BOTA

Njëmbëdhjetë vende të BE-së kërkojnë heqjen e së drejtës së vetos

Piranjat Përditësimi i fundit 3 September 2026, 19:14
Njëmbëdhjetë vende të BE-së kërkojnë heqjen e

Një grup prej 11 shtetesh anëtare të Bashkimit Evropian i kërkoi me shkrim Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS) që t’i jepet fund vendimmarrjes me unanimitet në nivel të BE-së në fushën e politikës së jashtme. Ato kërkojnë zbatimin e parimit të ashtuquajtur të “bashkëpunimit besnik”, i cili, sipas letrës, duhet të ketë përparësi.

Letra iu dërgua përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, dhe u nënshkrua nga Austria, Danimarka, Belgjika, Finlanda, Franca, Gjermania, Luksemburgu, Holanda, Rumania, Spanja dhe Suedia.

Çfarë thuhet në letër?

“Veprimi i jashtëm i Bashkimit Evropian përballet me rrethana thelbësisht të ndryshuara, të karakterizuara nga konkurrenca strategjike, paqëndrueshmëria në rritje dhe përpjekjet për të minuar rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Në një mjedis të tillë, aftësia e Bashkimit për t’i mbrojtur vlerat dhe interesat e veta varet nga mundësia për ta mobilizuar shpejt dhe në mënyrë efikase peshën e përbashkët politike, ekonomike dhe diplomatike”, thuhet në letrën në të cilën ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë.

Në të shtohet se rrethanat aktuale kërkojnë një politikë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, e cila mund të japë rezultate dhe të marrë vendime shpejt, pikërisht kur shpejtësia, vendosmëria dhe pesha politike nevojiten më së shumti. Këto 11 vende vlerësojnë se e ashtuquajtura “kulturë e konsensusit” është burim i rëndësishëm i legjitimitetit të BE-së dhe se konsensusi duhet të synohet kudo ku është e mundur.

Megjithatë, në dokument bëhet thirrje për vendimmarrje më efikase në kuadër të politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, duke ruajtur konsensus sa më të gjerë mes vendeve anëtare. Dokumenti parasheh, gjithashtu, që kundërshtimet eventuale ndaj vendimeve të marra me shumicë të cilësuar, të bazohen në interesa kombëtare thelbësore dhe të argumentuara qartë, në mënyrë që të lihet hapësirë për konsultime dhe kompromis.

Një tjetër letër për reformimin e shërbimit të jashtëm të BE-së

Më herët gjatë verës u shfaq e ashtuquajtura nismë franko-gjermane, e cila propozon reformimin e Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), në mënyrë që Bashkimi Evropian të mund të reagojë më shpejt dhe në mënyrë më të koordinuar ndaj krizave ndërkombëtare.

Një nga ndryshimet kryesore do të ishte forcimi i rolit të përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme - pozitë që aktualisht mbahet nga Kaja Kallas. Sipas propozimit, ajo do të bëhej nënkryetare ekzekutive e Komisionit Evropian dhe do të merrte kompetenca më të mëdha për koordinimin e fushave si: bashkëpunimi për zhvillim, ndihma humanitare, mbrojtja dhe politika e fqinjësisë.

Dokumenti, në të cilin po ashtu ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë, propozon edhe integrimin e një pjese të konsiderueshme të EEAS-it në strukturat e Komisionit Evropian. Synimi është që politika e përbashkët e jashtme dhe e sigurisë të lidhet më mirë me instrumentet e tjera të veprimit të jashtëm të BE-së.

Parisi dhe Berlini kërkojnë, gjithashtu, orientim më të fuqishëm të politikës së jashtme nga Këshilli Evropian, duke ruajtur rolin qendror të vendeve anëtare, si dhe një rol më të madh të Këshillit të BE-së në menaxhimin e instrumenteve të politikës së jashtme.

Franca dhe Gjermania kërkojnë që puna për reformën të nisë menjëherë. Kjo çështje u diskutua edhe në takimin joformal të ministrave të Jashtëm të BE-së, të mbajtur në Irlandë më 2 shtator. Me të është hapur një debat më i gjerë politik për reformimin e mënyrës se si BE-ja e udhëheq politikën e saj të jashtme.

Franca dhe Gjermania kërkojnë gjithashtu që Irlanda, si vendi që kryeson BE-në, t’i paraqesë Këshillit Evropian një raport deri në fund të vitit 2026.

