Paratë për armët e Ukrainës përfunduan në një fabrikë në Bosnje

Pothuajse katër vjet pas skandalit me fondet e destinuara për blerjen e armatimit për Ukrainën, hetimet janë shtrirë në disa shtete evropiane, ndërsa gjurmët e parave kanë çuar edhe në Bosnje e Hercegovinë.
Prokuroria ukrainase ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se sipërmarrësi kroat Matias Zubak, pronar i kompanisë WDG Promet, është i dyshuar në këtë çështje dhe është shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Në tetor 2022, Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës porositi nga kompania ukrainase Lviv Arsenal 100 mijë predha mortajash, në vlerë prej 36.6 milionë dollarësh. Paratë u paguan paraprakisht, por municioni nuk u dorëzua.
Në marrëveshje ishin përfshirë edhe kompani nga disa vende evropiane, mes tyre kompania sllovake Sevotech dhe WDG Promet nga Zagrebi.
Paratë e armëve përfunduan në blerjen e fabrikës në Bosnje
Sipas dokumenteve të drejtësisë ukrainase, një pjesë e fondeve të destinuara për armatimin e Ukrainës dyshohet se u përdor për blerjen e fabrikës së eksplozivëve Vitezit në Bosnje e Hercegovinë.
Në dhjetor 2022, Sevotech i transferoi WDG Promet rreth 11.34 milionë euro. Nga kjo shumë, rreth 5.52 milionë euro u përdorën për blerjen e Vitezit-it.
Pjesa tjetër e parave dyshohet se u transferua në kompani në Bullgari dhe Slloveni, në llogari të WDG Promet në Kroaci, ndërsa një pjesë u tërhoq në para të gatshme nga një llogari në Çeki.
Autoritetet boshnjake kanë konfirmuar se edhe në këtë vend Zubak ka statusin e të dyshuarit. Sipas një aktakuze, për blerjen e fabrikës janë shpenzuar gjithsej 10.8 milionë marka, të cilat aktualisht janë të bllokuara në një llogari bankare me vendim gjykate.
Hetime edhe në Çeki
Çështja nuk është kufizuar vetëm në Ukrainë dhe Bosnje. Edhe autoritetet çeke po zhvillojnë hetime, pasi një pjesë e transaksioneve kaloi përmes një institucioni financiar në Çeki.
Nga Prokuroria e Lartë e Shtetit në Pragë kanë konfirmuar se procedura penale është ende në fazën e hetimit dhe zhvillohet në mënyrë konfidenciale.
Ndërkohë, WDG Promet ka mohuar më herët se paratë ukrainase janë përdorur për blerjen e fabrikës, duke pretenduar se fondet nga llogaria në Çeki ishin transferuar përmes falsifikimit të nënshkrimeve.
Zubak nuk u është përgjigjur pyetjeve të REL-it lidhur me hetimet në Ukrainë, Çeki dhe Bosnje e Hercegovinë. Ai ka pranuar më herët se është në kërkim nga autoritetet ukrainase, ndërsa ka deklaruar se në Kroaci është marrë në pyetje si dëshmitar.
Hetimi ukrainas është pezulluar pasi Zubak është shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe, sipas autoriteteve, mund të rifillojë pasi të përcaktohet vendndodhja e tij.
Ndërkohë, fabrika Vitezit, dikur një nga komplekset më të mëdha industriale në Bosnjën qendrore, sot ndodhet në gjendje të rënduar, ndërsa shitja e saj dhe burimi i parave të përdorura për blerjen janë bërë pjesë e hetimeve në disa vende. /REL/
Lexo edhe
BOTA
"Nuk meritojnë të jetojnë"/ Ministri izraelit bën thirrje për vrasjen e më shumë palestinezëve në Gaza: 30-40 persona çdo natë

VIDEO/ Momenti kur helikopteri grek humb kontrollin, shpërthen në flakë dhe shkakton tragjedinë

Bombë nga Hungaria/ Magyar: 4IG është nëna e oligarkisë dhe thesarmbajtëse e mafies, do t'i marrim paratë

CNN: Ukrainës po i mbarojnë raketat “Patriot”, kriza e mbrojtjes ajrore po bëhet globale

Pesë adoleshentë vdesin në aksidentin tragjik në rrugën e gabuar!





