë për REL në Departamentin amerikan të Shtetit.

Ata shtojnë se janë të përkushtuar ndaj bashkëpunimit me Qeverinë e Serbisë në projektet e sigurisë dhe diversifikimit energjetik, të cilat kontribuojnë në realizimin e interesave kombëtare të SHBA-së.

Me kë i prodhon Serbia megavatët e gjelbër?

Në prodhimin e energjisë elektrike dominojnë termocentralet me qymyr, ndërsa Serbia, si kandidate për anëtarësim në BE, është zotuar që për shkak të ndotjes ta nxjerrë qymyrin nga përdorimi deri në vitin 2050.

Nga burimet e rinovueshme, në vitin 2025 u prodhua rreth 30 për qind e energjisë elektrike, ndërsa hidrocentralet patën pjesën më të madhe të prodhimit.

Në Ministrinë e Energjisë thonë se janë të përkushtuar ndaj objektivave të tranzicionit të gjelbër dhe se në këtë fushë sektori shtetëror dhe ai privat bashkëpunojnë me kompani dhe institucione financiare nga Evropa, SHBA-ja, Japonia, Kina, Emiratet e Bashkuara Arabe, Izraeli dhe vende të tjera.

Ata përmendin shembuj të projekteve të mëdha shtetërore, ndër të cilat është edhe hidrocentrali “Gjerdap 2” në lindje të Serbisë.

Atë do ta ndërtojnë kompanitë amerikane, në bazë të marrëveshjes mes Beogradit dhe Uashingtonit për bashkëpunim strategjik në fushën e energjisë.

Agjencia shtetërore japoneze është e përfshirë në planet për ndërtimin e hidrocentralit Bistrica në jugperëndim të vendit, ndërsa në ndërtimin e parkut të erës Kostolac në lindje kanë marrë pjesë kompani gjermane, me mbështetje financiare nga BE-ja.

Kompanitë kineze, sipas Ministrisë, janë të angazhuara në disa projekte, të cilat ndodhen në faza të ndryshme zhvillimi.

“Prania kineze nuk duhet parë vetëm përmes pronësisë mbi projektet. Një pjesë e konsiderueshme e angazhimit të tyre lidhet me punët EPC (projektimin, ndërtimin), teknologjinë dhe furnizimin me pajisje”, thonë në Ministrinë e Energjisë.

Në dekadën e kaluar, Kina, ndër të tjera, ndërtoi një bllok të ri të termocentralit në Kostolac, i cili u kritikua nga organizatat ndërkombëtare për shkak të zgjatjes së varësisë nga prodhimi i energjisë elektrike me qymyr.

“Aty bëhej më shumë fjalë për marrëveshje kredie, ku shteti merrte kredi dhe, në bashkëpunim me kompanitë kineze, punonte në modernizimin ose ndërtimin e kapaciteteve të reja, por pronësia mbetej në duart e Serbisë”, thotë Stefan Vladisavljev.

Në një analizë në portalin “China in the Western Balkans”, i cili merret me ndikimin kinez në Ballkanin Perëndimor, Vladisavljev thekson se pjesëmarrja kineze në energjinë e rinovueshme të Serbisë tani po e tejkalon modelin që karakterizoi dekadën e parë të nismës “Brez dhe Rrugë”.

“Tani kapitali kinez, qoftë i vetëm apo në bashkëpunim me kompani nga shtete të tjera, po hyn në tregun tonë. Fitimi primar, të ardhurat dhe vetë kapacitetet mbeten në pronësi kineze.”

Ku është Kina në energjinë e gjelbër të Serbisë?

Kur të përfundojë në vitin 2027 në Pançevë, pranë Beogradit, ai do të jetë parku më i madh i erës në Serbi, me kapacitet prej 300 megavatësh (MW).

Kështu e kanë prezantuar projektin Vetrozelena investitorët dhe Ministria e Energjisë.

Projektin e nisi kompania ndërkombëtare CWP Europe. Në prill 2023, kjo kompani njoftoi një partneritet strategjik me kompaninë shtetërore kineze Power China Resources, e cila me 51 për qind u bë pronarja shumicë e Vetrozelenës.

Pronare e 39 për qind të aksioneve është kompania Carren Holdings nga Hong Kongu, e cila gjithashtu lidhet me kapitalin shtetëror kinez, ndërsa CWR Europe sot ka 10 për qind të aksioneve, tregojnë të dhënat publike të regjistrit të bizneseve të Serbisë.

Power China në faqen e saj të internetit thotë se ky është investimi i parë kontrollues në fushën e burimeve të rinovueshme në Serbi dhe se për ndërtimin është përgjegjëse filiali i saj Sinohydro Bureau 5.

