Nga mungesa e ujit te zjarret, vala e të nxehtit paralizon disa vende të Evropës

Një valë e re e të nxehtit po godet Evropën Qendrore, ku temperaturat pritet të arrijnë deri në 41 gradë Celsius, duke detyruar autoritetet në disa shtete të marrin masa emergjente për të përballuar pasojat e motit ekstrem.
Hungaria është ndër vendet më të prekura. Sipas shërbimit meteorologjik, temperaturat do të ngjiten deri në 40-41 gradë gjatë ditëve në vijim. Për shkak të rrezikut të lartë të zjarreve, autoritetet kanë ndaluar ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura në të gjithë territorin.
Situata është përkeqësuar edhe për furnizimin me ujë. Në qytetin Szentendre, mijëra banorë kanë mbetur pa ujë të pijshëm, ndërsa ushtria është angazhuar me cisterna dhe mijëra qese me ujë për të mbështetur popullsinë deri në rikthimin e normalitetit.
Ndërkohë, niveli i ulët i lumit Danub po ndikon edhe në funksionimin e centralit bërthamor Paks, i cili aktualisht operon me më pak se gjysmën e kapacitetit të tij. Autoritetet paralajmërojnë se centrali mund të pezullojë përkohësisht aktivitetin nëse niveli i ujit vazhdon të bjerë.
Edhe në Sllovaki janë aktivizuar alarme për valën e të nxehtit, me temperatura që pritet të luhaten nga 34 deri në 39 gradë Celsius. Në Bratislavë janë hapur dhjetëra pika ndihme, ku qytetarët mund të marrin ujë të pijshëm dhe të strehohen në ambiente me ajër të kondicionuar.
Në Slloveni, autoritetet kanë shpallur nivelin "jashtëzakonisht të lartë" të rrezikut nga zjarret në pjesën perëndimore të vendit. Për shkak të temperaturave të larta, operatori hekurudhor ka ulur shpejtësinë e trenave në disa segmente për të shmangur problemet që mund të shkaktojë deformimi i shinave.
Edhe bregdeti slloven i Adriatikut po përballet me temperatura të pazakonta, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se uji i detit mund të thyejë rekordin historik prej 30.4 gradë Celsius.
Në Rumani janë në fuqi alarme të verdha dhe portokalli për gjysmën perëndimore të vendit, ku temperaturat mund të arrijnë deri në 40 gradë Celsius, ndërsa meteorologët nuk përjashtojnë vendosjen e alarmit maksimal në ditët në vijim.
Temperatura shumë të larta janë regjistruar edhe në Austri, ku në rajonet lindore termometri pritet të shënojë deri në 40 gradë Celsius. Sipas GeoSphere Austria, vendi po kalon një periudhë thatësire ekstreme, me reshje rreth 30% nën mesataren sezonale, duke e bërë gjysmën e parë të vitit 2026 ndër më të thatat që nga fillimi i shekullit të kaluar.
Autoritetet në të gjithë rajonin u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve më të nxehta, të kursejnë ujin dhe të respektojnë kufizimet e vendosura për të reduktuar rrezikun e zjarreve dhe problemeve në furnizimin me energji.
Lexo edhe
BOTA
VIDEO/ E pazakontë në Izrael, ushtarët lënë armët dhe largohen nga baza. Ja ndaj kujt protestojnë

Historia e Ceutës, enklavës spanjolle në Marok ku bashkëjetojnë myslimanët, hebrenjtë dhe hindutë

Meloni kërcënon Spanjën për migrantët: Jemi të gatshëm të pezullojmë Shengenin

32 mln njerëz të diagnostikuar me HIV/ OBSH ngre alarmin: Rriten infeksionet seksualisht të transmetueshme

Aksidentohet autobusi në Algjeri, të paktën 25 të vdekur dhe 44 të plagosur