Kallas e rezervuar ndaj bartjes së kompetencave te Komisioni

Shefja aktuale e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, tashmë ka shprehur rezerva ndaj kësaj ideje. Pas takimit joformal të ministrave, ajo paralajmëroi se bartja e më shumë kompetencave për politikën e jashtme nga vendet anëtare te Komisioni Evropian do ta zvogëlonte kontrollin e drejtpërdrejtë të shteteve anëtare.

“Aktualisht, unë jam përfaqësuese e lartë/nënkryetare e Komisionit. Kjo është lidhja mes vendeve anëtare dhe Komisionit, të paktën në letër dhe në teori. Sepse, e vërteta është se unë e kam këtë rol. Por, nëse kemi situata ku ekziston dikush mbi mua që në fakt merr vendime, atëherë kjo nuk funksionon kështu”, tha Kallas në një konferencë për media më 2 shtator në Irlandë.

“Le të jemi plotësisht të sinqertë. Problemi që kanë përmendur shumë vende anëtare është se, nëse gjithçka ia kalojmë Komisionit, veçanërisht shtetet e vogla anëtare humbin kontrollin mbi politikën e jashtme, sepse nuk do të ketë më çdo muaj Këshill të Punëve të Jashtme, ku koordinohemi me të gjithë, ku unë i di qëndrimet e vendeve anëtare dhe ku përpiqemi të arrijmë qëndrime të përbashkëta”, tha ajo.

Në sistemin aktual, pozita e të gjitha vendeve anëtare mbrohet përmes pjesëmarrjes së tyre të drejtpërdrejtë në vendimmarrjen në Këshillin e BE-së, përfshirë mundësinë për të bllokuar vendime që i konsiderojnë të papranueshme. Kjo u mundëson edhe shteteve të vogla të bllokojnë një vendim që e konsiderojnë në kundërshtim me interesat e tyre.

Nëse politika e jashtme do të kalonte në masë më të madhe nën kompetencat e Komisionit, vendimet do të merreshin gjithnjë e më shumë përmes sistemit mbikombëtar, ndërsa shtetet anëtare do të kishin më pak kontroll të drejtpërdrejtë mbi to. Vesela Cherneva, nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë (ECFR), vlerëson se të dyja letrat janë të ndërlidhura.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ajo thotë se nisma për ndryshimin e mënyrës së vendimmarrjes synon forcimin e frymës së bashkëpunimit konstruktiv.

“Duhet parë në kontekstin e forcimit të aftësisë së Evropës për të vepruar në fushën e politikës së jashtme. Letra është qartazi e lidhur me propozimin franko-gjerman për reformimin e EEAS-it, duke pasur parasysh situatën kaotike globale”, thotë Cherneva.

Shembuj të bllokadave në politikën e jashtme të BE-së

Gjatë periudhës së fundit, Bashkimi Evropian është përballur me vështirësi në marrjen e vendimeve në politikën e jashtme, pikërisht për shkak të mungesës së unanimitetit mes vendeve anëtare. Sipas rregullave aktuale, secili prej 27 shteteve anëtare ka të drejtën e vetos për vendimet në këtë fushë.

Hungaria, gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit Viktor Orban, kundërshtoi disa herë miratimin e paketave të sanksioneve kundër Rusisë. Më herët gjatë këtij viti, Hungaria bllokoi edhe vendimin për një hua të madhe të BE-së për Ukrainën, në vlerë prej 90 miliardë eurosh.

Vendet anëtare nuk arritën marrëveshje as për përdorimin e aseteve të ngrira ruse për të ndihmuar Ukrainën. Po ashtu, për shkak të mungesës së unanimitetit, nuk u miratuan masa kundër Izraelit lidhur me luftën në Gazë.

Kur unanimiteti bllokon vendimet për rajonin

Ka edhe vendime që lidhen drejtpërdrejt me rajonin e Ballkanit Perëndimor e që nuk janë marrë për të njëjtat arsye. Rasti i Millorad Dodikut, ish-presidentit të entitetit të Republikës Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë, tregon qartë koston praktike të kërkesës për unanimitet në politikën e jashtme të BE-së.

Ndonëse që nga viti 2011 ekziston një kornizë për vendosjen e sanksioneve ndaj atyre që kërcënojnë sovranitetin dhe rendin kushtetues të Bosnje dhe Hercegovinës, ajo nuk është aktivizuar asnjëherë kundër Dodikut, për shkak të kundërshtimit të Hungarisë, pavarësisht mbështetjes nga disa vende anëtare. Rasti i Kosovës është një tjetër shembull se sa e ndërlikuar mund të jetë vendimmarrja në nivel të BE-së. Masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës u vendosën në qershor të vitit 2023, pas përshkallëzimit të tensioneve në veri të vendit.

Në vend të një regjimi formal sanksionesh, masat u vendosën mbi bazën e një qëndrimi të përbashkët të vendeve anëtare, të paraqitur nga përfaqësuesi i atëhershëm i lartë, Josep Borrell, me arsyetimin se ato ishin të përkohshme dhe të kthyeshme. Megjithëse Borrell rekomandoi heqjen e tyre në qershor të vitit 2024, vendimi përfundimtar mbeti në duart e vendeve anëtare.

Masat u hoqën vetëm në maj të vitit 2025, pas diskutimeve të gjata dhe arritjes së një marrëveshjeje për heqjen graduale të tyre. Cherneva vlerëson se ndryshimet e propozuara në mënyrën e vendimmarrjes për politikën e jashtme të BE-së, mund të kenë pasoja të rëndësishme për Ballkanin Perëndimor, para së gjithash duke i mundësuar BE-së të veprojë më shpejt dhe në mënyrë më koherente politikisht.

“Implikimet për Ballkanin Perëndimor mund të jenë të mëdha kur bëhet fjalë për politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, ndërsa ndikimi në vetë procesin e anëtarësimit do të ishte dukshëm më i vogël. Ndryshimet duhet t’i mundësojnë BE-së të reagojë më shpejt ndaj zhvillimeve në terren dhe reagimi i saj të jetë më politik”, thotë Cherneva për Radion Evropa e Lirë.

“Gjithashtu, kostoja politike për vendet anëtare që bllokojnë vendimet e përbashkëta, do të ishte më e madhe, nëse kundërshtimi i tyre nuk lidhet me një objektiv konkret të politikës përkatëse”, shton ajo.

A do të vlente kjo edhe për vendimet për zgjerimin?

Propozimi i Francës dhe Gjermanisë për reformimin e vendimmarrjes në politikën e jashtme, të paktën tani për tani, nuk do t’i ndryshonte automatikisht rregullat për zgjerimin, pasi ky është një proces i veçantë ku vazhdon të kërkohet unanimiteti. Megjithatë, ndikimi i mundshëm në zgjerim nuk është i papërfillshëm.

Një model i ngjashëm vendimmarrjeje mund të zbatohet në të ardhmen edhe në faza të caktuara të procesit të anëtarësimit, ndërsa vendimi përfundimtar për pranimin e një shteti në BE do të vazhdonte të kërkonte unanimitet.

Komisioni Evropian kishte përmendur që në vitin 2024 mundësinë e përdorimit të shumicës së cilësuar për disa hapa të ndërmjetëm, si hapja e grup-kapitujve. Por, ka theksuar se mbyllja e kapitujve negociues dhe vendimi përfundimtar për anëtarësim do të vazhdonin të kërkonin unanimitet.

Në këtë kontekst, nuk janë të rralla rastet kur vendet e rajonit janë përballur me veton e shteteve anëtare. Maqedonia e Veriut është një nga shembujt më të qartë.

Për më shumë se një dekadë, ajo u përball me veton e Greqisë, e cila e kushtëzoi nisjen e negociatave të anëtarësimit me zgjidhjen e kontestit për emrin. Pas heqjes së vetos greke, Bullgaria vendosi veton e saj, për shkak të mosmarrëveshjeve rreth çështjeve historike, gjuhësore dhe identitare.

As Serbia nuk mund të përparojë me hapjen e grup-kapitullit të ardhshëm në procesin e anëtarësimit pa unanimitetin e vendeve anëtare, pavarësisht angazhimit të disa prej shteteve më të fuqishme të BE-së. Mali i Zi, si vendi më i avancuar në procesin e anëtarësimit, mund të përballet me një veto të Kroacisë, e cila tashmë e ka përdorur këtë të drejtë për të penguar mbylljen e Kapitullit 31, që lidhet me politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes.

Bosnje dhe Hercegovina e mori statusin e vendit kandidat vetëm pasi Sllovenia kërcënoi se do ta bllokonte dhënien e këtij statusi Ukrainës, nëse e njëjta gjë nuk bëhej edhe për Bosnje dhe Hercegovinën. E drejta e vetos nga shtetet anëtare vështirëson edhe përparimin e Kosovës drejt BE-së, pasi në këtë rrugë ajo pengohet nga vendet anëtare që nuk e njohin pavarësinë e saj./REL

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 6

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 6

Me buzëqeshje e revoltë: Gen Z po e dridh pushtetin e Ramës!

Pa numër identifikimi e me shpërblim në xhep: Policët fshihen nga kamera e Piranjave!

Krah për krah për humanizëm: Aktivistët shpëtojnë jetë e mjekojnë uniformat blu!

Studentët kanë të drejtë!

Arroganca e pushtetit përballë krizës: Studentët i thonë "JO" Edi Ramës!

Pedagogët braktisin auditoret e bashkohen me studentët: Ultimatumi për grevë urie!

Trupi i fëmijës është i shenjtë.

Shoqërime masive e presion në shesh: Ish-policët denoncojnë skandalin e uniformave blu!

"Po t'i thyhej këmba fëmijës tuaj?": Piranjat "gozhdojnë" deputetët!

20-vjeçari rrëfen tmerrin që ndodh pas atyre dyerve.

Hiqe atë gur nga dora!

Si parashikoi Rama 13 vite më parë atë që po bën sot?

Gen Z/ Zëri i revoltës që po dridh pushtetin.

Ju lutem kujdes me veprimet, mos e provokoni policinë! ????

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

3 vite pa licencë: Si u punësua psikologia në Vorë dhe kush mban përgjegjësi?

Flet i dyshuari i Masakrës së Beratit: Çfarë zbulon Kudret Zhuka?

Ne jemi me ju, gjatë gjithë vitit!

Zëri ynë për çdo grua që lufton sot!

Konflikti familjar në Klos që përfundoi në dhunë: Çfarë ndodhi mes Fluturës dhe të afërmve?

Kalvari i Anxhelës: Si u kthye një histori dashurie në një makth të vërtetë?

"Doktor Shkencash": Çfarë fshihet pas titullit akademik të Ulsi Manjës?

Unë e njoh atë djalin e shtrirë përtokë.

4 ditë revolte, gjenerata e re flet ndryshe.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 4

Vendimi që ngre dyshime: Çfarë e detyroi gjyqtaren e Shkodrës të vendosë për 42-vjeçarin?

Nga t*rturat te ekzekutimi barbar: Masakra e ’97-ës që nuk u zbardh kurrë.

I pastrehu kërkon ndihmë, Bashkia e Korçës i “ofron” një rrenoje.

Paguaj që të punosh: Zbërthehet skema e mashtrimit me "punën nga shtëpia"

Skandali me tunelin e Skërficës: Pas dështimit 23-milionësh, ARRSH thërret policinë për "Piranjat"

Ermal Pashaj: "Jam këtu kundër mediokërve, kriminelëve dhe dështimit 13-vjeçar të kësaj politike"

Manastirliu, kandidatja për Bashkinë e Tiranës, plagjiatura e radhës.

Patronazhistët e Ogerta Manastirliut gjatë Pranisë Besnike

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 3

Shantazh në emër të dashurisë, 40-vjeçari terrorizon gruan e martuar.

Faturat e avokatit. Si u zhdukën mijëra euro pa bërë asnjë punë?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Saranda e fëmijërisë sime, sot mes plumbave

Nga mësuese filloreje në drejtoreshë gjimnazi. Historia që na vjen nga Ishmi i Durrësit.

Rilindësit me plagjiaturë / Piranjat kapin ish-ministren e Arsimit. Si do të justifikohet ajo?

Prania besnike, një strategji djallëzore për të eliminuar praktikat institucionale.

Fshije videon! Mos shkatërro një jetë.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 2

Nga burgu në arrest shtëpie: Eduard Limaj rikthehet te përndjekja e grave!

Haris Vongli: Dua të kthehem në Shqipëri për Davidin, tim bir.

Fyerje ndaj nxënësve, ngacmime e shkelje rregulloreje: Kush është nëndrejtori problematik?

Institucionet në shërbim të krimit: Pse hesht kryeministri për skandalet?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Porti i Durrësit po mbyllet, investimet në infrastrukturë vazhdojnë. Cili është justifikimi i APD?