Caspar Hobhouse nga Instituti i BE-së për Studime të Sigurisë thotë për REL-in se në projekte të tilla rrezik paraqesin turbinat e erës, përkatësisht funksionimi i tyre përmes pajisjeve të lidhura dhe mundësia e kontrollit në distancë të sistemit energjetik.

“Në këtë rast kemi humbje të kontrollit mbi një aset të vlefshëm në favor të Kinës, e cila ka mundësi ta manipulojë atë”, thotë Hobhaus.

Ndërsa në Ministri thonë se gjeneratorët e erës për centralet në Serbi furnizohen kryesisht nga Evropa, Power China nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it lidhur me raportimet në media se turbinat për Vetrozelenën do t’i furnizojë prodhuesi kinez Dongfang Wind Power.

Për vitin 2027 është paralajmëruar edhe vënia në funksion e parkut të erës Maja e Zezë, i cili shtrihet në territorin e dy komunave në lindje të Serbisë – Majdanpek dhe Zhagubica, me kapacitet të planifikuar prej rreth 150 MW.

Projektin e udhëheq kompania Crni Vrh Power, e regjistruar në Serbi, në të cilën pronësinë e ndajnë dy kompani kineze – shtetërorja Shanghai Electric Power (51 për qind) dhe privatja CMC Capital (49 për qind), e cila është e lidhur me sektorin shtetëror.

Sipas të dhënave të regjistrit të bizneseve, Crni Vrh Power deri në vitin 2023, kur u ble nga pronarët kinezë, ishte tërësisht në pronësi private serbe.

Gjysmën e aksioneve e kishte Nikola Petroviq, kumbari i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa vlera e transaksionit nuk është bërë publike.

Furnizuesi kryesor i teknologjisë dhe pajisjeve për parkun e erës është kompania kineze Mingyang Smart Energy.

“Zgjidhjet e plota të integruara për të gjithë zinxhirin, nga pajisjet te inxhinieria dhe mirëmbajtja, gjithçka vjen nga Kina”, tha presidenti i kësaj kompanie, Zhang Chuanwei, në Beograd më 18 qershor, duke shtuar se bashkëpunimi është tregues i “miqësisë së çeliktë” mes Serbisë dhe Kinës.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ndaloi në mars 2026 përdorimin e turbinave të kompanisë Mingyang Smart Energy në parqet e erës në det të hapur (offshore), për shkak të sigurisë kombëtare.

Kompania Heavy Energy International nga Hong Kongu mori përsipër në vitin 2026 nga kompania norvegjeze Emergy ndërtimin e parqeve të erës në Alibunar, në Vojvodinë.

Kjo degë e prodhuesit kinez të turbinave të erës SANY Renewable Energy bleu 90 për qind të projektit që më parë ishte zhvilluar nga Emergy dhe partneri i saj holandezo-belg WV International.

10 për qind e mbetur ka mbetur në pronësi të WV International, ndërsa Emergy është tërhequr nga projekti.

Përfundimi i ndërtimit është paralajmëruar për vitin 2028, ndërsa investitori kinez, sipas njoftimit të Ministrisë serbe, do të investojë rreth 200 milionë euro.

Erë dhe diell për Zigjinin

Projektin më të madh në fushën e energjisë së gjelbër, zyrtarët serbë e njoftuan në janar 2024, kur shteti nënshkroi një memorandum me kompaninë kineze Shanghai Fengling Renewable.

Në afërsi të Borit, në lindje të vendit, do të ndërtohet një kompleks energjetik i kombinuar me kapacitet prej 2 gigavatësh nga era dhe dielli, së bashku me një impiant për prodhimin e hidrogjenit të gjelbër.

Investitori është kompania kineze Shanghai, ndërsa investimet totale, sipas ministres së Energjisë, janë rreth dy miliardë euro.

Energjia e prodhuar do të përdoret nga kompania Serbia Zijin Copper, pronare e kompleksit minerar në Bor.

Në këtë kompani, Zijin Mining e Kinës ka 63 për qind të pronësisë, ndërsa Serbia 37 për qind.

Në shkurt 2024, shteti nënshkroi memorandum me kompaninë kineze Hunan Rich Photovoltaic Science & Technology për ndërtimin e një fabrike për panele diellore dhe një termocentrali në Paraqin, në Serbinë qendrore.

Në shtator të po atij viti, me kompaninë China Energy u nënshkrua një memorandum për bashkëpunim strategjik në rritjen e kapaciteteve të burimeve të rinovueshme dhe investimet e mundshme në ndërtimin e kapaciteteve të magazinimit të energjisë.

“Centrali i ri me erë dhe diell do të sjellë siguri më të madhe energjetike, sepse për të gjitha projektet investitorët kanë ofruar që energjia e prodhuar të blihet për furnizimin e konsumatorëve vendorë për 15 vitet e ardhshme. Me fjalë të tjera, energjia e gjelbër mbetet në Serbi dhe nuk do të eksportohet në tregje të tjera”, thonë për REL-in në Ministri.

