Një bombë bërthamore me sahat që kalbet në fund të detit. Pse ajo përbën ende një kërcënim

Rreth 1,700 metra nën sipërfaqen e Detit Norvegjez, në errësirë të plotë, ndodhet një nga trashëgimitë më të rrezikshme të Luftës së Ftohtë. Bëhet fjalë për nëndetësen sovjetike me energji bërthamore K-278 "Komsomolets", e cila që prej fundosjes në prill të vitit 1989 vazhdon të mbajë në fund të detit një reaktor bërthamor dhe dy silura me koka bërthamore.
Edhe pse nuk konsiderohet një katastrofë bërthamore e menjëhershme, ekspertët paralajmërojnë se anija e mbytur mbetet një "bombë me sahat", pasi korrozioni i vazhdueshëm i trupit të saj mund të rrisë rrezikun e rrjedhjeve radioaktive në të ardhmen.
Për dekada me radhë, shkencëtarët kanë monitoruar gjendjen e "Komsomolets", duke u përpjekur të përcaktojnë se sa i sigurt mund të mbetet një arsenal bërthamor që gërryhet ngadalë në ujin e kripur të detit. Sipas tyre, nëndetësja vazhdon të lëshojë herë pas here sasi të vogla materialesh radioaktive, ndërsa ndërhyrjet hidroizoluese të kryera në vitet 1990 tashmë kanë tejkaluar jetëgjatësinë e parashikuar.
Arma sekrete që nuk pati kurrë pasardhëse
"Komsomolets" ishte një nga projektet më ambicioze ushtarake të Bashkimit Sovjetik. Falë teknologjisë së avancuar dhe trupit prej titani, ajo ishte projektuar të zhytej në thellësi deri në rreth 1,000 metra, pothuajse dyfishi i kapacitetit të shumicës së nëndetëseve perëndimore të asaj kohe.
Në Perëndim besohej se kjo do të ishte e para e një klase të re nëndetësesh sulmuese, por pas fundosjes së saj nuk u ndërtua asnjë tjetër e të njëjtit model. Ajo që ishte menduar si një armë pothuajse "e pamposhtur" e Moskës u shndërrua në një nga problemet më të mëdha teknike dhe mjedisore të epokës sovjetike.
Rrezik që mund të zgjasë mijëra vjet
Shqetësimi më i madh lidhet me plutoniumin që ndodhet në kokat bërthamore të silurëve. Ky material ka një gjysmëjetë prej rreth 24,000 vjetësh, çka do të thotë se rreziku nuk është i kufizuar në dekadat apo shekujt e ardhshëm, por mund të zgjasë për mijëra vjet.
Aktualisht, matjet tregojnë se nivelet e radioaktivitetit nuk përbëjnë një kërcënim të menjëhershëm për mjedisin. Megjithatë, askush nuk mund të parashikojë me siguri se si do të evoluojë korrozioni i reaktorit dhe i armëve bërthamore që ndodhen ende në bord.
Plot 37 vjet pas fundosjes, "Komsomolets" vazhdon të qëndrojë në fund të Detit Norvegjez. Reaktori i saj gërryhet ngadalë, ndërsa sasi të vogla radioaktiviteti vazhdojnë të rrjedhin, duke e mbajtur gjallë shqetësimin se një nga reliket më të rrezikshme të Luftës së Ftohtë mund të kthehet në një problem shumë më të madh për brezat që do të vijnë. /PiranjatNews/
Lexo edhe
BOTA
VIDEO/ Nga 38 në 27 gradë në pak minuta, stuhia godet brigjet franceze! Pushuesit ikin të tmerruar. Çfarë është fenomeni "Galerne"

Trump heq dorë nga taksa për transportin detar: Hormuzi i hapur për të gjithë, përveç Iranit

Trump dorëzohet sërish, tërhiqet nga tarifa 20% në Hormuz

Fenomeni Galerne godet bregdetin francez, temperatura bie me 12°C brenda 30 minutash

Zjarr në kantierin e ndërtimit në Bruksel, humbin jetën disa persona