Sa u përket hidrocentraleve, Kina nuk ka pjesëmarrje të konsiderueshme në Serbi.

Situata është ndryshe në Bosnje e Hercegovinë, përkatësisht në entitetin e saj Republika Srpska (RS), ku qeveria e RS-së ka kontraktuar ndërtimin e hidrocentraleve me kompani kineze, ndërsa fondet janë siguruar përmes kredive nga bankat kineze.

Dominimi kinez dhe rreziqet e sigurisë

Edhe në disa vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, ku energjia e gjelbër mbështetet me financim evropian, këto projekte përfshijnë kompani kineze si furnizuese ose kontraktore të punimeve, thotë në analizën e tij Stefan Vladisavljev.

“Nuk është domosdoshmërisht keq që investimi të vijë nga cilido shtet, përfshirë Kinën, por është e nevojshme të vendoset një sistem i qartë kontrolli dhe të përcaktohet se si investimi vendoset, në cilët sektorë dhe nëse disa sektorë janë më strategjikë se të tjerët.”

Shqetësimi strategjik dhe i sigurisë për shkak të dominimit të teknologjisë kineze përfshin edhe Ballkanin Perëndimor, thotë Hobouse, nga Instituti i BE-së për Studime të Sigurisë.

“Rreziku gjeopolitik, përtej zinxhirit të furnizimit, është nëse një aktor i jashtëm mund ta gjymtojë sistemin energjetik. Sepse kjo do të përhapej në të gjithë BE-në, pavarësisht se ku ka filluar".

Kina dominon veçanërisht në industrinë diellore.

Sipas një analize të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA) nga viti 2026, ky shtet ka më shumë se 80 për qind të kapaciteteve globale të prodhimit në të gjitha fazat kryesore të prodhimit të paneleve diellore.

Kina nuk është vetëm prodhuese, por edhe tregu më i madh. IEA thotë se gjatë vitit 2025 instaloi pothuajse 500 GW kapacitete të reja të burimeve të rinovueshme, që përbën më shumë se 60 për qind të rritjes globale të energjisë së gjelbër.

“Për momentin është e pamundur të shmanget Kina, para së gjithash për shkak të kapaciteteve që ka në procesin e vetë prodhimit, por edhe për shkak të pozitës udhëheqëse që ka fituar në promovimin e agjendës së gjelbër në nivel global, si pasojë e tërheqjes së aktorëve të tjerë”, thotë Vladisavljev.

Hobhouse thotë se, aty ku është e mundur, duhet të nxiten zinxhirë alternativë të furnizimit nga furnizuesit lokalë, veçanërisht në projektet e mëdha dhe ato që përfshijnë financim publik.

“Sistemi evropian energjetik është një avantazh strategjik, kështu që një rol tepër i madh i Kinës ka të ngjarë të krijojë probleme më vonë. Në planin afatgjatë do të jetë më i kushtueshëm”, thotë ai.

Si përgjigjen vendet perëndimore?

BE-ja në maj mori vendim për ndalimin e financimit të blerjes së invertorëve diellorë nga vendet që i konsideron “me rrezik të lartë”.

Mes tyre është edhe Kina, prej së cilës në vendet e BE-së vinin rreth 70 për qind e komponentëve që e shndërrojnë energjinë elektrike të prodhuar nga panelet diellore në formën që përdoret në rrjetin energjetik.

Atyre mund t’u qaset online, ndaj ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se janë të cenueshëm ndaj hakerimit dhe fikjes së synuar të energjisë elektrike në distancë.

Paralajmërime vijnë edhe nga SHBA-ja.

Washington Post publikoi në dhjetor 2025 një hulumtim të organizatës amerikane për analiza strategjike të inteligjencës “Strider Technologies”, sipas të cilit 85 për qind e kompanive në SHBA përdorin pajisje invertorësh të prodhuara nga kompani “të lidhura me qeverinë dhe ushtrinë kineze”.

Nga këndvështrimi i kompanive të energjisë së rinovueshme, ndalesat janë shkak për probleme.

Gati 40 kompani nga BE-ja i kërkuan në korrik Brukselit ta heqë masën, shkruan agjencia Reuters.

Si garanci për sigurinë, ato kanë ofruar vendosjen e rregullave që kufizojnë qasjen e kompanive të huaja në invertorët e tyre pasi të instalohen në rrjetin evropian./ REL

Artikuj te sugjeruar

video

Si u tentua të shantazhohej me 100 mijë euro shefi i kabinetit të Përparim Ramës përmes mediave

Si u tentua të shantazhohej me 100 mijë euro shefi i kabinetit të Përparim Ramës përmes mediave

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës